Kërko

Papa CL: don Giussani mësues i Kishës, më shoqëroni në profecinё pёr paqe

Papa takon, në Sheshin e Shën Pjetrit, anëtarët e lëvizjes kishtare ‘Comunione e Liberazione’(‘Bashkim e Çlirim’), nga Italia e bota, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së themeluesit, Shërbëtorit të Zotit don Luigi Giussani dhe i fton tё punojnё qё karizma e tij si edukator dhe bir i Kishës të japë fryte sot: “Shpresoj shumë nga ju. Mos e humbni kohën tuaj të çmuar në diskutime, mosmarrëveshje dhe kundërshtime”.

R.SH. - Vatikan

Sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, audienca e Papёs me anëtarët e lëvizjes kishtare ‘Comunione e Liberazione’(‘Bashkim e Çlirim’), ardhur nga Italia e nga bota, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së themeluesit, Shërbëtorit të Zotit don Luigi Giussani. Papa Françesku i ftoi tё punojnё qё karizma e tij si edukator dhe bir i Kishës të japë fryte sot: “Shpresoj shumë nga ju. Mos e humbni kohën tuaj të çmuar në muhabete, mosmarrëveshje dhe kundërshtime”.

Një festë, më shumë se një audiencë, ajo qё sot u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit, paraprirë nga këngë, lutje dhe dëshmi – si ajo e Hasinës dhe Rozës – në praninë e rreth 60 mijë anëtarëve tё lëvizjes kishtare ‘Comunione e Liberazione’, veçanërisht të rinjve, të cilët që në orët e para të mëngjesit, tё pajisur me çanta shpine dhe flamuj, i mbushur në rrugët përreth Shёn Pjetrit.

"Ju ftoj të më shoqëroni në profecinë për paqe, nё emёr tё Krishtit, Zot i paqes. Bota gjithnjë e më e dhunshme dhe luftëtare më frikëson; në profecinë që tregon praninë e Zotit tek të varfërit, te ata që janë të braktisur e të pambrojtur, të dënuar ose të lënë mënjanë në ndërtimin shoqëror; në profecinë që shpall praninë e Zotit në çdo komb dhe kulturë, duke përmbushur aspiratat e dashurisë dhe të së vërtetës, tё drejtësisë dhe lumturisë që i përkasin zemrës së njeriut dhe që rrahin fuqishëm në jetën e popujve. U digjeshin zemrat tuaja nga shqetësimi i shenjt profetik e misionar”. Kështu tha Papa Françesku, në sheshin e Shën Pjetrit  nё Vatikan, gjatё takimit tё sotёm me anëtarët e Lëvizjes kishtare ‘Comunione e Liberazione’(‘Bashkim e Çlirim’), me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së themeluesit, Shërbëtorit të Zotit don Luigi Giussani.

"Jemi mbledhur për të përkujtuar njëqindvjetorin e lindjes së monsignor Luigi Giussani. E bëjmë kёtё me mirënjohje në zemrat tona". Kështu pohoi Papa Françesku, duke takura sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, anëtarët e lëvizjes kishtare ‘Comunione e Liberazione’(‘Bashkim e Çlirim’) me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Themeluesit, Shërbëtorit të Zotit don Giussani.

“Shpreh mirënjohjen time personale për të mirat që më ka bërë, si meshtar, meditimi i disa librave të don Giussanit; dhe e bëj këtë edhe si Bari Universal i Kishёs, shpreh mirënjohjen për gjithçka që ai ka ditur të mbjellë dhe rrezatojë kudo për tё mirёn e Kishës - pohoi Ati i Shenjtё Bergoglio - Dhe si mund të mos e kujtojnë atë me mirënjohje prekëse ata që kanë qenë miqtë e tij, bijtë dhe dishepujt e tij? Falë atësisë së tij priftërore të pasionuar në komunikimin me Krishtin, ata janë rritur në fe si një dhuratë që i jep kuptim, gjerësi njerëzore dhe shpresë jetës”. “Don Giussani ishte atё dhe mësues, ishte shërbëtor i të gjitha anktheve dhe situatave njerëzore që takoi në pasionin e tij si edukues e misionar.

Kisha e vlerëson gjenialitetin e tij pedagogjik dhe teologjik, të shpalosur duke u nisur nga kjo karizëm që i është dhënë nga Shpirti Shenjt për dobinë e përbashkët. Nuk është thjesht nostalgjia që na shtyn të kremtojmë këtë njëqindvjetor, por kujtimi mirënjohës i pranisë së tij: jo vetëm në biografitë tona dhe në zemrat tona, por në bashkimin e shenjtorëve, prej nga ai ndërmjetëson për të gjithë”, shtoi Papa.

15 tetor 2022, 14:40