Kërko

2022.10.27 Sacerdoti, Religiosi e Religiose del Madagascar residenti in Roma 2022.10.27 Sacerdoti, Religiosi e Religiose del Madagascar residenti in Roma

Papa priftërinjve të Madagaskarit: sillni farën e unitetit në shoqëri

Duke takuar anëtarët e Këshillit të Unionit të meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve të Madagaskarit, që janë rezident në Romë, Papa nënvizon se në këtë kohë, të shënuar nga "virusi i egoizmit" që kërcënon "bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve", përvoja e jetës së shuguruar për Krishtin "është provë se jeta mund të jetohet ndryshe në dritën e Ungjillit"

R.SH. - Vatikan

Frytet e misionit “varen edhe nga uniteti” që duhet kultivuar me bashkëvëllezërit dhe me ipeshkvijtë. Në këtë muaj të tetorit kushtuar misioneve, Papa Françesku vuri në dukje, para anëtarëve të Këshillit të Unionit të meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltarëve të  Madagaskarit që kanë zgjedhur jetën e përkushtuar, një veçori thelbësore në udhën që duhet përshkuar për të shpallur Ungjillin: uniteti është "një dëshmi që jeni të ftuar t'ia sillni shoqërisë sonë", thekson Papa në takimin e mbajtur  në Sallën  Klementine, në Vatikan, me drejtuesit e Këshillit të Unionit të meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve të Madagaskarit, që banojnë në Romë. "Prania juaj sot, ndërsa ipeshkvijtë tuaj janë në vizitën e tyre ‘ad limina apostolorum’, është shprehja e bashkimit tuaj në lutje me udhëtimin shpirtëror që ata bëjnë pranë varreve të apostujve Pjetër e Pal"  në Selinë e Shenjtë.

Jetët jetuar në dritën e Ungjillit

Uniteti nuk mund të shkëputet nga bashkimi, nga pajtimi. “Bota jonë – shton Papa, duke i bërë jehonë fjalëve që pati thënë gjatë audiencës së përgjithshme të 25 shtatorit 2013 – ka nevojë për unitet, është një epokë në të cilën ne të gjithë kemi nevojë për unitet, kemi nevojë për pajtim, bashkim dhe Kisha është shtëpi bashkimi”.

Sot, në shoqëritë tona, e për fat të keq ndonjëherë edhe në Kishë, jemi dëshmitarë të kërkimit të interesave personale. Ky qëndrim, ky “virus i egoizmit”, e kërcënon bashkëjetesën paqësore ndërmjet  popujve, si edhe ndërmjet bijve e bijave të të njëjtit vend. Përballë kësaj situate, përvoja juaj personale dhe komunitare e përkushtimit ndaj Krishtit është provë se jeta mund të jetohet ndryshe në dritën e Ungjillit, që jep gëzim të vërtetë.

Formoni një "familje të madhe shpirtërore"

Papa Françesku i nxiti meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret e vendit afrikan që të bëhen "shenja shprese për Madagaskarin".

Prandaj ju inkurajoj që të ecni gjithmonë së bashku dhe ta bëni praninë tuaj këtu në Romë një rast të çmuar, që  ju mundëson të pasurohuni dhe ripërtërini fenë tuaj në gjurmët e figurave të mëdha të shenjtorëve që ju paraprinë këtu. Ju bëj thirrje që të formoni popullin e Zotit si një familje të madhe shpirtërore, brenda së cilës të respektojmë, duam dhe mbështesim njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë ju do të bëheni shenja shprese për Kishat tuaja të veçanta dhe për Madagaskarin, të cilat presin shumë nga ju.

Së fundi, Papa ia besoi Virgjrës Mari "të gjithë e çdonjërin": "Ajo ju ndihmoftë që të ruani me besnikëri identitetin tënd si priftërinj, rregulltarë dhe rregulltare në mesin e ndryshimeve të kësaj kohe. Zoja Bekuar ndërmjetësoftë për ju, që të jeni gjithmonë të hapur dhe bujarë ndaj vëllezërve e motrave tuaja, veçanërisht ndaj atyre që po kalojnë kohë të vështira”.

27 tetor 2022, 12:33