Kërko

Jemen Jemen

Papa: shpërdorimi i ushqimit është turp

Me rastin e Ditës së sotme Ndërkombëtare të ndërgjegjësimit kundër shpërdorimit të ushqimit, Françesku i dërgon një mesazh FAO-s, në të cilin nënvizon mungesën e drejtësisë shoqërore, që e pengon rreth një të tretën e popullsisë botërore të ketë ushqim të mjaftueshëm: duhet ta "rishpërndajmë e jo të prodhojmë për ta keqpërdorur”

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku bën sot thirrje për shpërndarjen e drejtë të ushqimit në mbarë botën e thekson se shpërdorimi i tij është "turp".

Në një mesazh për drejtorin e përgjithshëm të FAO, Qu Dongyu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit kundër shpërdorimit të ushqimit, Ati i Shenjtë pohon se ushqimi i përshtatshëm dhe i mjaftueshëm është "e drejtë themelore dhe përparësi e çdo njeriu”. Është “e turpshme dhe shqetësuese” kur, në vend që të shuajë urinë e miliona vetëve në botë, hidhet në plehra.

“Si humbja, ashtu edhe shpërdorimi i ushqimit duhen dënuar me forcë, sepse e ndajnë njerëzimin në ata, që kanë me tepri dhe në ata, të cilëve u mungon thelbësorja, sepse rrisin pabarazitë, shkaktojnë padrejtësi dhe u mohojnë të varfërve gjithçka u nevojitet për të jetuar denjësisht”. “Britma e të uriturve, e të privuarve nga buka e tyre e përditshme, në një mënyrë ose në një tjetër – përfundon Papa - duhet të jehojë në qendrat ku merren vendimet. E nuk mund të heshtohet apo të mbytet nga interesa të tjera”.

29 shtator 2022, 18:06