Kërko

Papa, të ecim përkrah të rinjve, për t’u rizgjuar shpresën

Porositë e Françeskut drejtuar kapelanëve të shkollave të Zvicrës frëngjisht-folëse, pritur në audiencë: t’u flasësh fëmijëve për Jezu Krishtin, do të thotë “të përtërish diçka nga përvoja e dishepujve të Emmaus”

R.SH. - Vatikan

Vlera e shoqërimit të të rinjve, parë në perspektivën ekumenike, janë dy aspektet për të cilat Papa vlerësoi punën e kapelanëve të shkollave të Zvicrës frëngjishtfolëse, disa prej të cilëve i priti sot në audiencë. “Puna juaj kërkuese” - siç e përkufizoi Papa - “u jep shumë atyre, që e jetojnë me motivacion të fortë dhe me shpirt bujar”, ​​gjë që është e rëndësishme pikërisht për afrimin me realitetin rinor:

“Kjo është e çmuar, sepse nuk janë gjëra që i keni lexuar në libra: është fryti i lidhjes suaj të ngushtë me të rinjtë, duke i shoqëruar, duke i dëgjuar... E edhe duke i shoqëruar para Zotit, në lutje. Pikërisht aty, në heshtje, riduken fytyrat, historitë, buzëqeshjet, lotët, ëndrrat... Aty gjeni edhe vrullin e brendshëm, sepse një punë si juaja thith shumë energji dhe mund ta shterojë shpirtin, nëse nuk e ka ‘limfën” e Zotit, që e rimbush”.

Shikimi i Sinodit

Françesku më pas u ndalua edhe tek puna e Sinodit për dhe me të rinjtë katër vjet më parë, duke kujtuar dhe frytet e saj, për t’u treguar kapelanëve sesi, falë qëndrimit të tyre pranë të rinjve, mundën “në njëfarë kuptimi, të shkruanin faqe të reja të Letrës ‘Nxitja Apostolike Christus vivit’, dalë nga ai Sinod”:

“Sa herë që njëri prej jush afrohet me dy a tre të rinj përudhë, i dëgjon, dëgjon zhgënjimet, dështimet, dyshimet që kanë në shpirt dhe më pas u flet për Jezu Krishtin, duke zgjuar shpresën në zemrat e tyre, atje përtërihet diçka nga përvoja e dishepujve të Emmausit. Nuk varet nga aftësia juaj: është Krishti i gjallë që kalon, është Shpirti i tij që vepron; por është e rëndësishme që ju jeni aty, prania juaj pranë tyre është e nevojshme”.

Vlera e ekumenizmit

Aspekti i dytë, por jo i fundit, është ai ekumenik, pasi të jesh katolik a protestant e të punosh së bashku, për kapelanët do të thotë të japin “dëshmi të mirë, që mund ta ndihmojnë Kishën të shkojë drejt unitetit gjithnjë e më të plotë, më në përkim me vullnetin e Krishtit Zot”.

07 tetor 2022, 15:21