Kërko

Papa: të shfuqizohet dënimi me vdekje në botë. Nuk ofron drejtësi, po etje për hakmarrje

Në videon me ndjetet e lutjes për muajin shtator, Françesku rithekson mospranimin e dënimit me vdekje, i hequr në 170 shtete, por ende në fuqi në 55 të tjera, në të pesë kontinentet: “Është moralisht i papërshtatshëm. Shoqëria nuk duhet t’i privojë ata që kanë kryer krime, nga mundësia e rikuperimit”.

R.SH. - Vatikan

Në videon me ndjetet e lutjes për muajin shtator, Papa Françesku rithekson mospranimin e dënimit me vdekje, i hequr në 170 shtete, por ende në fuqi  në 55 të tjera, në të pesë kontinentet: “Është moralisht i papërshtatshëm. Shoqëria nuk duhet t’i privojë ata që kanë kryer krime, nga mundësia e shpërblimit”.

Është një “jo”, pa asnjë kusht kundër dënimit me vdekje , ky që Papa, i cili modifikoi Katekizmin për ta shpallur këtë praktikë “gjithmonë të papranueshme" - përsërit në videon me ndjetet e lutjes për muajin shtator:   “U kërkoj të gjithë njerëzve vullnetmirë të mobilizohen për shfuqizimin e dënimit me vdekje në mbarë botën. Të lutemi që dënimi me vdekje, i cili cenon paprekshmërinë dhe dinjitetin e personit, të hiqet në ligjet e të gjitha vendeve të botës”.

I papranueshëm, parë në dritën e Ungjillit

Françesku i fton të krishterët në një mobilizim shpirtëror kolektiv, për të siguruar që ky dënim penal të çrrënjoset në të gjitha vendet e botës, sepse -  siç shprehet në video, duke folur spanjisht - “nuk u ofron drejtësi viktimave, por ushqen hakmarrjen”. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, rreth 170 shtete e kanë hequr dënimin me vdekje dhe kanë vendosur një moratorium për përdorimin e tij në legjislacion ose në praktikë. Disa prej tyre kanë pezulluar ekzekutimet për më shumë se dhjetë vjet. Megjithatë, ka 55 vende në kontinente të ndryshme, ku të burgosurit dhe shkelësit e ligjit vijojnë të ekzekutohen. Për Papën kjo është “e papranueshme” parë në dritën e Ungjillit, sepse “urdhërimi për të mos vrarë” i jepet si të pafajshmit, ashtu edhe fajtorëve: 

“Në çdo dënim duhet të ketë gjithmonë një dritare shprese. Dënimi me vdekje nuk ofron drejtësi për viktimat, por nxit hakmarrjen. Shmang kështu çdo mundësi për të korrigjuar dështimin e mundshëm të drejtësisë. Nga ana tjetër, moralisht, dënimi me vdekje është i pamjaftueshëm: ai shkatërron dhuratën më të rëndësishme që kemi marrë, jetën. Nuk duhet harruar se njeriu mund të ndërrojë rrugë edhe në çastin e fundi të jetës së tij të ngarkuar me faje”.  

Pamje dramatike

Fjalët e Papës në filmim, drejtuar jo vetëm besimtarëve, por të gjithë njerëzve vullnetmirë, shoqërohen me pamje prekëse: sy burrash e grash pas hekurave, njerëz të vetëm në qeli, që heshtin, bërtasin a luten të gjunjëzuar në birucën ku i flaku fati, fotograma demonstrimesh. anembanë botës me kartela ku shkruhet “Mos vra për mua”, “Zbatoni drejtësinë, jo njerëzit” etj etj. Në rreth 2 minuta të videos, përkthyer në 23 gjuhë, ndjekur nga shtypi në 114 vende, mund të shihen edhe mjetet përmes të cilave kryhen ekzekutimet: litarët, gati për t’i marrë shpirtin të dënuarit, shiringat me injeksione vdekjeprurëse, karriget elektrike, muri me vrima plumbash nga të shtënat, mur i pushkatuar, si dhe dhomat e tmerrshme të gazit.

Një shenjë shprese

Për Papën, megjithatë, nuk mungon edhe “një shenjë shprese”: “Çdo ditënë mbarë botën buçet gjithnjë më fort një britmë, që pëhapet në horizonte pa anë e fund: “Jo, dënimit me vdekje!” po ushton në mbarë rruzullin”. “Juridikisht është i panevojshëm”:

“Shoqëria mund ta shtypë me rrugë të tjera krimin, pa ia mohuar autorit mundësinë e shpengimit e të rikuperimit”.

Deklaratat e Papëve

Në dekadat e fundit, Papët - nga Gjon Pali II te Benedikti XVI – u shprehën qartë kundër përdorimit të dënimit me vdekje nga qeveritë. Katekizmi i Kishës Katolike, i shpallur në vitin 1992, u korrigjua në paragrafin mbi dënimin me vdekje, pas pohimeve të Gjon Palit II në enciklikën Evangelium vitae – Ungjilli i jetës, më 1995. Teksti i  konsideronte “praktikisht të paqena” rastet e domosdoshmërisë absolute për dënimin me vdekje

Në vitin 2018, siç u kujtua, Papa Françesku bëri një hap të mëtejshëm, duke miratuar pas rishkrimit, numrin 2267 të Katekizmit në lidhje me dënimin me vdekje, duke e dënuar ashpër dhe duke shprehur impenjimin e Kishës për shfuqizimin e tij të plotë e të përhershëm.

Shoqatat dhe organizatat, kundër dënimit me vdekje

Ky angazhim ripohohet edhe në enciklikën Fratelli tutti. Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, e kujton këtë, duke shpjeguar se kjo vendosmëri e Atit të Shenjtë dhe e Kishës mbështetet mbi faktin se “njeriu mund të pendohet edhe në çastin e fundit, mund t’i pranojë krimet dhe të ndryshojë rrugë”. Ndërsa “dënimi me vdekje është si ta vesh veten në vendin e Zotit”. “Kur dënon, beson se njeriu nuk mund të ndryshojë më, gjë që nuk dihet” - nënvizon jezuiti - duke bërë thirrje të lutemi sipas synimeve të Papës dhe gjithashtu të “mobilizohemi për t’i mbështetur konkretisht shoqatat dhe organizatat, që luftojnë për “zhdukjen e dënimit me vdekje”. Në ballë të tyre, prej vitesh, Bashkësia e Shën Egjidit!

01 shtator 2022, 12:34