Kërko

Santi Arcangeli Michele, Gabriele e Raffaele Santi Arcangeli Michele, Gabriele e Raffaele

Papa: kryeengjëjt Mikeli, Gabrieli dhe Rafaeli na prijnë që t'u përmbahemi planeve të Zotit

Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi festën e Kryeengjëjve, që Kisha e kremton më 29 shtator. Papa më 29 shtator 2017 u lut kështu: “Mikel, ndihmona në luftë; Gabriel, sillnae lajmin e mirë të shpëtimit, Rafael, merrna për dore!”

R.SH. - Vatikan

 “Festa e Kryeengjëjve Mikel, Gabriel dhe Rafael, të cilën do ta kremtojmë nesër, më 29 shtator, ngjalltë tek secili bashkimin e sinqertë me planet hyjnore. Ju ndihmoftë ta njihni dhe ta ndiqni zërin e Mjeshtrit, që na flet në fshehtësitë e ndërgjegjes”. Duke u drejtuar një përshëndetje të përzemërt shtegtarëve italianë të pranishëm në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku i ftoi  të kujtojnë Tre Kryeengjëjt, që Kisha i kremton më 29 shtator. Gjatë papnisë së Tij, Ati i Shenjtë na ka këshilluar vazhdimisht t’u besojmë Tre Kryeengjëjve, që të na ndihmojnë në luftën kundër joshjeve të djallit, të na sjellin lajmin e mirë dhe të na shoqërojnë në rrugëtimin e jetës.

“E ne lutemi sot - kujtoi Papa - për trupën e xhandarmërisë së Vatikanit, që ka për Pajtor Shën Mikelin Kryeengjëll e që pasnesër do të jetë në festë. Uroj të ndjekë gjithmonë shembullin e Kryeengjëllit të shenjtë e Zoti e bekoftë për gjithë të mirat që bën”.

Mikeli dhe lufta kundër djallit

“Mikeli është ai që ndeshet me djallin” – pati shpjeguar Papa më 29 shtator 2017, gjatë meditimit të mëngjesit në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës ne Vatikan. Duke kujtuar një fragment nga Libri i Zbulesës (12, 7-12), Papa theksoi se djalli është “armiku ynë”:

 “Ne, që jemi në rrugën tonë, në jetën tonë, drejt Parajsës, Mikeli na ndihmon të bëjmë luftë kundër tij, të mos gënjehemi nga shpirti i keq, që na mashtron me joshje”.

Kujtojmë edhe se më 29 shtator 2017, Papa Françesku u lut kështu:

“Mikel, ndihmona në luftë; Gabriel, sillnae lajmin e mirë të shpëtimit, Rafael, merrna për dore!”.

Gabrieli, ai që sjell lajme të mira

Kryeengjëlli i dytë, Gabrieli, është ai “që sjell lajmin e mirë, ai, që i solli lajmin Marisë, Zakarias, Jozefit”. Gabrieli – pati kujtuar Papa në meditimin e vitit 2017, sjell “lajmin e mirë të shpëtimit”. Është me ne dhe na ndihmon gjatë rrugës. Sidomos kur, “me kaq lajme të këqija apo me kaq shumë lajme pa përmbajtje, harrojmë lajmin e mirë, atë të Ungjillit të Zotit”. “Ne i kërkojmë Gabrielit që të na sjellë gjithmonë lajmin e mirë”.

Rafaeli, shok udhëtimi

 Kryeengjëlli i tretë, Rafaeli, është ai, që na ndihmon gjatë rrugës. “Mikeli – tha Papa Françesku gjatë meditimit të mëngjesit më 29 shtator 2017 – na mbron; Gabrieli na jep lajmin e mirë, Rafaeli na merr për dore dhe ecën me ne, duke na ndihmuar në të papriturat që mund të na ndodhin gjatë rrugës. Rafaelin “duhet të pyesim” kur dyshojmë se joshemi të hedhim hapin e gabuar, që të na prijë në shtegun e mirë, në rrugën e mirë.

28 shtator 2022, 13:07