Kërko

Ndjeti i lutjes së Papës për tetorin i kushtohet Sinodit: “të dëgjohet protagonisti, që është Shpirti Shenjt”

Në videon për ndjetin e lutjes së tetorit, Papa Françesku e fton Kishën t’i dëgjojë me vëmendje grupet e ndryshme brenda saj dhe t’u hapë dyert atyre, që janë jashtë saj. Pas vitit të parë të udhës sinodale, duke përuruar etapën e dytë, atë kontinentale, Ati i Shenjtë kujton se Sinodi “nuk është sondazh”: “nuk është fjala për të mbledhur opinione, as për të krijuar ndonjë parlament”, por për ta dëgjuar vërtet njëri-tjetrin

R.SH. – Vatikan

“Të lutemi që Kisha, me besnikëri ndaj Ungjillit dhe me guxim në kumtimin e tij, ta jetojë gjithnjë e më shumë sinodalitetin dhe të jetë vend solidariteti, vëllazërimi e mikpritjeje”.

 Muaj i ri, ndjet i ri i Papës Françesku, i cili në tetor, u kërkon besimtarëve të luten për Sinodin. Videoja e Atit të Shenjtë publikohet sot, në fillim të një etape të rëndësishme për udhën sinodale, e cila nisi në vitin 2021 e do të përfundojë më 2023. Gjatë vitit të parë, Kishat e veçanta, Konferencat Ipeshkvnore dhe realitetet e tjera kishtare reflektuan mbi bazën e Dokumentit Përgatitor dërguar nga Vatikani, ndërsa tani, me ndjetin e tetorit, Papa përuron etapën e dytë, atë kontinentale, gjatë së cilës besimtarët do të dialogojnë e meditojnë mbi Kishën që duan, në nivelin rajonal.

Sinodi “nuk është sondazh”

Në video, Françesku u kujton se Sinodi “nuk është sondazh”, pra, “nuk është fjala për të mbledhur opinione, as për të krijuar ndonjë parlament”, por “për ta dëgjuar njëri-tjetrin, duke i pranuar ndryshimet” e sidomos, “duke dëgjuar protagonistin, që është Shpirti Shenjt”. Papa sqaron se Sinod do të thotë të dëgjojmë me vëmendje, të mësojmë si të flasim me tjetrin, edhe me atë që, aktualisht, ka një këmbë brenda e një këmbë jashtë Kishës, ose është larg saj. Duhet kërkuar “afërsia, që është stili i Zotit”, nënvizon Ati i Shenjtë.

Kisha e mijëvjeçarit të tretë

Sipas Françeskut, Zoti pret nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë të ecë e gjitha së bashku në të njëjtin drejtim, me vetëdijen se është popull për udhë e se kjo udhë duhet përshkuar me të gjithë njerëzit. Ashtu siç thotë vetë fjala “Sinod”, që Ati i Shenjtë e shpjegon nga greqishtja “të ecim së bashku”. Kisha me këtë stil sinodal është Kishë, që dëgjon vërtet, ua vë veshin njerëzve, duke u frymëzuar edhe nga ç’dëshiron Shpirti Shenjt prej saj e duke u lutur shumë. “Pa lutje nuk do të ketë Sinod”, nënvizon Papa në video. E pikërisht, para se t’i kërkojë lutje për një Kishë sinodale, Françesku e falënderon Popullin e Hyjit, që përshkon bashkë me klerin udhën sinodale, përmes dëgjimit të vëmendshëm.

Bashkim, pjesëmarrje e mision

Sinodi 2021-2023 filloi në tetor të vitit të kaluar me temën “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision”. Këtë muaj nis etapa e dytë e tij, ajo kontinentale, e cila do të ketë parasysh të gjitha rezultatet e dëgjimit e të diskutimit në çdo dioqezë të botës për udhën që duhet të përshkojë Kisha Katolike. Pas meditimit mbi frytet e etapës së parë, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit po harton një Dokument, që do të shërbejë për asambletë kontinentale. Procesi pra, nuk përfundon me etapën dioqezane, por as me atë kontinentale e me kremtimin e Asamblesë së Sinodit të Ipeshkvijve, vitin e tretë. Janë ngjarje që integrohen në dinamizmin e vazhdueshëm të kthesës sinodale të Kishës. E në këtë dialog – siç shpjegoi Ati i Shenjtë në 50-vjetorin e themelimit të Sinodit – “secili ka diçka për të mësuar. Populli besimtar, Kolegji ipeshkvnor, Ipeshkvi i Romës: njëri në dëgjim të tjetrit e, të gjithë në dëgjim të Shpirtit Shenjt”.

03 tetor 2022, 16:05