Papa Françesku: të lutemi për shtegtimin e paqes në Kazakistan
R. SH. - Vatikan
“Pasnesër do të nisem për një shtegtim treditor në Kazakistan, ku do të marr pjesë në Kongresin e krerëve të feve botërore dhe tradicionale”. Pas lutjes së Engjëllit, Papa Françesku kujtoi shtegtimin e ardhshëm apostolik në vendin aziatik, “rast për të takuar shumë përfaqësues fetarë dhe për të dialoguar si vëllezër, të frymëzuar nga dëshira e përbashkët për paqen, atë paqe, për të cilën bota jonë ka etje të pashuar”. “Dëshiroj që tani - tha Ati i Shenjtë - t’u drejtoj një përshëndetje të përzemërt të pranishmëve, si dhe autoriteteve. Falënderoj për përgatitjet dhe punën në prag të vizitës sime. E, kërkoj nga të gjithë ta shoqërojnë me lutje këtë shtegtim paqeje".
Programi i shtegtimit apostolik
Papa Françesku shtegton në Kazakistan nga 13 shtatori deri më 15 shtator, për të marrë pjesë në Kongresin VII të liderëve botërorë të feve tradicionale. Më 13 shtator do të niset për në Nur-Sulltan, kryeqytet i vendit. Pas ceremonisë së mirëseardhjes në pallatin presidencial, është në program vizita e mirësjelljes tek Presidenti i Republikës dhe takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik.
“Kongresit VII të liderëve të feve botërore dhe tradicionale”, që do të hapet më 14 shtator, do t’i paraprijë lutja në heshtje e krerëve fetarë. Takimi i madh, ku do të marrin pjesë mbi njëqind delegacione, nga 50 vende, do të përqendrohet mbi temën “Roli i udhëheqësve të feve botërore dhe tradicionale në zhvillimin shpirtëror dhe shoqëror të njerëzimit në periudhën pas pandemisë”. Më 14 shtator, pas takimeve private me disa liderë fetarë, Papa do të kremtojë Meshën Shenjte në sheshin e Expo-së, në Nur-Sulltan. Dita e 15 shtatorit do të hapet me një takim privat me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit. Më pas, takimi me ipeshkvijtë, priftërinjtë, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe veprimtarët baritorë. Ky takim i paraprin leximit të Deklaratës Përfundimtare dhe mbylljes së Kongresit. Pas ceremonisë së lamtumirës, nisja me avion nga Aeroporti Ndërkombëtar i Nur Sultan, drejt Romës.
Në gjurmët e Shën Gjon Palit II
Kazakistani, nga pikëpamja etnike, është një nga shtetet me popullsinë më të larmishme në botë. Numëron mbi 19 milionë banorë. 70% janë të besimit mysliman, 26% të krishterë, kryesisht ortodoksë, rreth 120,000 katolikë. Papa Françesku është Papa i dytë që viziton këtë vend. Shën Gjon Pali II ishte në Kazakistan në vitin 2001, dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Republika e Kazakistanit e shpalli pavarësinë më 16 dhjetor 1991, e fundmja nga ish-republikat sovjetike, që shkëputej gjatë procesit të shpërbërjes së BRSS. “Data 16 dhjetor 1991 – pati kujtuar Papa Wojtyła gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në vitin 2001 – u skalit me shkronja të pashlyeshme në analet e historisë suaj. Liria e rifituar ringjalli tek ju besimin në të ardhmen dhe jam i bindur se përvoja e jetuar është e pasur me mësime, të cilat mund të ndihmojnë për të ecur me guxim drejt perspektivave të reja të paqes dhe përparimit. Kazakistani dëshiron të rritet në vëllazëri, dialog dhe mirëkuptim, premisa të domosdoshme për ‘ndërtimin e urave’ të solidaritetit me popujt, kombet dhe kulturat e tjera”.
Të lutemi për popullin ukrainas
Pas Engjëllit, mendimet e Papës shkuan edhe një herë në Ukrainë. “Të vazhdojmë të lutemi për popullin ukrainas, që Zoti t’i japë ngushëllim dhe shpresë. Këto ditë Kardinali Krajewski - kujtoi Papa - ndodhet në Ukrainë për të vizituar bashkësitë e ndryshme dhe për ta dëshmuar konkretisht afërsinë e Papës dhe të Kishës.
Mbyllet Termocentrali i Zaporizhzhia-s
Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia-s u mbyll plotësisht për arsye sigurie, me shuarjen e reaktorit të fundit që vijonte të funksionte”. Lajmin e dha operatori ukrainas për energjinë bërthamore, Energoatom. “U vendos që reaktori numër gjashtë të vihej në gjendjen më të sigurt: gjendjen e ftohtë.” Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së kishte kërkuar “urgjentisht ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha bombardimeve rreth zonës së centralit bërthamor, më i madhi në Evropë. Betejat në terren po zhvillohen në pjesë të ndryshme të Ukrainës. Forcat ruse i përgjigjen operacioneve ushtarake të trupave ukrainase në rajonet lindore me sulme raketore dhe ajrore. Veçanërisht në rajonin e Luganskut, kreu i Administratës ushtarake rajonale, Serhiy Gaidai, shkruan, në Telegram, se pushtuesit rusë dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas po ikin.