Kërko

Shenjtërorja e Shën Marisë së Hireve Shenjtërorja e Shën Marisë së Hireve  

Papa kujton Atë Piun: “E luftoi të keqen me përvujtëri dhe bindje"

Tweet i Papës Françesku, në ditën e kujtimit liturgjik të Kapuçinit dhe në përvjetorin e njëzetë të shenjtërimit: “Duroi dhimbje, për dashurinë”. Gjatë Meshës në San Giovanni Rotondo, Kardinali O’Malley theksoi: “I mësoi botës se suksesi më i madh në jetë është shenjtëria”.

R. SH. - Vatikan

Përvujtëri, bindje, bamirësi, dhimbje - shumë dhimbje, fizike dhe shpirtërore - por gjithmonë të ofruara për dashuri. Papa Françesku e kujton kështu në një Twitter, figurën e Shën Piut të Pietrelcinës, ditën kur Kisha kremton kujtimin e tij liturgjik dhe njëzet vjetorin e shenjtërimit të tij, kryesuar më 16 qershor 2002 nga Gjon Pali II.

Tweet-i i Papës

“Në faqen e tij të internetit @Pontifex, në dhjetë gjuhë, Françesku e pikturon portretin domethënës të fratit kapuçin me pak rreshta:

“Bamirësia, e gjallëruar nga feja, ka pushtet t’i çarmatosë forcat e së keqes. Shën #PiodaPietralcina e luftoi gjatë gjithë jetës të keqen: me përvujtëri, me bindje, me kryq, duke dhuruar dhimbjen - për dashuri”.

Papa: kush e do Kishën, nuk e akuzon duke e shkatërruar me gjuhë

Në veçanti, Papa - i cili më 17 mars 2018 shkoi për një vizitë baritore në Benevento, vendlindja e Shën Piut nga Pietrelcina dhe në Shën Giovanni Rotondo, në njëqindvjetorin e dukjes së varrëve - kujton një nga tiparet më  të spikatura të Fratit: luftën kundër së keqes. Kuptuar si betejë kundër djallit, të cilit, siç shkruajnë shumë biografë, nuk i pëlqente aftësia e Atë Piut për të lexuar zemrat dhe për të pasur vegime. Beteja, që e munduan deri në fund të ditëve të tij, por që ai, siç vëren sot Papa, i fitoi me bamirësi dhe besim.

Devocion universal

Devocioni për kapuçinin filloi që para se të vdiste. Mbi 300 mijë njerëz qenë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, ditën e Meshës së shenjtërimit, kryesuar nga Gjon Pali II, i cili pati edhe një shkëmbim letrash me Atë Piun. Me kalimin e kohës ky devocion u përhap jo vetëm ku jetoi dhe punoi, por deri në Amerikën e Jugut e në Afrikë, ku sot, në emër të tij kryhen vepra të shumta bamirësie dhe solidariteti.  

O'Malley në San Giovanni Rotondo

Një turmë e madhe besimtarësh ishte e pranishme sot në San Giovanni Rotondo, në kishën e re kushtuar Shenjtit, projektuar nga arkitekti Renzo Piano, për meshën e kremtuar nga kardinali Sean Patrick O’Malley, frat i vogël kapuçin, kryeipeshkëv i Bostonit. Nuk është hera e parë që kardinali, njëkohësisht kryetar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve,  viziton qytetin puliez, ku për javë rresht vijojnë kremtimet për festën e Shën Piut: meshë, nëntëditëshe, procesione me shtatoren e tij nëpër rrugë

Shenjt i botës

Predikimin e sotëm O'Malley e nisi duke kujtuar se Padre Pio ishte “dhuratë e Italisë, për botën” që i ndihmoi “të gjithë fretërit të shihnin bukurinë e thirrjes dhe i inkurajoi të betohen për të qenë gjithnjë besnikë të Krishtit”.. Ne të gjithë “kemi shumë për të mësuar nga Atë Piu” – kujtoi - i cili i tregoi mbarë botës “se Zoti është i vërtetë dhe se i vetmi sukses i vërtetë në jetë është shenjtëria”.

“Jam i sigurt - pohoi kardinali – se Atë Piu do të kishte qenë shumë i lumtur të bënte një jetë të fshehur dhe të ishte një nga ata shenjtorët  e paemër, që kalojnë në udhët e jetës pa u vënë re nga askush”. Por Zoti ndonjëherë “ i ndez dritat e refketorëve mbi një njeri, “në mënyrë që jeta dhe dëshmia e tij të bëhen  dritë për botën”.  

Lidhja me Vojtilën

Më pas ai kujtoi lidhjen e Papës Vojtila me Shenjtin, veçanërisht letrën e njohur latinisht, dërguar në vitin 1962 si kryeipeshkëv i Krakovit, për t'i kërkuar fratit të lutej për shoqen e tij polake, Dr. Wanda Półtawska, që vuante nga një formë e rëndë e kancerit: “Ne e dimë - kujtoi O'Malley - se kjo grua u shërua më pas në mënyrë të mrekullueshme e se askush nuk pati nevojë ta bindte Gjon Palin II për shenjtërinë, virtytet heroike dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të Atë Piut”.

Kudo në botë

Ndikim ky, që “prek miliona njerëz në mbarë botën”, siç e dëshmon fakti se “kudo mund të gjesh foto, pamje dhe shtatore të Atë Piut”, jo vetëm në kisha, por edhe në dyqane, restorante, shkolla, fabrika e, doemos, në faqen e  internetit  @Pontifex:

“Sa njerëz mbajnë një foto të Shenjtit në portofolin a çantën e tyre! Miliona njerëz nisen çdo vit për të vizituar shenjtëroren e Tij; qindra mijëra u përkasin grupeve të lutjes, që i frymëzoi ai; në fund të jetës kapuçini i thjeshtë merrte 5000 letra në ditë. E megjithatë, nuk u krenua kurrë  sidomos për dhuratën më të madhe që kishte pasur në jetën e tij: “Varrët e Krishtit, në duar, në këmbë e në brinjë – si Shën Françesku, në gjermët e të cilit eci gjithë jetën. “Zoti - përsëriti kardinali - e zgjodhi atë, të vogël, për t’ua hapur njerëzve portën e madhe të qiellit!”.

“Pesha” e varrëve

Kryeipeshkvi i Bostonit kujtoi edhe varrët e Shën Piut, mbartur për pesë dekada “me dashuri dhe durim”. “Në një botë, ku dhimbja shikohet si e keqja më e madhe, Atë Piu na tregon se e keqja më e madhe nuk është dhimbja, por mëkati dhe egoizmi. “Kur kryqi të ngarkohet me dashuri dhe në bashkim me Jezusin, është jetëdhënës dhe të çon në ringjallje”.

Ikonë e Jubileut të Mëshirës

 Më në fund, një kujtim i Jubileut të Mëshirës 2016, gjatë të cilit Papa Françesku solli reliket e Atë Piut dhe të Shën Leopoldo Mandic në Bazilikën e Shën Pjetrit. Qindra mijëra njerëz erdhën për t’u lutur para relikeve. “Nga të gjitha Vitet e Shenjta që jetova në jetën time, Viti i Mëshirës ishte më i fuqishmi” - kujtoi Kardinali O'Malley. “Nuk është, prandaj, për t’u habitur, që Papa zgjodhi Atë Piun si Shenjtor simbolik i misionit të mëshirës së Kishës”.

23 shtator 2022, 15:58