Kërko

Papa meshtarëve: mos jini të ngurtë me popullin dhe lutuni shumë që të mos përfundoni në "hedhurina"

Papa Françesku pjesëmarrësve në kursin për Rektorët dhe Formuesit e Seminareve, në Amerikën Latine: “Afërsia, butësia dhe mëshira, tri karakteristikat e priftit”. Më pas, porosia për të “shqyrtuar mirë” gjatë gjithë formimit: “Nëse formuesi nuk ka aftësi ‘për të arsyetuar’, duhet t’i thotë ipeshkvit “më dërgoni në një vend tjetër”

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku e shqiptoi lirisht, jashtë tekstit, fjalimin e sotëm drejtuar pjesëmarrësve në kursin për Rektorët dhe Formuesit e Seminareve, në Amerikën Latine: “Afërsia, butësia dhe mëshira, tri karakteristikat e priftit”. Më pas, porosia për të “shqyrtuar mirë” gjatë gjithë formimit: “Nëse  formuesi nuk ka aftësi ‘për të arsyetuar’, duhet t’i thotë ipeshkvit “më dërgoni në një vend tjetër”.

Afërsi, sepse është e trishtueshme të kesh priftërinj “në krye të një famullie që çirren” ose “që kënaqen me tri-katër gjëra e nuk dinë të flasin”. Duhet butësi, mbasi është e shëmtuar të shikosh priftërinj “të paaftë për të përkëdhelur një fëmijë, për të puthur një të moshuar” ose “të ashpër” ndaj atyre, që vijnë të kërkojnë falje në rrëfim. Mbi të gjitha duhet pasur kujdes për lutjen, sepse “prifti që nuk lutet përfundon ndër 'plehra'. Në fjalimin e lirshëm, pa tekst të shkruar, mbajtur dje para rektorëve dhe formatorëve të seminareve në Amerikën Latine - por që u shpërnda sot - Papa Françesku përshkruan portretin e priftit të mirë, pikturoi portretin e meshtarit të mirë, të aftë për “ prani, mëshirë, butësi”, duke theksuar gjithashtu kufizimet, rreziqet dhe tundimet e mundshme.

Pasi e la mënjanë fjalimin e shkruar prej 12 faqesh, duke ua dorëzuar ndërkaq të pranishmëve (gjë e rëndë, e lëmë ta lexojmë me qetësi), Papa, duke folur gjatë gjithë kohës në spanjisht, kujtoi se dëshiron të ndajë “tri ose katër gjëra, që i ka në zemër për jetën meshtarake, veçanërisht për jetën e formatorëve në seminar”.

Të aftë për butësi

Porosia e parë ka të bëjë me sjelljen dhe qëndrimin ndaj njerëzve:

“Nuk mund të kemi priftërinj në drejtim të famullisë, që bërtasin me zë të lartë, që mbingarkojnë gjithçka, që jetojnë vetëm me tri a katër gjëra e nuk dinë të flasin, nuk janë në gjendje të ledhatojnë një fëmijë, të puthin një të moshuar apo thjesht nuk duan ‘të humbasin kohë’ duke folur me të sëmurët, edhe pse të gjitha këto janë në planet e famullisë. Jo, nuk është mirë!”.

Shoshitje, gjatë formimit

Françesku më pas u ndalua tek tema gjithmonë delikate dhe komplekse e formimit. Kujtoi një aspekt të jetës meshtarake, që me kalimin e kohës ka pësuar disa ndryshime:

“Në kohën time - kujtoi - ne të gjithë ishim të përfshirë në një seri dhe formimi zhvillohej në seri: ‘Sot kemi këtë. Këtë e këtë ...’. E ai që duroi deri në fund të fundit, më në fund u shugurua, ndërsa të tjerët humbën hirin, ose u larguan. Në atë kohë dolën priftërinj të shkëlqyer, priftërinj të shkëlqyer. Sot nuk është më kështu, sepse është tjetër epokë, tjetër korp, tjetër lëndë e parë. Ka të rinj të tjerë, të tjera shqetësime; mirë pra, ne jemi atje për t’i formuar këta të rinj”.

Tundimi i rreptësisë

Gjatë formimit mund të lindë edhe një tundim: ai i “rreptësisë a i ngurtësisë”, pra  gjithë këta të rinj mund të vijnë “me skema të ngurta formimi”. “Kanë lindur kongregata fetare që janë fatkeqësi, të cilat duhet të mbyllen pak nga pak, kongregacione të rrepta.. jo, jo, jo…”- theksoi Papa.

Pas kësaj ngurtësie, fshihet kalbësia e vërtetë

Jo, përgjigjeve të parapaketuara

Ndaj ka shumë rëndësi të “shqyrtojmë mirë”, gjatë gjithë formimit sesi duhen shoqëruar djemtë. Nëse një formues nuk ka aftësi për të shoshitur, duhet t’i thotë ipeshkvit: “Dëgjo, më dërgo diku tjetër, nuk jam i përshtatshëm për këtë”, - theksoi Papa. Dhe shqyrtimi nënkupton “heshtjen”, “lutjen”, “shoqërimin”, “aftësinë për të vuajtur”, për “të mos pasur përgjigje të gatshme”.

“Sot përgjigjet e parapaketuara nuk janë të dobishme për të rinjtë; duhet t'i shoqërojmë, sigurisht me një doktrinë të qartë, por duke i shoqëruar në situata të ndryshme”.

Rënia numerike

Papa nuk la pa përmendur edhe çështjen e pakësimit të thirrjeve:

“Është problem numri i seminaristëve, nuk mund të ketë një seminar me katër veta, jo. Nuk kemi më shumë! Bëhuni bashkë”.

Pranë popullit, të mëshirshëm në rrëfyestore

Prej këndej, një porosi tjetër (“Mania ime, kjo - shton) për afërsinë. E kjo konkretisht përkthehet në të folur e të vepruar me “stilin e Zotit”, pra me “afërsi”. “Duhet të jetë ngjitëse, domethënë prifti, seminaristi, meshtari duhet të jetë ‘afër’. Pranë kujt? Pranë vajzave të famullisë? E disa prej tyre janë, janë afër, pastaj edhe martohen, mirë. Por afër kujt? Sa afër?”:

“Zoti është afër me mëshirë dhe butësi. Këto tri gjëra duhet t’i realizojnë djemtë. Priftërinjtë duhet të jenë njerëz të mirë, të mëshirshëm, me butësi”.

Në të vërtetë, për Papën është dhimbje të takosh “njerëz që vijnë të qahen sepse janë rrëfyer dhe u është thënë gjithçka. Nëse shkon të rrëfehesh sepse ke bërë një, dy, dhjetë mijë gjëra të gabuara ... falënderoni Zotin dhe i falni ato!”. Dhe nëse personi tjetër turpërohet “nuk duhet ta rrahni”. “e as t’i thoni se është në mëkat mortar e se duhet të kërkosh lejen e ipeshkvit...”. Kjo ndodh, ndaj kujdes, ju lutem! Populli ynë nuk mund të jetë në duart e kriminelëve! Dhe një prift që sillet kështu, është kriminel, në çdo fjalë. I pëlqen, a nuk i pëlqen”.

Lutuni!

Në përfundim, Papa u drejton një ftesë përfundimtare të gjithë priftërinjve: Lutuni!

“Një prift që nuk falet, përfundon ndër plehra. Ndoshta do të ngulmojë deri në pleqëri, por në koshin e plehrave, pra në mediokritet. Nuk them në mëkat, por në mediokritet”.

11 nëntor 2022, 13:16