Kërko

Mbreti Abdullah II Ibn Al Hussein i Jordanisë me Papën Françesku Mbreti Abdullah II Ibn Al Hussein i Jordanisë me Papën Françesku

Françesku e mbreti i Jordanisë, bisedë mbi refugjatët, paqen dhe Lindjen e Mesme

Për të katërtën herë që nga fillimi i papnisë, Papa takohet me sovranin e Mbretërisë hashemite Abdullah II, i shoqëruar nga gruaja e tij Rania. Takimi zgjati 25 minuta, pastaj, mbreti bisedoi me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Parolin dhe me imzot Gallagher. Theksoi nevojën për të vazhduar ruajtjen e status quo-së në Jerusalem

R.SH. – Vatikan

Bisedë 25 minutëshe mbi gjendjen në Lindjen e Mesme dhe çështjen e emigrantëve: ky ishte takimi i sotëm privat ndërmjet Papës Françesku dhe mbretit të Jordanisë, Abdullah II ibn al-Hussein. Sovrani dhe bashkëshortja e tij, Rania, u pritën në Pallatin Apostolik, në takimin e katërt me Atin e Shenjtë, që nga fillimi i papnisë.

Takimi ndërmjet Papës dhe mbretit

Në veçanti, Papa e falënderoi sovranin për rolin e mbrojtësit të Vendeve të Shenjta dhe për mikpritjen e emigrantëve nga ana e Jordanisë. Vendi i vogël i sunduar nga monarkia hashemite që nga viti 1946, me pak më shumë se dhjetë milionë banorë dhe me burime të shumta natyrore, mirëpret mbi një milion sirianë, që janë larguar nga atdheu, si edhe migrantë të kombësive të tjera, ardhur nga zonat fqinje për të punuar kryesisht në bujqësi dhe në ndërtim. Një shembull mikpritjeje, për të cilin Papa shprehu mirënjohje.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit

Çështja e refugjatëve u diskutua edhe gjatë “bisedimeve të përzemërta” të mbretit Abdullah në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, ku ai u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, dhe me imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Krahas “vlerësimit për marrëdhëniet e mira dypalëshe”, temat e trajtuara ishin të shumta dhe me rëndësi të madhe, siç njofton nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit: “U fol për nevojën e vazhdimit të dialogut ndërfetar dhe ekumenik, gjithmonë duke u siguruar që Kisha Katolike në Jordani të ushtrojë lirisht misionin e saj”, thuhet në notë. “Duke vënë në dukje rëndësinë e promovimit të stabilitetit dhe të paqes në Lindjen e Mesme, sidomos përsa i përket çështjes palestineze dhe çështjes së refugjatëve, u theksua nevoja për të mbrojtur dhe për të inkurajuar praninë e krishterë në rajon. Në këtë drejtim – vijon njoftimi i Vatikanit – u nënvizua nevoja për të vazhduar ruajtjen e status quo-së në Vendet e Shenjta në Jerusalem, vend takimi dhe simbol i bashkëjetesës paqësore, ku kultivohet respekti i ndërsjellë dhe dialogu”.

10 nëntor 2022, 16:11