Kërko

Papa me pjesëmarrësit në kursin për rektorët dhe formatorët e seminareve të Amerikës Latine Papa me pjesëmarrësit në kursin për rektorët dhe formatorët e seminareve të Amerikës Latine

Françesku: meshtarët të mos jenë “supernjerëz”, por të përvuajtur, që ndjekin Krishtin

Në fjalën për pjesëmarrësit në kursin për rektorët dhe formatorët e seminareve të Amerikës Latine, Papa thekson se motivacioni i vërtetë për thirrjet është "ndjekja e Zotit dhe ardhja e Mbretërisë së Hyjit". Ata që merren me formimin e meshtarëve, pohon Ati iShenjtë, duhet të edukojnë "me jetë, më shumë se me fjalë"

R.SH. – Vatikan

Zoti na fton të ndjekim gjurmët e tij e të imitojmë rrugën e tij. Fjalimi i Papës Françesku, dorëzuar pjesëmarrësve në kursin për rektorët dhe formatorët e seminareve të Amerikës Latine, që i priti sot në Vatikan, u përvijua në këtë drejtim themelor. Latinoamerikanët erdhën në Romë nga pothuajse të gjitha vendet e kontinentit dhe të Karaibeve për të marrë pjesë në kursin e formimit, promovuar nga Dikasteri për Klerin. Papa u kujtoi katër "përmasat e seminaristit": atë njerëzore, atë intelektuale, atë shpirtërore dhe atë baritore.

Të heqim dorë nga protagonizmat e të ëndërrojmë së bashku

Një nga sfidat më të rëndësishme të formimit meshtarak, nënvizon Ati i Shenjtë është ngritja e bashkësive të vërteta të krishtera, pa inerci e pa protagonizma të kota, por me një ëndërr të përbashkët, që nuk sheh vetëm nga e kaluara, por shqyrton se ç’dëshiron Zoti nga besimtarët e vet.

“Duhet të keni kujdes, – shkruan Papa – sepse misioni juaj nuk është të formoni ‘supernjerëz’, që pretendojnë se dinë e kontrollojnë gjithçka, se u mjafton vetvetja; përkundrazi, ju duhet të formoni njerëz që, me përvujtëri, ndjekin procesin e zgjedhur nga Biri i Zotit, udhën e tij të mishërimit”.

Udhë njerëzore e shpirtërore

Në rrugën e formimit, nënvizon Papa, duhen marrë parasysh karakteristikat njerëzore të secilit, duke i shndërruar për t’i lartuar e për t’i bërë të afta të ndjekin Zotin e të punojnë për ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit, nga pikpamja njerëzore e shpirtërore njëkohësisht. E udha e bërë duhet analizuar vazhdimisht, kërkon Ati i Shenjtë.

“Në fakt, çdo seminarist fillimisht dhe çdo meshtar më pas, me theksime e nuanca të ndryshme, duhet ta përditësojë atë vazhdimisht, veçanërisht në rrethanat më të rëndësishme të rrugëtimit të tij meshtarak. Konfrontimi me ata që e shoqërojnë në këtë proces… do t'i japë mundësi të kapërcejë çdo tundim të vetëmashtrimit subjektivist dhe të vlerësojë këndvështrime shumë më të gjera dhe më objektive”.

Jetë, kushtuar meshtarëve të ardhshëm

Formatorët, nënvizon Papa, janë të thirrur të edukojnë me jetën e tyre e jo thjesht, me fjalë. E kur ndiejnë lodhje e nuk janë të kënaqur, duhet të vrapojnë para Jezu Krishtit, për t’i kërkuar ndihmë që zemra e tyre të rrahë si zemra e Mësuesit Hyjnor.

“Jeta e formatorit, - përfundon Papa – zhvillimi i tij i vazhdueshëm njerëzor dhe shpirtëror si dishepull-misionar i Krishtit dhe si meshtar, i mbështetur dhe i promovuar nga hiri i Zotit, është pa dyshim faktori themelor, që ka në dorë për frytshmërinë e  shërbimit të tij ndaj seminaristëve dhe meshtarëve, në udhën për t’u bërë të ngjashëm me Krishtin, Shërbëtorin dhe Bariun e Mirë”.

10 nëntor 2022, 14:06