Kërko

Papa Françesku në avion Papa Françesku në avion 

Përfundon vizita e Papёs nё Kazakistan: Zoti e bekoftë prirjen për paqe e bashkim në vend

Përfundon udhëtimi i 38-të apostolik i Françeskut, i cili u zhvillua nga 13 deri më 15 shtator në vendin aziatik, me rastin e Kongresit të Krerëve të Feve Botërore dhe Tradicionale. Papa u përcoll në aeroportin Nur-Sultan nga presidenti Tokayev, të cilit i dërgoi një telegram, duke e falënderuar për mikpritjen

R.SH. – Vatikan

Avioni me Papën në bord, nga Kazakistani është nisur tashmë për në Romë. Françesku shkoi me makinë në aeroport, menjëherë pas mbylljes së Kongresit të Krerëve të Feve Botërore dhe Tradicionale. Veprimtaria përfundoi me leximin e Deklaratës Përfundimtare, në të cilën u ripohua vlera e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi. Me të mbërritur në aeroport, Papa u përshëndet nga presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart K. Tokayev, gjatë një takimi të shkurtër privat. Kreu i shtetit i dha Papës një dombra, instrumentin muzikor tradicional kazak, të cilin Françesku e përdori si simbol në fjalimin e tij të parë publik.

Pasi kaloi para Gardës së Nderit dhe pas përshëndetjes së delegacioneve, Papa hyri në avionin Airbus A330 të Ita Airways për t’u kthyer në Itali. Mbërritja në aeroportin Romë-Fiumicino parashikohet rreth orës 20.30 (me orën evropiane). Gjatë fluturimit, konferenca e zakonshme për shtyp me rreth 80 gazetarët e pranishëm në avionin papnor.

Tweet nga @Pontifex dhe telegrami drejtuar presidentit

Duke u larguar nga Kazakistani, Papa i shprehu mirënjohjen popullit kazak, përmes një postimi në Twitter, nga faqja e tij @Pontifex: "Ju falënderoj për mikpritjen dhe për mundësinë që t’i kaloj këto ditë dialogu vëllazëror, bashkë me krerët e shumë feve. I Tejetlarti bekoftë thirrjen e #Kazakistanit për paqe dhe unitet”.

Siç bën zakonisht, Papa i dërgoi një telegram presidentit të Repbulikës, në të cilin shprehu edhe një herë “mirënjohjen për mikpritjen” gjatë këtyre tri ditëve, duke siguruar lutje për gjithë banorët e vendit.

Shtegtim paqeje

Ai i Françeskut në Kazakistan, siç tha vetë Papa në Engjëllin e Tënzot, të dielën, më 11 shtator, ishte “shtegtim paqeje”, dhuratë për të cilën “është e etur bota”. Duke folur në Kongresin e Krerëve të Feve Botërore dhe Tradicionale, Papa theksoi në mënyrë të veçantë se dhuna nuk duhet justifikuar kurrë: “Të mos lejojmë që çka është e shenjtë të shfrytëzohet nga çka është profane”. Nga Kazakistani, i quajtur “vend takimi” nga Françesku në fjalimin drejtuar autoriteteve, udha e lashtë e mëndafshit përvijon një rrugë të re. Me bindjen, siç nënvizoi Papa gjatë shtegtimit të tij të 38-të apostolik, se paqja është udhë zhvillimi mes çmendurisë së konflikteve.

15 shtator 2022, 14:56