Kërko

Papa, në takimin me pjesëmarrësit e shtegtimit të organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e El Salvadorit Papa, në takimin me pjesëmarrësit e shtegtimit të organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e El Salvadorit

Papa: Kisha të denoncojë të keqen, jo në mënyrë politike, por ungjillore

Identifikimi me pasionin e martirëve është rrugëtimi shpirtëror, që të bën të aftë për të denoncuar padrejtësitë e pësuara nga populli. Ky, mendimi i Papës në takimin me pjesëmarrësit e shtegtimit të organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e El Salvadorit, me rastin e lumnimit të Rutilio Grande dhe shokëve të tij, si edhe të Át Cosma Spessotto

R.SH. – Vatikan

Një zë kundër së keqes: për Papën Françesku, kjo është udha shpirtërore e Kishës kur ndeshet me padrejtësi. Zë profetik dhe ungjillor, që nuk vjen thjesht nga fjalët që thotë – “të cilat nuk mjaftojnë” - por nga dëshmitë e martirëve. Ati i Shenjtë u takua sot me shtegtarët, që erdhën në Vatikan për ta falënderuar pasi në El Salvador, më 22 janar, u shpallën të Lumë martirët Rutilio Grande García, jezuit i vrarë më 12 mars 1977 së bashku me laikët Manuel Solórzano dhe Nelson Rutilio Lemus, dhe françeskani Cosma Spessotto, vrarë gjatë Luftës Civile të El Salvadorit, në vitin 1980.

“Mesazhi i këtyre martirëve – shpjegoi Papa – na kërkon të identifikohemi me pasionin e tyre”, që është përqafimi i Kryqit.

“E ky projekt rrugëtimi, udhe shpirtërore, lutjeje, lufte, nganjëherë, duhet të marrë formën e denoncimit, të protestës, jo politike, kurrë, gjithmonë ungjillore. Për sa kohë ka padrejtësi, për sa kohë kërkesat e drejta të njerëzve nuk dëgjohen, për sa kohë në një vend ka shenja mospjekurie në rrugën e arritjes së plotësisë në gjirin e Popullit të Zotit, zëri ynë duhet të ngrihet kundër së keqes, kundër vakësisë në Kishë, kundër gjithçkaje, që na largon nga dinjiteti njerëzor dhe nga predikimi i Ungjillit”.

Me të mënjanuarit

Papa Françesku thekson se “kryqi i Jezusit është kryqi i të gjithëve, kryqi i Kishës si Korp i Krishtit, që e ndjek atë deri në flijim”. Papa nxit të mos harrohen më të ligështit, më të mënjanuarit.

“Ta inkurajojmë njëri-tjetrin, të mendojmë njerëzit në vështirësi në gjirin e popullit: më të varfërit, të burgosurit, ata që nuk kanë me çfarë të jetojnë, të sëmurët, të braktisurit. Dhe të falënderojmë Zotin që mund të ecim me forcën e fesë për t'i shërbyer popullit”.

Dhuratë falas

“Martirët – nënvizoi Papa – janë dhuratë falas e Zotit, dhurata më e çmuar që Zoti mund t’i bëjë Kishës së tij, pasi në ta aktualizohet dashuria më e madhe, që na dëshmoi Jezusi në kryq”. Ata janë dhuratë edhe për Kishën, për shtegtarët, janë drita, që duhen ndjekur:

“…sepse problemet nuk kanë mbaruar, lufta për drejtësi dhe për dashurinë ndaj popujve vazhdon. Për të luftuar nuk mjaftojnë fjalët, nuk mjaftojnë doktrinat, që janë të nevojshme, por nuk mjaftojnë; duhen dëshmitë dhe këtë rrugë duhet të ndjekim. Prandaj them se janë dhuratë për jetën tonë”.

14 tetor 2022, 16:26