Kërko

Papa autoriteteve të Bahreinit: të punojmë së bashku për paqen nё botё

Papa: të mendojmë për pemën e jetës dhe të shpërndajmë ujin e vëllazërimit në shkretëtirat e thata të bashkëjetesës njerëzore: të mos lejojmë që mundësia e takimit ndërmjet qytetërimeve, feve dhe kulturave të avullojë, të mos lejojmë të thahen rrënjët e njerëzimit! Të punojmë së bashku, të punojmë për të gjithë, për shpresën! Jam këtu, në tokën e pemës së jetës, për të mbjellë paqen,

R.SH. – Vatikan

Të mendojmë “për pemën e jetës, simbolin tuaj,  dhe të shpërndajmë ujin e vëllazërimit në shkretëtirat e thata të bashkëjetesës njerëzore: të mos lejojmë që mundësia e takimit ndërmjet qytetërimeve, feve dhe kulturave të avullojë, të mos lejojmë të thahen rrënjët e njerëzimit! Të punojmë së bashku, të punojmë për të gjithë, për shpresën! Jam këtu, në tokën e pemës së jetës, për të mbjellë paqen”, kështu tha Papa Françesku posa mbërriti në Bahreinё në udhëtimin e tij të 39-të apostolik ndërkombëtar gjatë fjalimit të tij zyrtar para autoriteteve vendor.

Papa mbërriti sot në Bahrein, në një udhëtim apostolik në shenjën e dialogut ndërmjet qytetërimeve, në shtegtimin e tij të 39-të ndërkombëtar, për të marrë pjesë në mbylljen e Forumit për Dialogun, por edhe për t’u takuar me bashkësinë katolike të vendit, përbërë nga rreth 160 mijë vetë, në një popullsi prej 1 milion e 400 mijë banorësh. Krejt udhëtimi i është besuar ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar e, si zakonisht, asaj iu drejtua Papa Françesku dje, para nisjes për në vendin e Gjirit Persik. Ati i Shenjtë shkoi në bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’iu lutur Zojës – Salus Populi Romani.

Takimi me refugjatët, para nisjes

Ndërsa sot, në Shtëpinë e Shën Martës, para se të shkonte në aeroport, Papa takoi tri familje refugjatësh nga Ukraina, të strehuar nga familje italiane. Është fjala për gruan e një popi ortodoks me dy fëmijë, ndërsa i shoqi e djali mbi 18 vjeç kanë mbetur në rajonin e Kropyvnytskyi, 150 km larg Mykolaiv. Shoqëruar nga prefekti i Dikasterit për Bamirësinë, kardinali Konrad Krajewski, edhe një nënë 30-vjeçare me dy vajza 4 e 7 vjeç, ikur nga rajoni i Zaporizhzhias dhe një grua tjetër 53 vjeçare me të birin 13 vjeçar, që ka probleme fizike e me të ëmën 73 vjeçare nga Kievi.

Papa pritet nga mbreti i Bahreinit

Më pas, Françesku u nis nga aeroporti romak i Fiumiçinos për të mbërritur në qytetin naftëmbajtës, Awali, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit, në orën 16.45 vendase (14.45 në Evropë). Papa i bëri një vizitë kortezie mbretit të Bahreinit, Hamad bin Isa bin Salman Al Khalifa, i pari që u ka dhënë të drejtën e votës grave në vitin 2002, kur mori pushtetin, si trashëgimtar i të atit. Pas ceremonisë së mirëseardhjes në oborrin e “Sakhir Royal Palace”, Ati i Shenjtë u takua, po në pallatin mbretëror, me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik. 

Pema e jetës, emblema e gjallërisë së vendit

Fjalën e tij të parë, Papa Françesku e filloi me përshëndetjen arabe “As-salamu alaikum!” (Paqja qoftë me ju), duke iu drejtuar “çdo besimtari, çdo njeriu e çdo familjeje, që Kushtetuta e Bahreinit i quan ‘gurë këndi të shoqërisë’”. Ati i Shenjtë nuk e përmendi pa qëllim Kushtetutën, pasi vetëm pas ardhjes në pushtet të mbretit aktual, vendi u shdërrua nga Emirat në Mbretëri kushtetuese. Mbeten gjithsesi dualitete, që Françesku i vuri në dukje, si: aspektet e lashtësisë krah aspekteve moderne të vendit, pallatetet, që gërvishtin qiellin, nga njëra anë e, tregjet tradicionale lindore, nga ana tjetër, histori e progres, që shkrihen me njëra-tjetrën. Papa u frymëzua nga “emblema e gjallërisë” së vendit, Shajarat-al-Hayat, pema e jetës, për të reflektuar së bashku me të pranishmit mbi disa tematika të rëndësishme për botën e sotme. Rrënjët e pemës së jetës, e cila rritet në shkretëtirë, shkojnë thellë, për të marrë ujë nga nëntoka.

”Duke shkuar në rrënjët e thella të kohës – më se 4500 vjet të pranisë njerëzore, pa ndërprerje - del në pah se si pozicioni gjeografik, prirjet dhe aftësitë tregtare të njerëzve, si edhe ngjarje të caktuara historike, i kanë dhënë Bahreinit mundësinë për t'u shndërruar në një udhëkryq pasurimi të ndërsjellë ndërmjet popujve. Një aspekt, pra, spikat nga kjo tokë: ka qenë gjithmonë një vendtakimi ndërmjet popullsive të ndryshme”.

Ky është uji jetësor, nga i cili ushqehen rrënjët e Bahreinit, vuri në dukje Papa, duke nënvizuar se pasuria më e madhe e tij qëndron në larminë etnike e kulturore, në bashkëjetesën paqësore e në mikpritjen tradicionale të popullsisë.

“Është shumë e rëndësishme në kohën tonë, kur mbyllja në vetvete e në interesat personale na pengon të shohim rëndësinë e së tërës, nga e cila s’mund të heqim dorë”.

Bota është “fshat global”, por i mungon “fryma e fshatit”

Papa nënvizoi se bota vërtet është kthyer në “fshat global”, por i mungon “fryma e fshatit”. “Megjithë përparimin dhe arritjet e shumta civile e shkencore, distanca kulturore ndërmjet anëve të ndryshme të botës rritet dhe mundësive të dobishme për takim u kundërvihen qëndrimet e mbrapshta të konfliktit”.

“Le të mendojmë ndërkaq, për pemën e jetës dhe të shpërndajmë ujin e vëllazërimit në shkretëtirat e thata të bashkëjetesës njerëzore: të mos lejojmë që mundësia e takimit ndërmjet qytetërimeve, feve dhe kulturave të avullojë, të mos lejojmë të thahen rrënjët e njerëzimit! Të punojmë së bashku, të punojmë për të gjithë, për shpresën! Jam këtu, në tokën e pemës së jetës, për të mbjellë paqen, për të përjetuar ditë takimi, për të marrë pjesë në një Forum dialogu ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit për bashkëjetesën paqësore njerëzore. Falënderoj që tani shokët e mi të udhës, veçanërisht përfaqësuesit fetarë. Këto ditë shënojnë një fazë të çmuar në rrugën e miqësisë me liderë të ndryshëm fetarë islamikë, intensifikuar vitet e fundit: një rrugëtim vëllazëror i cili, nën vështrimin e Qiellit, dëshiron të promovojë paqen në Tokë”.

“Liria fetare të mos kufizohet në lirinë e kultit”

Pikërisht respekti, toleranca dhe liria fetare promovohen në Kushtetutën e Bahreinit, të cilën Papa e përmendi, duke kërkuar që “liria fetare të bëhet e plotë dhe të mos kufizohet në lirinë e kultit; që dinjiteti dhe mundësitë e barabarta të njihen konkretisht për çdo grup dhe çdo njeri; që të mos ketë diskriminim dhe të mos shkelen, por të promovohen të drejtat themelore të njeriut. Mendoj para së gjithash – vijoi ai - për të drejtën e jetës, për nevojën e garantimit të saj përgjithmonë, edhe për ata që dënohen, ekzistenca e të cilëve nuk mund të eliminohet”.

Punë dinjitoze për të gjithë

Më pas, Papa vuri në dukje rëndësinë e emigracionit për një vend, ku një pjesë e mirë e popullsisë është e huaj, duke lavdëruar Bahreinin për mundësinë që u jep, por edhe duke kërkuar punë dinjitoze për të gjithë, sepse ajo nuk nevojitet vetëm për të jetuar, por është e drejtë njerëzore për zhvillimin e secilit e të shoqërisë. Ati i Shenjtë nxorri në pah problemet e krizës botërore të punësimit. Puna mungon, nënvizoi ai, por edhe kur ekziston, mund të kthehet në bukë të helmatisur, që skllavëron. 

”Prandaj, të garantohen kudo kushte pune të sigurta dhe të denja për njeriun, që nuk e pengojnë, por e favorizojnë jetën kulturore dhe shpirtërore; promovojnë kohezionin shoqëror, në favor të jetesës së përbashkët dhe të zhvillimit të vendeve”.

Ndryshimet klimatike dhe lufta

Ati i Shenjtë përmendi shkollën e parë femërore të Gjirit Persik, hapur pikërisht në Bahrein, si edhe zhdukjen e skllavërisë, duke uruar promovimin e të drejtave për të mënjanuarit e shoqërisë. Pema e jetës e ndihmoi Papën të vërë në dukje edhe dy aspekte të tjera: çështjen ambientale, për të cilën uroi që Konferenca e ardhshme e OKB-së për ndryshimet klimatike (COP27), e cila do të mbahet së shpejti në Egjipt, të japë rezultate të reja për mbrojtjen e natyrës; së dyti, begatinë e jetës, duke iu kundërvënë luftës, e cila nxjerr në pah aspektet më të këqija të njeriut, si egoizmi, dhuna dhe gënjeshtra. Duke përmendur Jemenin, martirizuar nga një luftë e harruar, Ati i Shenjtë bëri thirrjen:

“Të hedhim poshtë logjikën e armëve dhe ta ndryshojmë kursin, duke i shndërruar shpenzimet e mëdha ushtarake në investime për të luftuar urinë, mungesën e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit… Deklarata e Mbretërisë së Bahreinit pranon, në këtë drejtim, se besimi fetar është ‘bekim për gjithë njerëzimin’, themel ‘për paqen në botë’. Jam këtu si besimtar, si i krishterë, si njeri dhe si shtegtar i paqes, sepse sot si kurrë më parë jemi të thirrur kudo që të angazhohemi seriozisht për paqen… Ashtu qoftë, me bekimin e të Tejetlartit!”

Dita e nesërme

Më këtë urim përfundoi fjala e Papës për autoritetet e Bahreinit, ku nesër, pasi të zhvendoset për në kryeqytetin Manama, Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në mbylljen e Forumit për Dialogun. Më pas, do të takohet me Imamin e Madh të Al-Azharit, me anëtarët e Këshillit Mysliman të Pleqësisë dhe me të krishterët e të gjitha emërtimeve, në një lutje ekumenike për paqen në katedralen e Zojës së Arabisë.

03 nëntor 2022, 15:52