Kërko

Papa në Asti Papa në Asti 

Papa është në Piemonte, në Bergoglio: këtu ruhen rrënjët e tij

Piemonti përqafon Papën, i cili ia kushton gjithë këtë ditë dashurisë familjare, veçanërisht përmes një vizite tek kushërira e tij, Carla Rabezzana, nëntëdhjetë vjeçare, me banim në Portacomaro e më pas, edhe te e kushërira, Delia Gai, që jeton me të afërm të tjerë në lokalitetin Tigliole.

R. SH. - Vatikan

Piemonti përqafon Papën, i cili ia kushton gjithë këtë ditë dashurisë familjare, veçanërisht përmes një vizite tek kushërira e tij, Carla Rabezzana, nëntëdhjetë vjeçare, me banim në Portacomaro e më pas, edhe te e kushërira, Delia Gai, që jeton me të afërm të tjerë në lokalitetin Tigliole.

Mbërritja në Portocomaro

Françesku mbërriti me helikopter në fushën sportive të Portacomaro Stazione, në provincën e Astit, pak para mesditës, i pritur nga famullitari i fshatit, Don Luigino Trinchero. Më pas shkoi me makinë te familjarët e tij, i përshëndetur nga disa qindra njerëz që e prisnin përgjatë rrugës. Ishin çastet e para të një vizite me natyrë plotësisht private, e cila do të pasohet nesër, në orën 11, nga çasti i parë publik në Piemonte, me meshën e kryesuar në katedralen e Astit.

Një histori e gjatë familjare

Vizita është një mundësi për të kujtuar të kaluarën, ngjarjet që i kujton një kushërirë tjetër e Françeskut. Në Bergoglio, nënvizon, janë "trojet e origjinës së tij". Në Bergoglio banonte stërgjyshi i përbashkët, Giuseppe dhe gjatë një interviste, pjesë e dokumentarit 'Radici' – “Rrënjët”, realizuar nga Telepace dhe Rete 7 me rastin e vizitës së Papës në Asti - ajo saktëson se ka lindur në atë vend, në shtëpinë-fermë Brico Marmorito, në territorin e qytetit buzë Portacomaros. “Françesku – thotë duke treguar një foto – vinte këtu për të vizituar të afërmit e tjerë kur shkonte në Torino, vinte për të parë kushërinjtë e tij më të afërt”.

Emocioni për ardhjen e Papës në qytetin piemontez është i madh. Duket pak si klima që mbizotëroi një ditë pas 13 marsit 2013, thonë redaktorët e Gazzetta d'Asti: “Në fillim ishin të paktë ata që e kujtonin origjinën piemonteze të Papës Françeskut”. Giancarlo Libert, i apasionuar pas historisë së emigrimit piemontez në Argjentinë, ishte i pari që foli për të përmes librave të tij. “Lajmi që kisha – thotë ai – u botua në vitin 2005 (titulli i librit “Astigiani nella Pampa”): rreth viteve 2003-2004 bisedova me të afërmit në Piemonte vetëm për të marrë ndonjë informacion”. Më pas kërkimet vijuan gjatë viteve në vijim, falë kontributit të Orsola Appendino.

Telefonata e Krishtlindjes

Shkëmbimin e letrave me Atin e Shenjtë Orsola i nisi nga Bergoglio, para zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. Pastaj, në ditën e Krishtlindjes 2021, pati një telefonatë. Kur në anën tjetër dëgjoi një zë që thoshte “Unë jam Papa Françesku”, ajo u përgjigj: “Eh! Ndoshta nuk e besoj”. Më pas – shton - “E kuptova se ishte me të vërtetë: u emocionova, qava dhe nuk mbaj mend çfarë i thamë njëri-tjetrit”. Zonja e ruan ende këtë telefonatë në celularin e saj. Letrat, brenda një kutie. Ndërsa të gjitha takimet e zhvilluara pas vitit 2013 në Shën Martë dhe në përfundim të disa audiencave në Vatikan, i ruan në zemër. “Edhe kjo marrëdhënie me të afërmit që ai e ka mbajtur gjithmonë gjallë - komenton drejtori i Gazzetta d'Asti, don Dino Barberis – flet vetë për lidhjen e Papës me këto toka dhe për origjinën e tij piemonteze".

Arkivat dhe certifikatat

Portacomaro, vendi i vogël që po jeton këtë ditë dashurie dhe kujtimesh është i ngarkuar me emocione e me shpresa se do të mund t’i hedhë një sy  Papës. "Në kishën tonë famullitare - kujton kryebashkiaku Alessandro Balliano – pushon në paqe gjyshi i Françeskut, Giovanni, ndërsa disa nga paraardhësit e tij janë varrosur në varreza”.

Gëzimi ndjehet fort edhe në Montechiaro d'Asti. Familja Bergoglio jetoi në këtë zonë për disa vite në fermën "Pellerina" përpara se të transferohej në Portacomaro. Në kishën e fshatit kushtuar San Bartolomeos ndodhet gurra e pagëzimit ku në vitin 1857 u pagëzua stërgjyshi i Papës, i cili quhej Francesco. Famullitari, Don Emanuele Baviera, flet për entuziazmin dhe kërkimet arkivore që vitet e fundit çuan në zbulimin e kësaj certifikate pagëzimi, sot e ruajtur me xhelozi në bashkinë ku kryebashkiaku, Paolo Luzi, e tregon jo pa krenari.

Ai është pjesë e jona dhe ne e duam edhe më shumë!

Duhet pasur parasysh se në këto anë ka ende familje me këtë mbiemër. “Kur na paraqiten, ne hidhemi menjëherë”, rrëfen Don Emanuele, i cili flet për një takim që pati Papa ditët e fundit me një të afërme të një bashkësie aty pranë: “Më bëri përshtypje kur pashë sjelljen, entuziazmin dhe simpatinë që lexoheshin në fëtyrën e Atit të Shenjtë”. Origjina është e rëndësishme - pohon prifti - "e kjo ka të bëjë posaçërisht me Papën, gjë më emocionon". Vendasit e konsiderojnë Papën “njëri prej tyre”. “Tani që e dimë se këtu kemi një pjesë të origjinës së tij – përfundon Don Emanuele – na shtyn ta duam edhe më shumë”.

19 nëntor 2022, 14:21