Papa, Kolegjit Latinoamerikan: të jeni barinj, jo klerikë shtetërorë
R.SH. – Vatikan
“Barinj, jo klerikë shtetërorë”: këtë u kërkoi Papa Françesku anëtarëve të Kolegjit Pio Latinomarikan, të cilët i priti sot paradite në audiencë. Ai i Shenjtë kujtoi pasurinë dhe larminë e popujve të Amerikës Latine, ku kthehen ata, që përfundojnë formimin në këtë Kolegj të Romës. Papa i këshilloi meshtarët e rinj të marrin shembull nga të krishterët e parë, që u shërbenin popujve e kulturave të ndryshme, duke përdorur gjuhën e dashurisë e duke u bërë dishepuj e misionarë të Jezu Krishtit deri në skajet më të largëta të tokës.
“Jezusi pastë zë aktiv në çdo vendim tuajin! Jemi ministrat e tij, i përkasim dhe ai na ka thirrur ‘të rrimë me të’. Kjo do të thotë të jemi dishepuj të tij”.
Vëmendje për Zotin, jo për celularin
Kur arrin mbrëmja, vijoi Papa, pas një dite të lodhshme, pushoni pak në praninë e Krishtit, tregojini gjithçka keni përjetuar e mos u përqendroni vetëm tek celulari. Duke e lënë mënjanë fjalimin e shkruar, Françesku theksoi:
“Më dhemb shumë kur shoh se një meshtar i mirë dhe punëtor lodhet dhe harron të shkojë para tabernakullit. Shkon të flejë se është i lodhur. Ka të drejtë, duhet të flejë, por më parë, ta përshëndesim Zotin, apo jo? Mos u tregoni pa edukatë... E pastaj, sa herë s’bëjnë tjetër veçse rrinë para celularit? Ekrani i celularit na mbush me lloj-lloj gjërash. Ju lutem, të mos vareni nga ajo botë jashtë realitetit. Mos u varni prej saj. Ta shterron forcën. Varuni nga takimi me Jezu Krishtin, sepse Ai e di se për çfarë kemi nevojë dhe ka fjalë për të na thënë në çdo rast”.
Njerëz të grigjës së Zotit
Ati i Shenjtë Bergoglio i nxiti meshtarët latinoamerikanë të jenë barinj të grigjës, jo klerikë shtetërorë. “Mos bini në klerikalizëm – nënvizoi Françesku – që është një nga perversionet më të këqija… Klerikalizmi është shpërfytyrues, i korruptuar, të çon drejt një korrupsioni të kollarisur, me hundë përpjetë, që të shkëput nga vendi, të bën ta harrosh vendin nga vjen”. Papa kujtoi Letrën e shën Palit për Timoteun, ku apostulli këshillon të mos harrohen rrënjët dhe përmes saj, u kërkoi meshtarëve të kthehen në grigjën e tyre të origjinës.
“Barinj të popullit, jo klerikë shtetërorë. Kërkojini Zotit hirin për të ditur të qëndroni gjithnjë përpara, në mes e pas njerëzve, me vëmendje për njerëzit, nga gjiri i të cilëve ju ka thirrur Jezu Krishti”.
Shqetësimi i misionarit
Papa u dha latinoamerikanëve shembullin e Shën Andreut, festa e të cilit kremtohet më 30 nëntor. Shenjti ndoqi ftesën e Jezu Krishtit - “ejani e shihni” – shkoi të shihte ku banonte e ndenji me të. Nga ajo ditë, jeta i ndryshoi rrënjësisht. Kështu edhe për meshtarët e rinj, për të cilët Jezu Krishti duhet të jetë vërtet “Fjala” e jetës, Ai që vepron përmes shërbimit të tyre. Ashtu siç qe për Shën Andreun apostull, edhe për ta, takimi me Krishtin duhet të kthehet në kumt për ata vëllezër e motra, që ende nuk e kanë provuar dashurinë e mëshirën e Zotit. “Çoni kudo gëzimin e Ungjillit – kërkoi Papa – bëhuni misionarë”.
“Ky është kuptimi i jetës sonë: është rrugë ‘shkuarje-ardhje’, që ka Jezu Krishtin si pikënisje e pikëmbërritje. Të mos harrojmë se ‘të rrimë’ me Jezusin e ‘të dalim’ për ta kumtuar do të thotë edhe të rrimë me të varfërit, me migrantët, me të sëmurët, me të burgosurit, me më të vegjlit e më të harruarit e shoqërisë, për të ndarë me ta jetën dhe për t’u shpallur dashurinë pa kushte të Zotit. Pikërisht pse Jezusi është i pranishëm në ata vëllezër e motra më të ligështa, veçanërisht aty na pret”.
Së fundi, Papa ua besoi anëtarët e Kolegjit Pio Latinoamerikan Zojës së Guadalupes dhe ndërmjetësimit të Shën Andreut apostull.