Kërko

Papa, në audiencën me pjesëmarrësit e Kongresit XI Tomist ndërkombëtar Papa, në audiencën me pjesëmarrësit e Kongresit XI Tomist ndërkombëtar

Papa: Shën Toma, dritë për Kishën, mësues, jo intelektual i thjeshtë

Në audiencën me pjesëmarrësit e Kongresit XI Tomist ndërkombëtar, Françesku ndalet në disa interpretime të mendimit të Shën Tomës, që mund t’ia errësojnë figurën. Para se të flasim për këtë Doktor të madh të Kishës, nënvizoi ai, duhet ta kundrojmë, përndryshe ia heqim forcën dhe madhështinë

R.SH. – Vatikan

Shën Toma ishte mësues, jo “intelektual si shumë të tjerë”, prandaj duhet të ushqehemi në shkollën e mësuesit përmes kundrimit, sepse “kur reflektojmë për një njeri të tillë, themelues shkollash filozofike apo teologjike, ka rrezik ta shfrytëzojmë mësuesin për të thënë gjërat, që ashtu na duken neve. Kjo ka ndodhur me tomizmin”.

Në audiencën e sotme me pjesëmarrësit në Kongresin XI Ndërkombëtar Tomist, të cilët i priti në Vatikan, Papa Françesku e la mënjanë tekstin e shkruar, për të folur më lirshëm për Shën Tomën dhe për rrezikun e ideologjizimit të tij.

Kongresi mbahet nga data 19 deri më 24 shtator dhe ka si temë “Burimet e traditës tomiste në kontekstin aktual”. Papa Françesku ua dorëzoi të pranishmëve fjalën e përgatitur, për të folur sy më sy me pjesëmarrësit.

Ati i Shenjtë Françesku vuri në dukje “interpretimet e shumta rastësore të tomizmit, i cili ka qenë skllav i mendimit, që i sheh çështjet sipas rasteve” të caktuara për të nxjerrë prej tyre një normë sjelljeje a qëndrimi. Por, shtoi ai, “kur duam të shpjegojmë mendimin e një mjeshtri, të një mësuesi, hapi i parë është kundrimi, që të hyjmë në atë mendim magjisterial. I dyti, tejet delikat, është shpjegimi. E së fundi, me shumë kujdes, interpretimi, por ky me shumë kujdes”.

Ati i Shenjtë thekson se “mësuesi është ai që vë në lëvizje një rrymë të tërë mendimi”, prandaj, nuk duhet përdorur kurrë “për gjërat që mendojmë ne, por duhet t’i vendosim ato në dritën e mësuesit, e cila është drita e mjeshtrit për interpretimin e tyre”. Në Sinodin e vitit 2015, kujtoi Papa, “kishte pika të paqarta në doktrinën katolike e, edhe interpretimet e mendimit të Shën Tomës nuk ishin të qarta”. Çështjen e pati zgjidhur kardinali Christoph Schoenborn, domenikan, i cili bëri ashtu siç u kërkoi Ati i Shenjtë studiuesve: para se të flasin ta studiojnë mirë mësuesin e madh, ta kundrojnë atë përtej mendimit të tij intelektual, për të kuptuar çfarë ka përjetuar Shën Toma e çfarë ka dashur të na thotë.

 Përndryshe, vijoi Papa Françesku, ka rrezik “ta reduktojmë figurën e mësuesit në një mendimtar të thjeshtë”, duke i hequr forcën e tij jetësore. “Shën Toma ka qenë dritë në mendimin e Kishës e ne duhet ta mbrojmë nga reduksionizmat intelektualiste, që ia mbajnë peng madhështinë e mendimit të tij magjisterial”.

22 shtator 2022, 15:59