Kërko

Logo della Visita di Papa Francesco in Kazakhstan Logo della Visita di Papa Francesco in Kazakhstan

Programi i shtegtimit tё Papёs nё Kazakistan, tri ditë për dialogun ndërmjet feve

Filloi sot udhëtimi i 38-të ndërkombëtar i Papës Françesku në Kazakistan, ku do të qëndrojë për tri ditë, qё sot 13 shtator e deri më 15 shtator, për të marrë pjesë në Kongresin VII të liderëve botërorë të feve tradicionale. Motoja e kёtij shtegtimi papnor ёshtё “Lajmëtarë të paqes dhe të bashkimit”.

R.SH. - Vatikan

Filloi sot udhëtimi i 38-të ndërkombëtar i Papës Françesku në Kazakistan, ku do të qëndrojë për tri ditë, qё sot 13 shtator e deri më 15 shtator, për të marrë pjesë në Kongresin VII të liderëve botërorë të feve tradicionale. Motoja e kёtij shtegtimi papnor ёshtё “Lajmëtarë të paqes dhe të bashkimit”.

Takime publike dhe private, si edhe një Meshë: këto janë veprimtaritë e udhëtimit të shkurtër të Papës Françesku në Kazakistan, njoftuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit për 13-15 shtator. Rasti i vizitës apostolike - që vetë Papa gjatë kthimit nga Kanadaja e quajti jo tepër të lodhshme, duke pasur parasysh kushtet e tij shëndetësore - është Kongresi VII i krerëve të feve botërore dhe tradicionale, që do të mbledhë liderë të ndryshëm fetarë nga e gjithë bota dhe që, siç thuhet në faqen zyrtare, ka ndër përparësitë e tij “afirmimin e paqes, të harmonisë dhe të tolerancës si parime të palëkundshme të ekzistencës njerëzore”. Gjithashtu, do të diskutohet mbi “çështjen e përdorimit të ndjenjave fetare të njerëzve për shkallëzimin e konflikteve dhe armiqësive”.

Nisja e Papës

Sot, 13 shtator, paradite filloi programi zyrtar i udhëtimit të 38-të ndërkombëtar të Papёs Françesku në vendin e Azisë Qendrore, vizituar në shtator 2001 edhe nga Papa shenjt Gjon Pali II. Papa Bergoglio do të qëndrojë gjatë gjithë kohës në kryeqytetin Nur-Sultan, i cili, deri në mars 2019, njihej si Astana. I ngritur në brigjet e lumit Išim, kryeqyteti ka rreth një milion banorë me moshë mesatare shumë të re, që u përkasin rreth 130 kombësive të ndryshme. Të shumta, edhe fetë.

Ati i Shenjtë Bergoglio u nis sot nga aeroporti i Romës – Fiumicino, në orën 7.15 të mëngjesit, e do të mbërrijë në Nur Sultan pas më se dhjetë orësh. Pasdite, në orën 17.45 tё vendit, pritja zyrtare e ndjekur nga ceremonia në pallatin presidencial dhe vizita tek presidenti i Republikës, Kassim-Jomart Tokayev. Po aty do tё mbahet takimi i Papёs me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, në Sallën Qazaq, ku Papa do të mbajë të parën nga pesë ndërhyrjet e tij publike.

Mesha në Sheshin e Ekspozitës (Expo)

Dita e mërkurë, 14 shtator, do të fillojë me një çast lutjeje në heshtje, në Pallatin e Paqes dhe të Pajtimit, së bashku me krerët fetarë pjesëmarrës në Kongres, i cili mblidhet çdo tri vite, që nga edicioni i parë i vitit 2003, themeluar nga ish-presidenti kazak Nursultan Nazarbaev. Papa Françesku do të hapë seancën e parë plenare, duke iu drejtuar fjalën e tij të pranishmëve. Në mesditë, do të presë privatisht disa përfaqësues nga fe të ndryshme. Pasdite në orën 16.45, Ati i Shenjtë Françesku do të kremtojë Meshën në sheshin Expo e do të mbajë homelinë.

Dita e fundit

E enjtja, 15 shtator, është dita e fundit e udhëtimit. Në orën 9, siç është tashmë traditë në çdo udhëtim apostolik, Papa Bergoglio do të takojë privatisht sivëllezërit e tij të Shoqërisë së Jezusit (Jezuitёt) në Nunciaturën Apostolike. Në orën 10.30, Papa Françesku do të shkojë në Katedralen e Nënës së Zotit të Ndihmës së Përhershme për takimin me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe punonjësit baritorë tё Kishёs katolike nё Kazakistan.

Deklarata përfundimtare e Kongresit ndërfetar

Veprimtaria e fundit e gjithë udhëtimit papnor në Kazakistan do të mbahet në Pallatin e Paqes dhe të Pajtimit, ku do të lexohet Deklarata përfundimtare e Kongresit të krerëve fetarë. Papa do t’u flasë të pranishmëve e më pas, do të shkojë rreth orës 16.15 në aeroportin ndërkombëtar të Nur-Sultanit për ceremoninë e lamtumirës dhe nisjen për në Romë, ku parashikohet të mbërrijë në orën 20.15

Në gjurmët e Shën Gjon Palit II

Po kujtojmё se Kazakistani, nga pikëpamja etnike, është një nga Shtetet me popullsinë më të larmishme në botë. Numëron mbi 19 milionë banorë. 70% janë të besimit mysliman, 26% të krishterë, kryesisht ortodoksë, rreth 120,000 katolikë. Papa Françesku është Papa i dytë që viziton këtë vend. Shën Gjon Pali II ishte në Kazakistan në vitin 2001, dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Republika e Kazakistanit e shpalli pavarësinë   më 16 dhjetor 1991, e fundmja nga ish-republikat sovjetike, që shkëputej gjatë procesit të shpërbërjes së BRSS. “Data 16 dhjetor 1991 – pati kujtuar Papa Wojtyła gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në vitin 2001 – u skalit me shkronja të pashlyeshme në analet e historisë suaj.

Liria e rifituar ringjalli tek ju besimin në të ardhmen dhe jam i bindur se përvoja e jetuar është e pasur me mësime, të cilat mund të ndihmojnë për të ecur me guxim drejt perspektivave të reja të paqes dhe përparimit. Kazakistani dëshiron të rritet në vëllazëri, dialog dhe mirëkuptim, premisa të domosdoshme për ‘ndërtimin e urave’ të solidaritetit me popujt, kombet dhe kulturat e tjera”.

13 shtator 2022, 10:47