Kërko

Manama, kryeqyteti i Bahreinit Manama, kryeqyteti i Bahreinit

Françesku, Papa i parë në Bahrein: udhëtim në shenjën e vëllazërimit

Ati i Shenjtë do të shkojë në arkipelagun e vogël, nga 3 deri më 6 nëntor, me ftesën e autoriteteve civile e kishtare. Do të marrë pjesë në mbylljen e “Forumit të Bahrenit për Dialogun” e do të ketë gjashtë impenjime publike. I fundit, takimi i lutjes me Kishën lokale. Shtegtimi i 39-të apostolik i Papës i është beësuar ndërmjetësimit të Zojës e, siç tha drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, është etapë e çmuar në udhën e vëllazërimit e në marrëdhëniet me botën islamike

R.SH. – Vatikan

Do të jetë udhëtimi i 39-të apostolik i Papës Françesku, i katërti jashtë Italisë këtë vit, etapë e mëtejshme e udhës së vëllazërimit e të mirëkuptimit në marrëdhëniet me botën islame dhe me përfaqësuesit e saj. Kështu e paraqiti drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, shtegtimin e Atit të Shenjtë në Bahrein, ku Bergoglio do të shkojë nga 3 deri më 6 nëntor, me rastin e “Forumit të Bahreinit për Dialogun: Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore”. Ky takim ndërfetar është organizuar nga Mbreti i arkipelagut të vogël me 33 ishuj, Hamad bin Isa Al Khalifa, më 3 e 4 nëntor.

Temat kryesore të vizitës apostolike

Pika referimi për këtë udhëtim të ri të Papës në një vend me grupe të ndryshme etnike dhe fetare, janë dy dokumente, shpjegoi Bruni: Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor”, nënshkruar në Abu Dabi dhe Enciklika “Fratelli tutti”. “Tema e parë është ajo e takimit, e dialogut si bazë për paqen”, shtoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit. Ajo do të karakterizojë takimet e Papës dhe ngjarjet e planifikuara, duke u pasqyruar edhe në moton e udhëtimit: "Paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë", frymëzuar nga kënga e engjëjve në lindjen e Jezu Krishtit (shih Ungjillin sipas Lukës).

Në sfond, lufta e roli i të krishterëve dhe i të gjitha feve përballë luftës. "Kjo është kohë për të kërkuar aleatë në favor të çështjes së paqes e të vëllazërimit", vuri në dukje Bruni, prandaj, vizita në Bahrein do të përshkohet edhe nga kjo temë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lidhur me kritikat e disa veprimtarëve për të drejtat e njeriut, kundër udhëtimit të Papës në Bahrein, ku sipas tyre, të drejtat e shiitëve nuk respektohen autoritetet sunite, zëdhënësi i Vatikanit përmendi Konferencën ndërkombëtare mbi qytetërimet në shërbim të njerëzimi, mbajtur në Manama, kryeqytetin e Bahreinit, në vitin 2014. Në atë rast, u miratua një Deklaratë e Mbretërisë së Bahreinit, dokument që synon respektimin e të drejtave të njeriut dhe bën thirrje për nxitjen e dialogut, në shërbim të paqes dhe pluralizmit. Qëndrimi i Selisë së Shenjtë dhe i Papës për çdo liri njerëzore e për dialogun është i njohur, sqaroi drejtori i Sallës së Shtypit.

Papa i parë në Bahrein

Françesku është Papa i parë, që shkon në Mbretërinë e Bahreinit - me të cilën Selia e Shenjtë filloi marrëdhëniet diplomatike në vitin 2000 - i ftuar nga autoritetet civile dhe kishtare. Ai është vendi i 58-të i vizituar nga Françesku. Bashkë me Papën, do të nisen kardinajtë Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit; Luis Antonio Tagle, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin; Leonardo Sandri, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore; Miguel Ángel Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar; Kurt Koch, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve e, edhe imzot Edgar Peña Parra, zëvendës i Sekretarisë së Shtetit për Çështjet e Përgjithshme dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare.

Logoja e udhëtimit të 39-të apostolik

Logoja e vizitës përbëhet nga flamujt e Mbretërisë së Bahreinit dhe të Selisë së Shenjtë, në formë të stilizuar. Shihen dy duar të hapura për Zotin, që simbolizojnë edhe përkushtimin e popujve dhe të kombeve për t'u takuar pa paragjykime, si "vëllezër dhe motra". Fryti i takimit vëllazëror është dhurata e paqes, simbolizuar nga një degë ulliri. Mbishkrimi "Papa Françesku" është blu për të treguar se udhëtimi i është besuar ndërmjetësimit të Virgjërës së Bekuar, nderuar me titullin Zoja e Arabisë, veçanërisht në katedralen me të njëjtin emër, ndërtuar në tokën e dhuruar nga Mbretëria e Bahrenit për Kishën Katolike e shuguruar më 10 dhjetor 2021. Me atë rast Papa i dërgoi mbretit një letër, i cili iu përgjigj duke e ftuar në Bahrein.

Programi i udhëtimit

Programi i vizitës papnore parashikon 7 takime publike, 6 fjalime në italisht, një homeli në spanjisht dhe një lutje të Engjëllit të Tënzot. Françesku do të niset do të niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Fiumicino-s për në Aëali në orën 9.30. Në orën 17.30 (me orën evropiane), Ati i Shenjtë do të pritet në Pallatin Mbretëror Sakhir, rezidenca e sovranit të Bahreinit, për një vizitë kortezie. Ceremonia e mirëseardhjes, në të cilën do të marrin pjesë rreth një mijë vetë, është caktuar në orën 18.10. Më 18.30, Papa do të ketë impenjimin e tij të parë publik – takimin me autoritetet, me shoqërinë civile dhe me trupin diplomatik – gjatë të cilit do të mbajë fjalimin e parë. Dita e parë e Papës në Bahrein do të përfundojë në orën 19.00, ë rezidencën e vënë në dispozicion të tij, në kompleksin e Pallatit Sakhir, si i ftuar i mbretit.

Takimi ekumenik e lutja për paqen

Dita e 4 nëntorit do të hapet në orën 10 me mbylljen e “Forumit të Bahreinit për Dialogun” në sheshin Al-Fida, gjithnjë në kompleksin e "Pallatit Mbretëror Sakhir". Papa do të mbajë një fjalim edhe këtu e, më pas, në orën 16, do të takohet privatisht me Imamin e madh të Al-Azharit, Ahmed al-Tayeb, “mik” dhe “vëlla”, siç e quan gjithmonë. Ndërsa në orën 16.30 është planifikuar takimi me anëtarët e “Këshillit të Pleqësisë Myslimane” në xhaminë e Pallatit Mbretëror Sakhir. Në fund të ditës, takimi ekumenik dhe lutja për paqen në katedralen e Zojës së Arabisë, ku Françesku do të mbajë një fjalim tjetër.

Ndërkaq, me meshën e orës 8.30, në "Stadiumin Kombëtar të Bahreinit", në Aëali,nis dita e tretë e udhëtimit, e shtunë, 5 nëntor. Pasdite, në orën 17, Ati i Shenjtë do të takohet me rininë në shkollën e Zemrës së Krishtit.

Në kryeqytetin Manama

Papa Françesku nuk do të largohet nga Bahreini pa vizituar më parë kryeqytetin Manama, të dielën, më 6 nëntor. Në qytetin më të madh të shtetit, ku banon një e katërta e popullsisë së vendit, është planifikuar vetëm një takim lutjeje me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, seminaristët dhe punonjësit baritorë, në kishën e Zemrës së Krishtit. Aty, Papa do të thotë edhe Engjëllin e Tënzot. Më pas do të kthehet në Aëali, ku në orën 12.30, do të mbahet ceremonia e lamtumirës në “Bazën Ajrore Sakhir”. Në orën 13, nisja me avion dhe kthimi, rreth orës 17, në aeroportin ndërkombëtar të Romës / Fiumicino.

28 tetor 2022, 17:13