Kërko

2022.11.16 Udienza Generale 2022.11.16 Udienza Generale

Papa: dhimbje për sulmin e fortë me raketa, shmangie e shkallëzimit!

Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, bëri përsëri thirrje për vendin e martirizuar evropian, goditur orët e fundit nga më se 100 raketa. Kërkoi edhe lutje që “Zoti t’i shndërrojë zemrat të cilat vijojnë të nxisin luftën, pa i harruar edhe viktimat e atentatit të së dielës në Stamboll

R.SH. - Vatikan

Stambolli dhe Ukraina e martirizuar! Një gjurmë e gjatë gjaku, rezultat i dhunës brutale, përshkon Bosforin dhe lidh viktimat e sulmit terrorist të 13 nëntorit në lagjen Taksim - me banorët e Kievit, Lvivit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, mbi të cilat orët e fundit u resh një shi me mbi njëqind raketa. Dy prej tyre - tani për tani me sa duket fragmente - dje pasdite goditën fshatin Przewodów, në Poloni, duke vrarë dy vetë. Lajmi shkaktoi një valë terrori të përgjithshëm për rrezikun e një reagimi të menjëhershëm, që do të shkaktonte shkallëzim në shkallë globale.

Dhe pikërisht shmangien e shkallëzimit të konfliktit kërkoi Papa Françesku gjatë thirrjes në fund të audiencës së përgjithshme. “Me dhimbje dhe shqetësim mësova lajmin e një sulmi të ri dhe akoma më të fuqishëm raketor në Ukrainë, i cili shkaktoi vdekje dhe dëmtime në shumë infrastruktura civile”  - kujtoi Papa:

“Të lutemi që Zoti t’i kthejë zemrat e atyre, të cilët e duan luftën dhe të bëjë që për Ukrainën e torturuar të mbizotërojë dëshira për paqe, për të shmangur çdo shkallëzim dhe për të hapur rrugën e armëpushimit dhe dialogut”.

Si gjithnjë, gjatë 9 muajve të fundit në çdo ndërhyrje publike: nga Engjëlli - tek predikimi, nga katekizmi - tek mesazhi i shkruar - Françesku kërkon  lutje për këtë tokë të cilën, me një epitet tashmë të mirënjohur, e quan "Ukraina e martirizuar":

“Lutja jonë e pandërprerë është edhe për Ukrainën martire: Zoti u dhëntë ukrainasve ngushëllim, forcë në prova dhe shpresë për paqe. Mund të lutemi për Ukrainën duke thënë: ‘Nxito, o Zot!’”.

Ipeshkvi i Romës nuk e harron as tragjedinë e dy ditëve më parë, në Stamboll:

“Lartoj lutjet e mia për viktimat e pafajshme të sulmit terrorist, që ndodhi ditët e fundit në Stamboll”

Papa ripohon afërsinë e tij, shprehur edhe dje, në telegramin drejtuar nuncit apostolik në Turqi, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, në të cilin e nxit popullin turk të mos çkurajohet nga dhuna, por të vijojë "ndërtimin e një shoqërie të bazuar mbi vlerat e vëllazërisë, drejtësisë dhe paqes”.

Ati i Shenjtë ia beson këtë shpresë Jezu Krishtit. Në përshëndetjet e tij për besimtarët e gjuhës gjermane, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë kujtoi solemnitetin e Krishtit Mbret, që do të kremtohet të dielën e ardhshme:

“T'ia besojmë veten Zotit të historisë në të gjitha mundimet e kohës sonë, me sigurinë se në fronin e Kryqit e mundi të keqen dhe vdekjen” - pohoi Ipeshkvi i Romës.

Edhe një mendim më shumë për Ukrainën dhe konfliktet e tjera që ndodhin në botë, në përshëndetjen e shtegtarëve polakë. Ndërmjet tyre ishin anëtarët e Fondacionit SOAR dhe një grup artistësh nga Ukraina, Polonia, Izraeli dhe vende të tjera, pjesëmarrës në Festivalin e Psalmeve të Davidit. Erdhën në Romë për të paraqitur koncertin "Psalmet e Paqes dhe të Mëshirës" - kujtoi Papa, duke e përfunduar audiencën me urimin:

“Uroj që kjo ngjarje artistike dhe shpirtërore të favorizojë rezolutat dhe projektet e vëllazërisë e të harmonisë. Bekimi im për të gjithë”.

16 nëntor 2022, 12:32