Kërko

Rruzarja e fëmijëve Rruzarja e fëmijëve

Papa: t’ia besojmë Zojës popujt nën luftë e mjerim

Në një tweet nga faqja e tij @Pontifex, Papa Françesku kërkon të bashkohemi në lutje për Ukrainën dhe për vendet e tjera, ku ndodhin përditë tragjedi, së bashku me një milion fëmijë, që sot, marrin pjesë në nismën “Rruzarja për paqen në botë”. E organizuar nga Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, përfshin vogëlushët e kopshteve, të famullive, të shkollave dhe familjet në pesë kontinentet

R.SH. – Vatikan

Tronditemi nga lufta në Ukrainë, por konflikte të përgjashme ka edhe në Jemen, Siri, Libi, Mianmar, në vendet e Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, "ku mbretëron dhuna dhe mjerimi". Përmes një tweet-i, Papa Françesku kërkon të bashkohemi në lutje për këto popullsi, së bashku me miliona fëmijë, që sot thonë Rruzaren për paqen në botë. Në një postim në Twitter, në faqen @Pontifex në nëntë gjuhë, Ati i Shenjtë përmend nismën e përvitshme të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”:

#TëlutemiSëbashku me fëmijët e gjithë kontinenteve, të cilët sot thonë Rruzaren për paqen në botë. T’ia besojmë ndërhyrjes së Zojës popullin e martirizuar ukrainas dhe popullsitë e tjera aty ku mbretërojnë lufta, dhuna dhe mjerimi. #1millionchildrenpraying

Shkolla, familje, famulli nga e gjithë bota

Në fushatën e Fondacionit papnor marrin pjesë fëmijë nga famulli, kopshte, shkolla, si edhe familjet, të cilave u jepet një udhëzues për mënyrën si të thonë së bashku Rruzaren, me meditime të shkurtra mbi Misteret e Rruzares dhe me materiale të tjera në 26 gjuhë të ndryshme - të gjitha në internet - së bashku me vizatime për t'u ngjyrosur. Qëllimi i nismës, shpjegon në një deklaratë presidenti i Fondacionit, kardinali Mauro Piacenza, "është paqja dhe uniteti në të gjithë botën, duke inkurajuar fëmijët dhe të rinjtë që të besojnë te Zoti në kohë të vështira". Tema e zgjedhur është "Dashuria e Atit për botën". “Duke parë rreth nesh luftërat dhe ligësinë, persekutimet, sëmundjet dhe frikën, që rëndojnë mbi botë, njerëzit mund të pyesin: A është me të vërtetë Zoti, që kontrollon gjithçka? Po, kontrollon, por edhe ne duhet t'i shtrijmë duart drejt tij dhe të kapemi pas tij", nënvizon kardinali Piacenza.

Të lidhur nga pesë kontinentet

Që nga viti 2005, me grupin e parë të fëmijëve të mbledhur në një shenjtërore në Karakas, Fondacioni e organizon lutjen çdo vit për vendet e prekura nga tragjedi. Këtë vit, nisma - transmetuar drejtpërdrejt nga Fatima - duket se ndiqet globalisht: nga vetë Ukraina, ku Kisha greko-katolike i ka përkthyer tekstet në gjuhën vendase dhe do të organizojë Rruzaren në gjithë territorin, në Argjentinë, ku fëmijët nuk mblidhen vetëm për një ditë, por kanë vendosur të bëjnë një nëntëditëshe të tërë. Nga Kenia, ku 45 shkolla kanë siguruar 'praninë' e tyre shpirtërore, në Nigerinë e rrënuar nga përmbytjet, ku 60 kisha dhe shkolla, në dioqeza të ndryshme, do të thonë Rruzaren në të njëjtën kohë.

18 tetor 2022, 16:16