Kërko

Papa: Kisha është universale, jo uniforme, tё respektohen veçoritë e secilit

Video mesazh i Papёs Françeskut drejtuar anëtarëve të Federatës së Konferencave Episkopale të Azisë, me rastin e takimit të tyre në Bangkok nga 12 deri mё 30 tetor: "Laikët marrin përsipër Pagëzimin e tyre, funksionin e tyre"

R.SH. - Vatikan

Një kujtim për të rinjtë e Azisë së viteve 1970, asokohe "idealistë, të vetëdijshëm, të impenjuar, tё padurueshëm dhe të paqetë"; një mendim për laikët e sotëm, që ata "të marrin përsipër pagëzimin e tyre, funksionin e tyre si laikë, dhe respektimi i veçorive tё secilës prej Kishave". Kështu Papa Françesku përshëndet në një videomesazh pjesëmarrësit e takimit të Federatës së Konferencave Episkopale të Azisë, në Bangkok nga 12-30 tetor, nё tё cilin marrin pjesё  200 delegatё nga 29 vende tё ndryshme. Takimi vazhdon që nga viti 1970, vit në të cilin - kujton Ati i Shenjtё Françesku – Papa Shën Pali VI vizitoi kontinentin e madh, duke takuar "masa të mëdha" besimtarёsh e qytetarёsh.

Shumica ishin të rinj dhe Azia njihej si shtëpia e kulturave dhe feve të ndryshme.

Kisha e të varfërve dhe të rinjve

Këto “masa”, thotë Papa në video mesazh, “po zgjohen nga fatalizmi në një jetë të denjë për njeriun”. Edhe të rinjtë "po janё duke u zgjuar": "Shoqëritë me larmi kulturore janё duke u zgjuar për t'u bërë një bashkësi e vërtetë popujsh".

Kjo do të thoshte se Kisha në Azi thirrej të ishte më autentike, njё Kishё e të varfërve, njё Kishё e të rinjve dhe një Kishë në dialog me shokët aziatikë të besimeve të tjera.

Vëllazërim dhe shkëmbim idesh

Papa thotë se e shoqëron dhe inkurajon takimin e Bangkokut, një "punë vëllazërimi dhe shkëmbimi idesh". “Është e rëndësishme – thekson Ati i Shenjtё – që konferencat rajonale tё ipeshkvijve të takohen me një farë frekuentimi e përkushtimi, duke bërë që Kisha e cila po formohet, tё përforcohet gjatë rrugëtimit”.

Në thelb ekziston një pyetje "themelore": "Çfarë u thotë Shpirti Shenjt Kishave në Azi? Dhe pikёrisht kёsaj pyetjeje ju duhet t’i përgjigjeni".

Inkurajimi laikëve

“Ecni përpara”, është inkurajimi i Papa Françeskut, duke i nxitur laikët të gjejnë rolin e tyre në Kishë  dhe t'i marrin përgjegjësitë, në saje të Pagëzimit, duke respektuar gjithmonë veçoritë e secilit.

Sepse Kisha universale nuk është Kishё uniforme, jo, ajo është universale, nё respektimin e veçorive dhe origjinalitetit të secilës Kishë

Programi i takimit

Konferenca e përgjithshme e Federatës së Konferencave Episkopale të Azisë (FABC) hapet sot pasdite në Bangkok me një Meshë, e ndjekur nga ceremonia e hapjes. Në ditët në vijim, nga data 13 deri më 15 tetor, do të mbahen takime në të cilat secili ipeshkëv do të mund të flasë për vendin e tij dhe shqetësimet e tij. Për këtë arsye takimet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, për të lejuar që çdo prelat të flasë lirshëm. Një deklaratë për shtyp do të hartohet në pёrfundim të tre ditëve. Konferenca do të vazhdojë me kremtime dhe takime të tjera, një kushtuar realiteteve të reja të Kishës në Azi dhe takimit me anёtarёt e lёvizjes kishtare tё Fokolarinve.

Më 23 tetor, të gjithë ipeshkvijtë do të kremtojnë Eukaristinë e sё Dielёs Misionare Botërore dhe do të vizitojnë "sipas mundësive" disa famulli kishtare të Azisё. Ditët e 24 dhe 25 tetorit do t'i kushtohen një reflektimi mbi temën "Të gjejmë shtigje të reja për Kishën në Azi". Edhe një herë kjo pjesë e programit nuk do të jetë e hapur për publikun. Pjesëmarrësit, më 26 tetor, do të shkojnë në shtegtim në Ayutthaya, një qytet rreth 80 km në veri të kryeqytetit tajlandez, ish-kryeqyteti i Mbretërisë së Siamit si dhe njё vend arkeologjik ku ruhen pallate, tempuj, statuja, manastire. Në përfundim të konferencës, hartimi i një dokumenti përfundimtar dhe Mesha përmbyllëse në Kishёn katedrale tё Bangkokut.

12 tetor 2022, 18:06