Kërko

Papa takohet me Anëtarët e Fondacionit AVSI Papa takohet me Anëtarët e Fondacionit AVSI  

Papa: si në Siri, Kisha duhet të jetë shtëpi me dyer të hapura, një vend vëllazërie njerëzore

Duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në nismën “Spitalet e Hapura”, e cila në vendin e torturuar prej 12 vitesh nga një konflikt i përgjakshëm, po mbështet tre objekte shëndetësore katolike dhe katër klinika, nën patronatin e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe mbështetjen e institucioneve të ndryshme, Françesku u kërkon të kujdesen për ata që vuajnë dhe të promovojnë bashkëjetesën shumetnike e ndërfetare

R. SH. - Vatikan

Popullsia siriane po përjeton vuajtje prej 12 vjetësh, për shkak të konfliktit të përgjakshëm, me një “numër të papërcaktuar të vdekurish dhe të plagosurish”, me “shkatërrimin e lagjeve dhe fshatrave të tëra” dhe të infrastrukturës, përfshirë spitalet - kujtoi Papa - duke u takuar në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, me pjesëmarrësit në nismën “Spitalet e Hapura” në Siri të Fondacionit AVSI. Bashkë me ta, kardinali Mario Zenari, prej katërmbëdhjetë vjetësh, nunc apostolik i vendit.

Spitali fushor i Kishës për të vuajturit

Ajo që “sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, mbetet një nga krizat më serioze në botë, me shkatërrim, nevoja humanitare në rritje, kolaps socio-ekonomik, varfëri dhe uri në nivele shumë serioze” prodhoi “rreth katërmbëdhjetë milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatë, më shumë se gjysma e popullsisë siriane para konfliktit”, - theksoi Françesku - duke rrëfyer se ka marrë si dhuratë veprën e një artisti, Massimiliano Ungarellit i cili, i frymëzuar nga një fotografi, portretizoi një baba sirian të rraskapitur, me fëmijën e vet mbi supe.  Figurë, që i kujtoi Papës Shën Jozefin e detyruar të arratisej në Egjipt dhe që Françesku, në fund të audiencës, vendosi t’ua dhurojë “Spitaleve të Hapura”, në mënyrë që, duke e parë, të mendohet “për këtë ikje të përditshme në Egjipt, të këtij populli që vuan kaq shumë”:

“Përballë kësaj vuajtjeje të pamasë, Kisha thirret të jetë ‘spital fushor’, për të shëruar plagët shpirtërore dhe fizike”.

Ftesa e Jezusit për t’i mjekuar të sëmurët dhe për t’i shëruar

Edhe Jezusi nisi të shërojë të sëmurët e i nxiti edhe apostujt të kujdeseshin për ta - kujtoi Papa - që u ka bërë disa herë thirrje priftërinjve, veçanërisht të Enjten e Madhe, t’i prekin plagët, mëkatet, ankthin e popullit. Kujtoi, më pas, angazhimin e “Spitaleve të Hapura”, nismë e cila, së bashku me të tjera të promovuara nga Kishat në Siri, “lulëzon nga fryma krijuese e dashurisë”, duke mbështetur tre objektet shëndetësore katolike që veprojnë në Siri prej rreth njëqind vjetësh dhe katër ambulancat, nën patronazhin e Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, falë bujarisë së institucioneve kishtare, organeve qeveritare, institucioneve humanitare katolike dhe shumë njerëzve bujarë.

Kisha, shtëpi me dyer të hapura, vend vëllazërie

“E hapur për të sëmurët e varfër, pa dallim përkatësie, si etnike ashtu edhe fetare: kështu, pohon Françesku, duhet të jetë Kisha “që dëshiron të jetë  shtëpi me dyer të hapura dhe vend vëllazërie njerëzore:

“Në institucionet tona të bamirësisë, njerëzit, veçanërisht të varfërit, duhet të ndihen si në shtëpi të vet dhe të provojnë atmosferën e mirëseardhjes dinjitoze”.

E kjo, sepse qëllimi është “shërimi i trupave dhe përtëritja e indit shoqëror”, promovimi i atij mozaiku të bashkëjetesës shembullore ndërmjet grupeve të ndryshme etniko-fetare karakteristike për Sirinë”, vazhdoi Papa, i cili kujtoi edhe mirënjohjen e “shumë myslimanëve”.

Samaritanët e mirë

Më pas Françesku e mori shtytjen nga ikona e Jezusit, Samaritanit të Mirë, dhuruar nga “Spitalet e hapura” për të përshkruar Sirinë e sotme, “të sulmuar, të grabitur dhe të braktisur”, por jo të harruar nga Krishti dhe nga individë, shoqata, institucione, nga shumë samaritanë të mirë që “kanë humbur edhe jetën duke ndihmuar të tjerët”. Ripohoi atë çka shkruhet në Enciklikën Vëllezër të gjithë për çkujdesjen sociale dhe politike që “i bën shumë vende në botë rrugë të shkreta, ku mosmarrëveshjet e brendshme e ndërkombëtare dhe grabitja e mundësive, i flak shumë të përjashtuar nga radhët në mes të rrugës” dhe ftesën e tij për të reflektuar mbi përgjegjësitë, me bindjen se nga pikat e vogla të ujit në shkretëtirë mbijnë e rriten shumë fije bari:

“Edhe kur ndihemi si pikë uji në shkretëtirë, duhet të shohim me shpresë atë pak që mund të bëjë secili”.

Na e dëshmon shkretëtira e gurtë siriane që, pas reshjeve të para të pranverës, mbulohet me një batanije të blertë. Shumë pika të vogla uji, shumë fije bari!

03 shtator 2022, 14:17