Papa, artistëve të Christmas Contest: mos kopjoni “yjet”, këndoni Krishtlindjen e vërtetë
R.SH. – Vatikan
“Mos u mundoni të kopjoni ‘yjet’ e mëdhenj të spektaklit. Mos ndiqni modat dhe skemat e suksesit. Mos përsëritni klishetë e një Krishtlindjeje të rreme dhe të velët, që nuk ka të bëjë fare me lindjen e Jezusit në Betlehem dhe me rëndësinë e tij për njerëzimin e sotëm”. Papa Françesku iu drejtua me këto fjalë pjesëmarrësve në “Christmas Contest” (Konkursi i Krishtlindjes), një konkurs për krijimin e motiveve origjinale për t’iu shtuar këngëve klasike të Krishtlindjes, të njohura në mbarë botën.
“Mos kini frikë të jeni vetvetja”, vazhdoi Papa, duke shtuar pa letër: “A do t’ju kritikojnë? Po, por vazhdoni të jeni vetvetja: origjinalë, krijues. Personaliteti juaj është në art”.
Në bazën e veprave të jetë mahnitja, thjeshtësia, jo banaliteti
“Sigurohuni – u theksoi Françesku pjesëmarrësve nën 35 vjeç të konkursit, organizuar nga Fondacioni Papnor Gravissimum Educationis - që në bazën e veprave tuaja të jetë mahnitja. E kemi humbur ndjenjën e mahnitjes dhe duhet ta kthejmë atë. Në bazë të jetë mahnitja, mahnitja para së pamendueshmes: një Zot që mishërohet, që bëhet fëmijë i pambrojtur, lindur nga një Virgjër në një shpellë, duke pasur një grazhd për djep, si kafshët. Mahnitja! - nënvizoi Ati i Shenjtë - Nëse nuk e ndien mahnitjen, kënga nuk i flet zemrës, nuk komunikon... Përveç mahnitjes, një përmasë tjetër e domosdoshme është thjeshtësia. Kujdes: thjeshtësia, jo banaliteti! Thjeshtësia është diçka krejt tjetër. Skena e Lindjes, Betlehemi, është i thjeshtë, por jo i parëndësishëm. Këngët e Shën Alfonsit [Maria de Liguori], si ‘Ti ulesh prej Parrizit’, janë të thjeshta, por të bukura, plot kuptim dhe vazhdojnë të na mallëngjejnë dhe ta ushqejnë fenë e popullit të Zotit”.
“E kjo – pohoi Papa, duke e lënë letrat mënjanë - nuk është sentimentalizëm, eh...”, “gjithçka që vjen nga shpirti është autentike. Me këtë stil krijues mahnitjeje dhe thjeshtësie, mund të jepni kontributin tuaj për çështjen e paqes, e cila është dhurata e madhe, që Zoti deshi t’i jepte botës me lindjen e Birit të tij”.
Bukuria e muzikës kundër kërcënimit të luftës
Krishtlindja e festuar me mahnitje e thjeshtësi është ilaç kundër kërcënimit të luftës, e cila, përsëriti Françesku, po gjëmon gjithnjë e më tepër edhe në Evropë e në botë. “Të mos biem në këtë kurth! – kjo, thirrja përfundimtare e Atit të Shenjtë për të rinjtë - Të vazhdojmë ta ëndërrojmë paqen dhe të punojmë për paqen, duke mbjellë farat e vëllazërimit dhe të miqësisë shoqërore. Dora e shtrirë: gjithmonë dora e shtrirë. Ju e bëni këtë me muzikë” dhe kjo “është gjë tejet e çmuar, sepse muzika është gjuhë universale”, me “vlerë të paçmuar edukative”, që humanizon. “Sa nevojë kemi sot për t’u bërë më njerëzorë!”.