Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

“Jua kërkoj në emër të Zotit”, thirrja e Papës në mes të stuhisë

Doli në Itali një libër i Papës Françesku me mendime e thirrje për pajtimin në botë, në këtë fazë dramatike të jetës ndërkombëtare. Botuar nga Piemme, nën kujdesin e gazetarit argjentinas Hernán Reyes Alcaide, ai vë në dukje se për të kuptuar si duhet arritur paqja, duhet pyetur fillimisht çfarë fshihet pas mungesës së saj

R.SH. – Vatikan

Një libër, ku mblidhen thirrjet e Papës Françesku për arritjen e paqes e të pajtimit në botë, përmes dialogut, respektit dhe besimit, në një kohë kur mbijetesa e njerëzimit është në rrezik. Kjo është natyra e vëllimit me titull “Jua kërkoj në emër të Zotit. Dhjetë lutje për një të ardhme me shpresë”, për të cilin është kujdesur gazetari argjentinas Hernàn Reyes Alcaide, korrespondent i agjencisë Télam në Romë. Dalë në libraritë italiane, botuar nga Piemme, libri përfshin thirrjet e Atit të Shenjtë dhe shqetësimet e tij kryesore si përhapja e industrisë së armëve, roli i organizatave ndërkombëtare, ose promovimi i grave në shoqëri.

Pasuria e fjalorit të Françeskut

Siç deklaron vetë Reyes Alcaide për Vatican News, ai u frymëzua nga videomesazhi i Papës Bergoglio për lëvizjet popullore, publikuar më 16 tetor 2021, kur, pasi shqyrtoi situatën botërore nën pandemi, Ati i Shenjtë bëri një sërë thirrjesh, duke filluar me shprehjen “Jua kërkoj në emër të Zotit”. Gazetari flet për përshtypjen, që i ka bërë ndërtimi poetik i frazave nga ana e Françeskut, gjë jo e re kjo, nënvizon ai, duke shpjeguar se kemi të bëjmë me një tipar karakteristik të “shprehjes së pasur” të Papës, dëshmuar edhe në shumë fjalime të tjera. Mjafton të përmenden, për shembull, ato për Kurien Romake, me rastin e urimeve të Krishtlindjes. “Bashkë me sfondin tejet interesant – vëren gazetari – zakonisht Papa kombinon edhe formën e bukur”.

Thirrjet për paqen

Reyes Alcaide deshi të thellohej më tej në formën e përdorur nga Papa, prandaj, mendoi t’i mblidhte këto thirrje në një libër, të cilin ia paraqiti vetë Atit të Shenjtë për miratim. Teksti, i cili doli në librari disa muaj pas 10-vjetorit të papnisë së Françeskut, i bën edhe më shumë jehonë thirrjeve të tij për paqen, jo vetëm atyre, që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë, por edhe fjalëve të së kaluarës, si thirrja në Engjëllin e Tënzot të 1 shtatorit 2013, kur Ati i Shenjtë shprehu vuajtjen dhe shqetësimin për luftën në Siri, duke i dhënë zë “britmës, që lartohet nga çdo anë e tokës, nga çdo popull, nga zemra e secilit, nga e vetmja familje e madhe që është njerëzimi, me ankth gjithnjë e më të madh: është britma për paqen!”.

Zëri i Papës në stuhi

“E keqja e luftës - thekson gazetari - do të ekzistojë gjithmonë për sa kohë që tregtia e armëve do të vijojë të jetë e lirë dhe të lejohet në botë”. Në këtë çast historik, fjalët e Papës duken si “e vetmja britmë e dëshpëruar”, që kërkon zgjidhje të menjëhershme për një paqe të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, e cila të mos shndërrohet - paralajmëron Reyes Alcaide, duke cituar një proverb argjentinas – në “bukë për sot e uri për nesër”. Si në temën e paqes, ashtu edhe në dhjetë kërkesat për lutje, paraqitur në libër, gazetari vëren se “është e pamundur të mos shihet vazhdimësia ndërmjet Papës Françesku dhe paraardhësve të tij nga njëra anë dhe Doktrinës Shoqërore të Kishës, nga ana tjetër”. “Papa Françesku, i cili e përsërit vazhdimisht nevojën për paqe, – përfundon gazetari – është zë i qartë në mesin e stuhisë, sepse një nga pasuritë e mëdha të thirrjes për paqen është pyetja se çfarë fshihet pas mungesës së saj”.

20 tetor 2022, 12:40