Kërko

2022.09.12 Membri della Società degli Studenti Svizzeri 2022.09.12 Membri della Società degli Studenti Svizzeri

Papa Shoqërisë studentore zvicerane: jini kërkues të së vërtetës, së mirës, së bukurës

Papa Françesku priti 160 anëtarë të shoqatës më të madhe të nxënësve dhe të ish-nxënësve të vendit evropian: “studimi është udhëtim” që zgjat gjithë jetën, ndërsa “të edukosh do të thotë ta shoqërosh një burrë a një grua në “lindjen si njeri”, duke e çliruar nga “skllavëria e vetvetes”

R.SH. - Vatikan

“Studimi është shtegtim”. Zgjat një jetë për njeriun, që ka etje të pashuar mësojë, të dijë, edhe pa synuar një titull, pa e konsideruar kurrë veten të pjekur, por gjithnjë me shpirtin e shtegtarit e të dishepullit. Në çdo moshë. Gjithnjë “në kërkim të pasionuar të së vërtetës, të së mirës, të së bukurës", me pak fjalë, të Zotit, me ndihmën e mësuesve të vetëdijshëm se “të edukosh do të thotë ta shoqërosh një burrë a një grua në “lindjen si Njeri”, duke e çliruar nga “skllavëria e vetvetes”, që nuk e duron dremitjen, mbasi dëshiron ta jetojë jetën me fund.  Papa Françesku ia kujtoj gjithë këtë rreth 160 anëtarëve të Shoqatës së Studentëve Zviceranë, pritur në audiencë sot paradite në Sallën Klementine.

Favorizojeni të drejtën e arsimit për të gjithë

Pas përshëndetjes së Erich Meier, kryetar i shoqatës, më e madhja në Zvicër, e themeluar në vitin 1841 për të mbledhur studentët katolikë, por tashmë e hapur për të gjitha besimet fetare, Papa kujtoi se në këtë Shoqatë marrin pjesë “njerëz të brezave të ndryshëm - gjë shumë pozitive takimi dhe dialogu ndërmjet brezave – e me rrugë të ndryshme studimore”. Edhe kjo shumë e rëndësishme: “Ju nuk jeni korporatë” – kujtoi - e më pas i ftoi për ta falënderuar së bashku Perëndinë “për këtë mundësi kaq frytëdhënëse”. Nuk është e drejtë që e gëzojnë të gjithë. E dimë mirë se në botë ka shumë njerëz që nuk kanë mundësi të ndjekin shkollat; të tjerë - veçanërisht gratë - duhet të kufizohen vetëm me nivele shkollore më të ulëta ose me disa lloje të veçanta studimesh; e të tjerëve akoma u duhet të marrin arsim të detyruar”.

“Prandaj, ta falënderojmë Zotin që patëm mundësi të studionim dhe që mundëm ta realizonim këtë lirisht. Prej këndej, do të doja t’ju bëja një propozim: që Shoqata juaj të marrë përsipër një situatë konkrete për të favorizuar realizimin e të drejtës së studimit”.

Studimi është shtegtim, qëndrim që duhet kultivuar gjithmonë

Ndoshta, sqaron Françesku, tashmë është një objektiv i aktiviteteve tuaja. “Në këtë rast ju përgëzoj dhe ju inkurajoj ta vazhdoni me përkushtim të përtërirë”. Dhe mos harroni se anëtarët e Shoqatës janë në shtegtim, në Romë, për 75-vjetorin e shenjtërimit të Shën Nikollës së Flüe-s, Pajtor i Zvicrës e edhe i shoqatës. Pastaj Papa vërejti “se ka një analogji të bukur ndërmjet studentit e shtegtarit”. Studimi është shtegtim! Edhe shoqata juaj na kujton se studentët, në kuptimin më të gjerë të fjalës, janë në shtegtim, studentë të përjetshëm:     

“Në këtë kuptim, të jesh student do të thotë të kesh etje për dije, të mos e konsiderosh veten tashmë të përkryer. Jini për rrugë. Me frymën e dishepullit, gjithmonë, në çdo moshë”.

Të edukohesh, do të thotë të rilindësh si njeri

Këtu Papa Françesku citoi teologun Romano Guardini, kur thotë: “Ne duhet të mendojmë gjithmonë një gjë: misterin e lindjes... Gjithçka që quhet edukim, ka vetëm një kuptim: të shërbesh, të ndihmosh, të çlirosh, duke mbetur brenda këtij misteri”:

“Të edukosh do të thotë ta shoqërosh një burrë a një grua në ‘lindjen’ si njeri, në ‘ardhjen në botë’, në ‘daljen e tij në dritë’. Jezu Krishti është edukatori më i madh i historisë: me dashurinë e Atit dhe me veprimin e Shpirtit Shenjt na bën të lindim “nga lart”, siç i tha Nikodemit. E nxjerr njeriun e ri nga guaska e plakut. Na çliron nga skllavëria e egos dhe na prin drejt jetës së përkryer, në bashkësi me Zotin, me të tjerët, me krijesat, madje edhe me veten tonë”.

Studentë dhe kërkues të Zotit

Sepse - shpjegoi Papa duke kujtuar Shën Augustinin - ne nuk jemi në paqe me veten tonë, derisa t’i dorëzohemi dashurisë së Zotit në Krishtin Jezus: “Kjo dashuri, që na ndjek, është njëkohësisht shqetësuese dhe paqësore”- kujtoi, për t’i pyetur, më pas, anëtarët e Shoqatës së Studentëve Zvicerane: “A jeni edhe ju ‘studentë’ të Fjalës së Zotit?A i kushtoni pak nga koha juaj leximit të Biblës, të Ungjijve? Nëse, siç thashë, jeni njerëz në shtegtim, në kërkim, a ndiheni gjithashtu se jeni kërkues të Zotit? A e ndjeni vetën dishepuj të Jezusit, domethënë të etur për ta dëgjuar, për t’i bërë pyetje, për t’i medituar fjalët dhe veprat e Tij? Kjo, më duket, do të thotë të jesh shtegtar: të mos mjaftohesh ‘të dalësh në jetë’, por të duash të jetosh.

Kërkues të së vërtetës, së mirës dhe së bukurës

Në përfundim, Françesku kujtoi se Jezusi u dërgua nga Ati për të na dhënë jetë “me begati” dhe se vetëm Ai “mund të na rilindë për jetën e amshuar”: “Mendo për Jezusin, lexoji Ungjijtë, lëre Jezusin të hyjë në kujtesën tënde, të hyjë në zemrën tënde, sepse Ai troket në zemrën e secilit prej nesh”.

Kjo porosia e fundit e këtij takimi, sa prekës, aq edhe meditativ të nxënësve dhe studentëve zviceranë me Papën i cili, në përfundim kërkoi ndërmjetësimin e Shën Nikollës së Flüe “që të jenë gjithmonë kërkues të pasionuar të së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës”.

12 shtator 2022, 14:57