Përfaqësuesit papnorë në Vatikan, do të takohen edhe me Françeskun
R.SH. – Vatikan
Nga dita e sotme, 7 shtator e deri të shtunën, 10 shtator, në Vatikan mbahet Takimi i Përfaqësuesve Papnorë, i cili organizohet çdo tre vite, me kërkesën e Papës Françesku. Në komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë saktësohet programi i katër ditëve: “Të mërkurën, 7 shtator, në orën 8, bashkëkremtimi eukaristik, kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në Kapelën e Korit, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Dita e parë, kushtuar mbledhjeve me eprorët e Sekretarisë së Shtetit dhe me disa krerë të Kuries Romake, mbyllet me një takim me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë”.
“Të enjten, me datë 8, në orën 9.00, përfaqësuesit papnorë do të priten në audiencë nga Papa në Pallatin Apostolik. Në përfundim, do të vijohet me takime të ndryshme, ndërsa në orën 19.00, diplomatët do të marrin pjesë në Mbrëmësoret solemne, në Kapelën Sikstine”. Të premten parashikohen punime në grupe të veçanta, sipas kontinenteve. Të shtunën, 10 shtator, bashkëkremtimi eukaristik i kryesuar nga Papa në Shtëpinë e Shën Martës, në orën 7.30, do të pasohet nga takime dhe mbledhje të tjera. Katër ditët në Vatikan do të përfundojnë në mesditë, me një meditim shpirtëror të udhëhequr nga imzot Angelo Acerbi, nunc apostolik”.
Komunikata e Sallës së Shtypit të Vatikanit bën të ditur se “në mbledhjen e kryesuar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Parolin, do të marrin pjesë eprorët e Sekretarisë së Shtetit, 91 nuncë apostolikë dhe 6 vëzhgues të përhershëm. 5 përfaqësues papnorë nuk do të marrin pjesë për arsye shëndetësore, ose për shkak të pengesave të tjera”.
Në tekst sqarohet se përveç këtyre përfaqësuesve papnorë, shërbimi diplomatik i Selisë së Shenjtë ka edhe 167 bashkëpunëtorë me detyrën e diplomatit, që punojnë në nunciatura, ose në Sekretarinë e Shtetit. Ndërkaq, 4 studentë të Akademisë Papnore Kishtare, pasi përfunduan formimin, janë angazhuar në vitin misionar jashtë vendit, dëshiruar nga Papa Françesku.