Kërko

Papa Françesku me rregulltarët premostratensë, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e 900-vjetorit të themelimit të abacisë së Prémontré Papa Françesku me rregulltarët premostratensë, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e 900-vjetorit të themelimit të abacisë së Prémontré

Papa, premostratensëve: kujdes, në urdhrat fetarë, djalli hyn nga xhepat

“Jo idhujtarisë së parave, na largon nga thirrja e vërtetë”: kështu u tha Papa Françesku rregulltarëve premostratensë, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e 900-vjetorit të themelimit të abacisë së Prémontré

R.SH. – Vatikan

Prémontré, një fshat i vogël në veri të Francës, është vatra në të cilën mori formë bashkësia e parë e Urdhrit Premonstratens, pasi Shën Norberti dhe shokët e tij vendosën t’i kushtohen plotësisht Zotit, ditën e Krishtlindjes, në vitin e largët 1121. Këtë kujtoi Papa në takimin e sotëm me Kanonikët Rregulltarë Premonstratensë, një vit pas atij përvjetori (shtyrë, për shkak të pandemisë), duke shtuar se shumë abaci dhe kuvende të Urdhrit, të cilat u ngritën më vonë, do ta festojnë 900-vjetorin e themelimit në vitet e ardhshme.

Veprimtaria ekonomike i shërben misionit

Ati i Shenjtë u përqendrua shumë në mënyrën e administrimit të një urdhri fetar. “Veprimtaria ekonomike e një bashkësie rregulltarësh – u tha ai premostratensëve – synon mbajtjen e anëtarëve të saj, formimimin dhe apostullimin e tyre… Veprimtaria ekonomike i shërben misionit dhe realizimit të thirrjes: nuk është kurrë qëllim në vetvete, por e orientuar drejt një horizonti shpirtëror. Nuk mund t’i kundërvihet kurrë objektivit, për të cilin shërben”.

Kjo do të thotë, nënvizoi Ati i Shenjtë për një nga urdhrat e Kishës Katolike, me histori 900-vjeçare e me shërbim tejet të pasur, se “kur zgjedhim mënyrën e fitimit, duhet të pyesim: cili është ndikimi mbi njerëzit e këtij territori? Cilat do të jenë pasojat mbi të varfrit, mbi anëtarët, mbi vizitorët? Vendimet tona, a janë shprehje e thjeshtësisë ungjillore? A favorizojnë mikpritjen dhe jetën vëllazërore?”

Nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve

 “Kështu shihet si duhen harmonizuar vendimet në fushën ekonomike me misionin, njerëzit, bashkësinë e jo e kundërta – shtoi Papa Françesku. – Kur në një urdhër fetar, ndoshta, edhe në një dioqezë, mbizotëron veprimtaria ekonomike, harrohen njerëzit e harrohet edhe çka tha Jezusi: nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve”.

“Ose i shërben Zotit – e unë prisja të thoshte ‘ose djallit’, por jo, nuk thotë ‘djallit’ – [thotë] ose parave”. “Idhujtaria e parave – ngriti zërin Françesku. – Ajo na largon nga thirrja e vërtetë. Prandaj, duhet të bëjmë gjithnjë pyetje për pasojat… Nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve. Kini kujdes! Zakonisht, djalli hyn nga xhepat”.

Bashkësia rregulltare duhet të rinovohet gjithmonë

Më tej, Papa vuri në dukje se në historinë e Urdhrave fetare ndihet gjithnjë një lloj tensioni ndërmjet themeluesit dhe krijesës së tij. “Kjo është gjë e mirë – theksoi – sepse kur nuk ka tension, themeluesi merr gjithçka me vete e Instituti vdes bashkë me të. Tensioni e bën bashkësinë e Urdhrin të zhvillohet”.

“Prania e një bashkësie motrash a vëllezërish është si një fener i ndritshëm në ambientin përreth. E, megjithatë, njerëzit e dinë se bashkësitë rregulltare nuk i përgjigjen gjithnjë plotësisht jetës, për të cilën janë të thirrura. Përvoja e krishterë konkrete – përfundoi Papa Françesku – përbëhet nga ndjete të mira dhe gabime, prandaj fillon nga e para gjithnjë. Nuk duhet të na vijë turp nga kjo! E as nga rruga!”

22 shtator 2022, 15:25