Shën Françesku, Papa: të ndjekim shembullin e tij të paqes. Kremtimet në Asizi
R.SH. – Vatikan
Kujtimi i pandemisë Covid-19, viktimat e saj që humbën jetën në vetmi dhe gjestet e dashurisë, që arriti të frymëzonte, nga njëra anë e, “ujku i tmerrshëm i luftës”, nga ana tjetër, ishin dy temat qendrore të homelisë së kardinalit Matteo Zuppi në kremtimin solemn të paradites së sotme në Asizi, me rastin e festës liturgjike të Shën Françeskut. I pranishëm, presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella. Kremtimet për nder të Varfanjakut të Asizit filluan dje me vigjilje lutjesh dhe vazhduan sot me një sërë veprimtarish, deri tek Mbrëmësorja.
Në një nga tweet-et e sotme, Papa Françesku shkruan: “Shën Françesku i Asizit, i cili ndihej vëlla me diellin, detin dhe erën, mbolli paqe kudo dhe eci përkrah të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve, të flakurve, të fundmëve. Le të ndjekim shembullin e tij!”. Fjalët e Atit të Shenjtë duken si një përmbledhje homelie për këtë ditë të shënuar për françeskanët e për gjithë besimtarët katolikë.
Përshëndetja dhe mirënjohja për Papën
Pas homelisë së kardinalit Zuppi, gjatë meshës në Asizi, presidenti i Italisë, Mattarella përshëndeti edhe Papën Françesku, “i pari që ka zgjedhur emrin e Varfanjakut të Asizit e që na ka dhënë një çelës për interpretimin e impenjimit në shoqëri, duke folur për ‘ekologjinë e gjithanshme’. Pikërisht kjo është sfida – nënvizoi Mattarella. – Ekulibri ambiental për t’u rivendosur; drejtësia shoqërore për t’u ndjekur, duke hedhur poshtë pengesat, që na imponojnë rrethanat”.
Duke kujtuar 800-vjetorin e ardhshëm të Shën Françeskut - vërtet do të kremtohet më 2026, por përgatitjet kanë filluar që në vitin 2021, edhe në nivelin institucional - presidenti italian përfundoi me fjalët: “Atë e shohim si një nga etërit e qytetërimit tonë, si një vizionar që plazmon realitetin, i aftë të na tregojë rrugën drejt së ardhmes, së cilës duam t’i qëndrojmë besnikë. Drejt së ardhmes më të mirë!”