Kërko

2022.09.15 Viaggio Apostolico in Kazakhstan - Lettura della Dichiarazione Finale e Conclusione del Congresso presso il Palazzo dell’Indipendenza 2022.09.15 Viaggio Apostolico in Kazakhstan - Lettura della Dichiarazione Finale e Conclusione del Congresso presso il Palazzo dell’Indipendenza 

Papa: liria fetare të mos jetë koncept abstrakt, por e drejtë konkrete

Thirrja në dokumentin përfundimtar të Kongresit të Krerëve Fetarë në Nur-Sultan, nënshkruar nga Françesku në fund të udhëtimit apostolik: “Njeriu është udha e feve, më shumë se interesat, të shikohet e mira e tij”

R.SH. – Vatikan

“Liria fetare të mos jetë koncept abstrakt, por e drejtë konkrete”. Këtë kërkoi Papa Françesku në fjalën përmbyllëse në Kongresin e Krerëve të Feve Botërore e Tradicionale, që u mbajt dje e sot në Nur-Sultan të Kazakistanit, ku Ati i Shenjtë ndodhej në udhëtimin e tij të 38-të apostolik. Papa paraqiti përmbajtjen e Dokumentit përfundimtar, nënshkruar në këtë takim ndërfetar. Ndër temat më të rëndësishme, nxitja për të siguruar mbrojtjen e vërtetë të lirisë fetare në mbarë botën.

“Sa njerëz - pohoi Françesku - ende sot, persekutohen e diskriminohen, për shkak të fesë. U kërkojmë me forcë qeverive dhe organizatave ndërkombëtare kompetente të ndihmojnë grupet fetare dhe bashkësitë etnike, që kanë pësuar shkelje të të drejtave të njeriut dhe të lirive të tyre themelore, si dhe dhunë nga ekstremistët e terroristët, edhe si rrjedhojë e luftërave dhe konflikteve ushtarake. Ta mbrojmë për të gjithë të drejtën e fesë, të shpresës, të bukurisë: të Qiellit”.

Në fjalën e tij të fundit në Kazakistan, para nisjes për në Romë, Papa theksoi se “Kisha Katolike nuk lodhet kurrë së shpalluri dinjitetin e pacënueshëm të çdo njeriu, krijuar në shëmbëlltyrë me Zotin”. Duke përmendur fjalët e Papës shenjt Gjon Pali II në enciklikën “Redemptor Hominis”, Françesku shtoi se sot “njeriu është edhe udha e të gjitha feve. Po, njeriu konkret, i dobësuar nga pandemia, i përkulur nga lufta, i plagosur nga indiferenca. Para se të merren vendime të rëndësishme, më tepër se objektivat strategjike dhe ekonomike, më tepër se interesat kombëtare, energjetike dhe ushtarake, të shikohet e mira e qenies njerëzore”.

Tri fjalët e Papës: PAQJA, GRATË, TË RINJTË

        Tri fjalët, që Papa vuri në dukje, duke analizuar Deklaratën përfundimtare të Kongresit, ishin PAQJA, GRATË, TË RINJTË.

         E para është PAQJA. “Ajo buron nga vëllazërimi, rritet përmes luftës kundër padrejtësisë dhe pabarazisë, arrihet duke ua shtrirë dorën të tjerëve. Ne, që besojmë në Krijuesin e të gjithëve, duhet të jemi në vijën e parë të frontit për ta përhapur bashkëjetesën paqësore. Duhet të dëshmojmë, të predikojmë, të lutemi për të. Prandaj, Deklarata u kërkon liderëve botërorë të ndalin kudo konfliktet dhe gjakderdhjen, të braktisin retorikën agresive dhe shkatërrimtare. Vetëm duke i shërbyer paqes, emri juaj do të mbetet i madh në histori!”, u tha Papa krerëve fetarë.

         Fjala e dytë, GRATË. “Sepse gruaja i jep botës përkujdesjen dhe jetën: është udhë drejt paqes. Prandaj, e kemi mbështetur nevojën për t’ia mbrojtur dinjitetin dhe për t’ia përmirësuar statusin shoqëror si anëtare e familjes dhe e shoqërisë, me të drejta të barabarta. Gjithashtu, grave u duhen besuar role dhe përgjegjësi më të mëdha”, komentoi Ati i Shenjtë.

         Së fundi, fjala e tretë dhe e fundit, TË RINJTË. “Ata janë lajmëtarët e paqes dhe të bashkimit, sot e nesër. Janë ata që, më shumë se të tjerët, kërkojnë paqe dhe respekt për shtëpinë e përbashkët, për Krijimin. Përkundrazi, logjika e dominimit dhe e shfrytëzimit, grumbullimi i pasurive për vete, nacionalizmat, luftërat dhe zonat e ndikimit përvijojnë një botë të vjetër, të cilën të rinjtë e refuzojnë, një botë të mbyllur për ëndrrat dhe shpresat e tyre”, përfundoi Papa Françesku.

Deklarata përfundimtare

Duke vijuar leximin e Deklaratës përfundimtare të Kongresit, vërehet ky nënvizim: “ekstremizmi, radikalizmi, terrorizmi dhe çdo nxitje tjetër për urrejtje, armiqësi, dhunë e luftë, çfarëdo motivacioni apo objektivi të paraqesin, nuk kanë asnjë lidhje me frymën e vërtetë fetare dhe duhen refuzuar sa më vendosmërisht që mundemi” (n. 5). Duke u bazuar në faktin se Hyji i Gjithëpushtetshëm i krijoi të gjithë njerëzit të barabartë, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, etnike apo shoqërore, krerët fetarë, bashkërisht, pohojnë se “respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë duhet të konsiderohen thelbësorë dhe të domosdoshëm në mësimin e fesë” (n. 13).

15 shtator 2022, 13:54