Kërko

Papa Françesku me anëtarët e Bashkesisë Kufiri Papa Françesku me anëtarët e Bashkesisë Kufiri 

Françesku: të veprohet në kufij, si don Puglisi dhe Shën Françesku

Të jetohet Ungjilli e të vendoset Krishti i Ringjallur në qendër, për të ndihmuar të rinjtë me probleme të dalin nga humnera ku janë zhytur. Këtë ftesë u bëri Papa rreth 250 anëtarëve të “Bashkësisë Kufiri”, pritur sot paradite në Vatikan. Kjo organizatë punon në jug të Italisë për parandalimin e kriminalizimit të rinisë

R.SH. – Vatikan

“Kufiri”, fjalë që mund të kthehet shpesh në parrullë të modës, por që shpreh shumë realitete. Papa Françesku ua shpjegoi sot anëtarëve të Bashkësisë Kufiri, që ndihmon fëmijët dhe të rinjtë problematikë në jug të Italisë. Punoni në kufi, në periferi, ashtu siç bëri don Pino Puglisi, i vrarë nga mafia, dhe Shën Françesku. Kështu i këshilloi Ati i Shenjtë, për të cilin periferitë ekzistenciale janë një nga boshtet e reflektimit të papnisë së tij.

Një çast nga audienca
Një çast nga audienca

Stili ungjillor

“Kufiri – pohoi Papa – është në stilin e Jezu Krishtit, i cili megjithëse Zot, erdhi ndër ne, dele të humbura, të shpërndara e pa shpresë. Kufiri është në stilin e Shën Françeskut, që, si Jezusi, u zhvesh nga pasuria dhe u bë lypsar, për ta lënë krejtësisht veten në dorën e Provanisë së Atit Qiellor, duke ndarë kështu jetesën me të vegjlit, të fundmit, me atë që lyp bukën, por edhe e sidomos me atë që lyp dashuri”.

“Kufiri – vërejti Ati i Shenjtë – është në stilin e don Pino Puglisi-t, që u bë baba për të rinjtë e famullisë së tij në Brancaccio, shkoi t’i takojë në rrugë për t’i hequr nga rruga, i edukoi t’i shërbejnë Zotit dhe të afërmit e jo interesave të tyre e interesave të mafiozëve”.

Një çast nga audienca
Një çast nga audienca

Jezusi në qendër

Stili ungjillor i “kufirit”, vazhdoi Papa, mbruhet me afërsi, ëmbëlsi, dhembshuri. E këtë e tregojnë historitë e rreth 100 fëmijëve e të rinjve, që ndihmohen nga bashkësia, e cila vepron kryesisht në Enna e në Bari, ku ka marrë jetë i ashtuquajturi “Qytet i të Rinjve”, projekt i njohur edhe nga Ministria e Brendshme e Italisë. Të gjitha këto histori, theksoi Françesku, kanë të përbashkët “fillim e dashurisë, që fiton mbi të keqen dhe bën të lindë jeta. Dashurinë, që është mikpritje e dëgjim: dashurinë, që është afërsi, ëmbëlsi, dhembshuri; dashurinë, që është respekt, dinjitet, promovim”. Për të vijuar në këtë rrugë, përfundoi Ati i Shenjtë, ka rëndësi të mbahet Jezu Krishti në qendër, siç shihet edhe në stemën e Bashkësisë.

“Ju ia kushtoni jetën Atij për të përçuar dritën e Tij, që të rinjtë e të rejat në errësirë, të mund ‘të dalin në dritë’, të rilindin për një jetë të re”.

22 tetor 2022, 12:48