Kërko

Papa Françesku dhe kushërira, Carla Rabezzana Papa Françesku dhe kushërira, Carla Rabezzana

Asti, kushërira pret Papën: do ta përqafoj e do t’i jap një “bunet”

Carla Rabezzana, kushërira e dytë e Jorge Mario Bergoglio-s, që mbushi 90 vjeç më 8 nëntor, do ta presë Atin e Shenjtë në shtëpinë e saj në Portacomaro të shtunën më 19 nëntor, ditë kushtuar takimeve private. Në mikrofonin tonë, kujton telefonatat me fraza në dialektin piemontez dhe tregon se bashkë me të afërmit e tjerë do të përgatisin një drekë me gatime tipike të traditës piemonteze. “Tortën e ditëlindjes do ta hamë të dielën, në tryezë me ipeshkvin"

R.SH. – Vatikan

 Po e pret Atin e Shenjtë, në apartamentin e Portacomaro-s, ku jeton që nga viti 2015, pasi ka mbetur e ve. Kushëriri Giorgio, siç e quajnë gjithë të afërmit në Asti Jorge Mario Bergoglio-n - Papa Françesku që nga 13 marsi 2013 - do të vijë në Piemonte për të festuar ditëlindjen e saj të 90-të, të cilën e pati më 8 nëntor. Carla Rabezzana është shumë e zënë. Po përgatit një drekë familjare për të shtunën 19 nëntor, me pesë kushërinjtë e tjerë dhe familjet e tyre, të cilët do të mbërrijnë nga Torino, Vaglierano dhe Tigliole, për Giorgio-n, djalin e Mario Bergoglio-s, kushëri i parë i nënës së saj Ines.

Një lidhje që daton gati 50 vjet më parë

Lidhja e tyre daton në vitin 1974, kur Jorge Mario, as 40-vjeçar, ishte meshtar dhe profesor jezuit: “Po shkonte në Frankfurt për arsye studimi”. Erdhi në Torino për të takuar “të afërmit, me të cilët i kishte mbajtur lidhjet”. Që atëherë, kur Át Bergoglio, më vonë kardinal, kthehej në Itali për të shkuar në Vatikan, "zakonisht një herë në vit", e vizitonte gjithmonë në Torino, ku Carla, e martuar me Angelo-n, me dy djem, e mbante si mik në shtëpi edhe për një javë rresht. "Shkonim bashkë edhe në meshë", kujton ajo. “Ka kohë që donte të kthehej në këto vende – u tha gazetarëve, të cilët pas njoftimit të vizitës së Papës Françesku në Asti, e kërkuan disa herë – ditëlindja ime është vetëm rasti”. Duhej të vinte që në marsin e vitit 2020, “kishim organizuar edhe drekën”, kujton sërish zonja Rabezzana, por plani u prish, për shkak të pandemisë. “Sepse ai – pohon ajo – është shumë i lidhur me këtë tokë”.

Zonja Karla, pas pak do të shihni kushëririn tuaj, “Giorgio” – siç e quani ju – që vjen t’ju festojë ditëlindjen. Çfarë do t’i thoni?

Çfarë do t’i them? Para së gjithash, do ta përqafoj, sepse nuk shihemi që prej tre vitesh, që nga fundi i 2019-ës, para pandemisë, kur pata shkuar bashkë me familjarët në Vatikan. E pastaj, do të bisedojmë, siç bëjmë me telefon, të paktën një herë në muaj, si kushërinj, që e duan njëri-tjetrin. Do ta pyes për gjurin, që tani i dhemb shumë. Më flet për këtë, kur dëgjohemi me telefon.

Çfarë ju thotë Papa kur telefonon? A i kujtoni kohët e Torinos, kur e prisnit në shtëpinë tuaj?

Shpesh, flasim edhe në gjuhën piemonteze, sepse ai është shumë i lidhur me këtë tokë, që e konsideron të vetën, jo vetëm të prindërve, prandaj e kupton shumë mirë dialektin, gjyshërit flisnin vetëm atë. Shpesh, më pyet “Si je?” në piemontisht e bën batuta të tjera në dialekt. Pastaj, më pyet për fëmijët, që jetojnë njëri në zonën torineze e tjetri, në provincën e Bergamos. Kujtojmë edhe burrin tim Angelo, që nuk është më mes nesh.

Çfarë do t’i përgatisni për drekë Papës Françesku? Ndonjë ëmbëlsirë? Dihet se i pëlqejnë shumë…

Për drekën e së shtunës, unë e kushërirat e tjera do të përgatisim pak mish rosto e shumë perime, sepse i ha jashtë mase, sidomos tani. Pastaj edhe “bunet”-in, pudingun me bazë kakao, tipik për kuzhinën piemonteze. Ndërsa tortën e ditëlindjes do ta hamë të dielën, në drekën me ipeshkvin, pas meshës.

A e dini sa kohë do të rrijë në shtëpinë tuaj, të shtunën?

Nuk e di, sepse pas “shtëpisë sime për pleq”, siç e quan ai duke bërë shaka, kur më telefonon, ndoshta, do të bëjë vizita të tjera, pasdite. Por nuk do të shkojë në shtëpinë e gjyshërve Giovanni Angelo dhe Rosa në Bricco Marmorito, fraksion i Portacomaro-s, sepse ka shkuar atje disa herë, edhe si kardinal.

17 nëntor 2022, 11:08