Papa Luçiani, lumnim i pritur. Mjaft më me lajme të rreme për vdekjen!
R. SH. - Vatikan
Hyri në histori si Papa i 33 ditëve të papnisë, si “Papa i buzëqeshjes" por edhe - gjë krejtësisht e pabesueshme - si Papa protagonist i një legjende të zezë, krijuar kur i mbylli papritmas sytë, nga librat dhe gazetat. Lumnimi i nesërm ndihmon për ta kuptuar më mirë figurën sa madhështore, aq edhe të thjeshtë, të Gjon Palit I, shërbesën e tij papnore, thellësinë shpirtërore dhe njerëzore, kulturore e patristike, morale, historike e dogmatike.
Papa Luçiani në Fronin e Pjetrit
Një mundësi e çmuar për studime të mëtejshme, lidhur me kremtimin që do të kryesohet nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit nesër, më 4 shtator, ishte konferenca që u mbajt dje në Zyrën e Shtypit të Vatikanit. Të pranishëm, aktorët e çështjes së shenjtërimit: postulatori, kardinali Beniamino Stella dhe zv/postulatorja, Stefania Falasca. Nga ana e tyre u shpalosën hollësisht jo vetëm përkryerja e çështjes së lumnimit, e cila zgjati 19 vjet, por edhe kujtimet e përvoja personale. Ashtu si kujtimi i Stelës për nënën e saj, e cila “kur bëhej fjalë për varfërinë, kujtonte fjalët e imzot Luçianit, që përsëriste vazhdimisht se prifti nuk duhet të ketë llogari bankare e as çeqe”. Ose emocioni i Falaskës, e cila, e nxitur nga gazetarët, foli për dekadat e kaluara, përplot me studime dhe udhëtime, për të thelluar figurën e atij, të cilin ajo e quajti pa asnjë ngurrim "një nga Papët më të ndritur të shekullit të njëzetë".
Mbesa Lina: ndihmoi hebrenjtë gjatë luftës
Në vazhdën e kësaj atmosfere thuajse intime, të pazakontë për një konferencë shtypi, ishin edhe dëshmitë e dy grave që e patën njohur nga afër Albino Lucianin, ndaj u ndoqën me emocion të thellë nga salla. Motër Margherita Marin, murgeshë e Kongregatës së Motrave të Marisë, asistente në banesën papnore, e cila ishte e para që e pa trupin e pajetë të Papës, së bashku me motrën Vincenza Taffarel. Më pas mbesa, Lina Petri, e bija e së motrës Antonia, që kujtoi kartolinat “e dajës” nga Roma, këshillat, bisedat për Shën Augustinin dhe Shën Tomen, telefonatat me të motrën, si ajo kur, duke folur për takimin e Hitlerit me Musolinin në Belluno, ai tha në dialekt: “Jemi në duart e dy të çmendurve!”. Lina Petri tregoi gjithashtu për ndihmën që u jepte dajua i saj njerëzve në vështirësi gjatë luftës, veçanërisht hebrenjve, apo për atë ditë kur ipeshkvijtë e Friulit i kërkuan këshillë lidhur me kremtimin e funeralit publik katolik për Pier Paolo Pasolinin, shuar nga një “vdekje shkandulluese”. “E autorizova menjëherë, nuk kisha asnjë dyshim - i tha ai mbesës së tij - u shpjegova se të gjithë kemi nevojë për mëshirën e Zotit. Pasolini në Friuli, si adoleshent, ishte i lidhur me kishën dhe unë e përdora këtë si bazë për funeralin”. “Ashtu ishte... Ai nuk nisej nga e keqja, por nga e mira e njeriut”.
Luçiani, predikimi për priftin: “shërbëtor, që shkrihet në shërbim të popullit"
Dëshmia e murgeshës dhe e së mbesës ishin ndërmjet të shumtave që gjatë procesit bënë të mundur rindërtimin copë për copë të veprës dhe të jetës, duke përfshirë edhe çastet e fundit të Papës venecian. Ndër dëshmitë jashtë procesit spikat ajo e Benediktit XVI: dëshmi, vuri në dukje Stella, e cila përfaqëson “një unicum” historik, pasi është hera e parë që një Papë jep dëshmi për një Papë tjetër".
Një hulumtim i saktë dhe i hollësishëm
Procesi, i cili e mori shtytjen nga Kisha braziliane, për të arritur deri në Argjentinë, u zhvillua me një ritëm të ngadaltë, për të arritur në fazën e lumnimit 44 vjet pas vdekjes, në vitin 1978, ngulitur në kujtesën kolektive si “viti i tre Papëve”. Megjithatë, ishte pikërisht ngadalësia që bëri të mundur kryerjen e një pune të përpiktë. “Çështja e Papës Luçiani - nënvizoi postulatori - nuk ishte as më e gjatë, as më e shkurtër e as më e lehtë se e të tjerëve. Ishte kërkim i saktë, i ndërgjegjshëm, skrupuloz, i realizuar me një metodë historiko-kritike, mbi bazën e hetimit serioz të burimeve arkivore dhe të kërkimit të hollësishëm bibliografik të dëshmive të shumta e të sakta”.
Mbesa e Papa Luçianit: takimi ynë i fundit para Konklavit
E pikërisht shfrytëzimi i burimeve dhe i një sasie mbresëlënëse dokumentesh, të mbledhura tani nga Fondacioni i Vatikanit me emrin e Papës së Lum, krijoi mundësitë për “gërmimin analitik”, falë të cilit - kujtoi Falasca, “u realizua rindërtimi historik jo i improvizuar”. “Lidhur me interesin historiografik – nënvizoi zëvendës postulatori dhe nënkryetari i Fondacionit të Vatikanit Papa Luciani - Gjon Pali I - kishte një hapësirë modeste. Puna, personaliteti dhe mendimi i tij nuk ishin shumë të njohura”. Prandaj, çështja e kanonizimit i bëri “një shërbim të madh së vërtetës historike, duke shfrytëzuar të gjithë dokumentacionin, për të folur vërtetësisht për Gjon Palin I. E, mbi të gjitha, për të rindërtuar plotësisht një itinerar, maja e ajsbergut e të cilit ishte papnia”.
Famullia e vogël malore
Shenjtëria e Luçianit ka rrënjë të thella, të cilat nisin nga Canale d’Agordo, fshati venecian, që e lindi. “Pavarësisht nga thashethemet e shumta, të cilat shumë shpesh lavdëronin përvujtërinë dhe provincialitetin e vendit të lindjes - vuri në dukje Don Davide Fiocco, anëtar i Fondacionit dhe drejtor i shtëpisë së përshpirtërisë “Qendra Papa Luçiani” - gërmimet historike flasin për vitalitetin e një vendi kufitar, seli e nismave ekonomike dhe sociale edhe në nivel kombëtar e, mbi të gjitha një terren personalitetesh. Nuk është rastësi që gjatë Koncilit II të Vatikanit (ndoshta i vetmi rast në botë) kjo famulli e vogël malore numëronte tre prelatë ndërmjet etërve të këtij takimi vendimtar për Kishën e njerëzimin, përveç Imzot Lucianit”.
Gënjeshtrat për vdekjen
Falë kërkimeve shkencore, u bë e mundur që t’i jepej fund lajmit të rremë “i cili vijoi gjatë”, për helmimin e Papës. Ishte gënjeshtër historike që, për Stefania Falasca-n, “u shpërrallua gjatë, duke vënë një pikëpyeteje të madhe mbi fundin e këtij Pape”. “Është e pabesueshme që 44 vjet pas vdekjes së tij ende pyetet pse e mbytën”, - u shpreh gazetarja - duke u vënë përballë zërave, të cilat i cilësoi si "plehra publike", faktet dhe burimet: “E kur ka burime, historia flet vetë”.
Raportet dhe të kartelat klinike
Në rastin e vdekjes së Luçianit flitet për studimin e kartelave mjekësore, raportet e mjekëve papnorë Mario Fontana dhe Renato Buzzoneti - të cilët kishin përpiluar shkakun dhe statusin klinik, anamnezën dhe dosjen si dhe ruajtjen e trupit. “Ndokush mund të pyesë pse nuk u bë autopsia? Atëherë nuk kishte një ligj të tillë, e sanksionoi Gjon Pali II, në vitin 1983. Mbasi autopsia u kërkua për dyshime, Fontana dhe Buzzoneti, në raportin e vdekjes, shkruanin se nuk e konsideronin të nevojshme - pohoi Falasca. Pamja e trupit të vdekur, përshkrimi i njollave, që krijuan mundësinë të përcaktohej çasti kur dha shpirt, bëri që dy mjekët ta diagnostikojnë si “vdekje e papritur”. Dhe “kur e shkruan këtë në mjekësinë ligjore, është gjithmonë vdekje natyrale”, nënvizoi gazetarja, që shtoi: “Ishte infarkt”.
Vetë Luciani, i cili gëzonte “shëndet të mirë edhe pse me disa përjashtime”, një natë më parë e ngatërroi dhimbjen e papritur në gjoks, me dhimbje brinjësh. Nuk i dha shumë rëndësi dhe shkoi në shtrat, pasi kishte përshëndetur murgeshat si çdo mbrëmje dhe pasi i tha motër Margheritës fjalët e fundit: “Nesër, në dashtë Zoti, do të kremtojmë meshën së bashku”.
Papa Luciani, arkivi privat kthehet në Romë: nga librat dhe letrat te ditari personal
Murgesha i rikujtoi këto çaste të forta me një zë të dredhur, së bashku me rrëfime të vogla por domethënëse, për burrin e madh Albino Luciani. Për shembull, një pasdite, duke parë murgeshën që hekuroste e shkonte e vinte me çarçafë në dorë, i tha: “Motër, të bëj të punosh shumë... Mos m’i hekuros këmishat aq mirë se është vapë, djersitem dhe me duhet t’i nderroj shpesh. Hekuros vetëm jakën dhe pulset, sepse pjesa tjetër nuk duket”.
Portreti është vepër e një artisti kinez
Në sheshin e Shën Pjetrit - gjatë ceremonisë në të cilën mund të merret pjesë duke i kërkuar biletat në Prefekturën e Shtëpisë Papnore - do të zbulohet më pas portreti i pikturuar nga artisti kinez Yan Zhang. Filmimi u shfaq në zyrën e shtypit të Vatikanit, së bashku me një video të dërguar nga Buenos Ajres prej Candela Giardas, gruas që u shërua me ndërmjetësinë e Gjon Palit I, së bashku me nënën e saj Roxana Sosa, që nuk mundën të vijnë në Romë për shkak të një frakture në këmbën e vajzës.
Dabusti: “Shpirti Shenjt më frymëzoi të lutem për të sëmurën"
Historinë e gruas së re, e cila vuante nga një epilepsi refraktare malinje dhe e shërimit të mrekullueshëm, e tregoi nga Atë Juan José Dabusti, prifti argjentinas, i cili, përballë dëshpërimit të nënës, pranë shtratit e së bijës, pasi mjekët i kishin thënë se nuk do ta kalonte natën, propozoi t’i luteshin së bashku për ndërmjetësim Papës Luçiani. “Duke e parë në ato kushte – kujton - u frymëzova t’i drejtohesha Gjon Palit I për të kërkuar shërimin e fëmijës”. “Deri në atë çast - vijoi - nuk i isha lutur kurrë Gjon Palit I për ndonjë shërim. Pse i propozova Roksanës t’i lutej Luçianit që të ndërmjetësonte për shërimin e Kandelës? Nuk e di. Nuk isha unë! Ishte Shpirti Shenjt”.