Kërko

Pjesëmarrësit në Kongresin Ndërkombëtar të Katekistëve Pjesëmarrësit në Kongresin Ndërkombëtar të Katekistëve  

Papa katekistëve: mos jepni mësime shkollore, transmetoni besimin e gjallë

Françesku priti sot, në Sallën Pali VI, pjesëmarrësit në Kongresin III Ndërkombëtar të Katekizmit: dashuria le të jetë “kriteri i gjykimit të veprimeve tona morale”- u kujtoi. Më pas, ftesa për të “gjetur mënyrat më të mira e për t’u siguruar që komunikimi i fesë të jetë i përshtatshëm për moshën dhe përgatitjen e atyre, që na dëgjojnë”.

R. SH. - Vatikan

“Mos u lodhni kurrë në misionin tuaj si katekistë. Jo ‘për të dhënë mësim' katekizmi, këtë jo!... Katekizmi nuk mund të jetë si ora e mësimit në shkollë! Sepse është përvojë e gjallë besimi”. Papa Françesku pret në Sallën Pali VI rreth 1400 katekistë dhe katekiste nga e gjithë bota, ardhur në Vatikan për kongresin e tretë ndërkombëtar të katekizmit. I pret dhe i falënderon për “përkushtimin në transmetimin e fesë”, “përgjegjësi” e rëndësishme ndaj fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, të cilët “kërkojnë të bëjnë shtegtimin e fesë”.

Roli i katekistëve

Roli i luajtur nga katekistët në gjirin e bashkësisë së krishterë është “tejet i madh”. Prandaj Papa, më 10 maj 2021, me Motu proprion Antiquum ministerium krijoi zyrtarisht “shërbimin” e katekistit. Njihte, kështu, vlerën e “pranisë” së laikëve të cilët, me anë të pagëzimit, bashkëpunojnë në shërbim të ungjillizimit në një botë që kërkon të imponojë “krijimin e kulturës së globalizuar”. Me një Editio typica (Botim tipik) përsëri vitin e kaluar, Papa propozoi edhe një rit të posaçëm, me të cilin çdo ipeshkëv në botë, nga 1 janari 2022, mund të krijojë katekistë gjatë kremtimit liturgjik. Është shenjë për t'u dhënë dinjitet më të madh atyre, që e kryejnë këtë detyrë e cila, përsërit gjithmonë Papa, nuk është punë, por  “thirrje”.

Takimi i së mërkurës

Thirrja ka të bëjë me të gjithë besimtarët, duke përfshirë ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët - sepse Zoti na thërret të gjithëve që Ungjilli i tij të jehojë në zemrën e çdo njeriu - theksoi Papa në fjalën e tij sot. E në vijim kujtoi se i pëlqen shumë “takimi i së mërkurës”, audienca e përgjithshme, “kur çdo javë takon shumë njerëz që vijnë për të marrë pjesë në katekizëm”. E ky, për Françeskun, “është çast i zgjedhur”:

“Duke reflektuar mbi Fjalën e Zotit dhe traditën e Kishës, ne ecim si Popull i Hyjit dhe jemi të thirrur të gjejmë format e nevojshme për ta dëshmuar Ungjillin në jetën e përditshme”.

Katekistët: dhuratë për Kishën dhe shërbim i çmuar për shpalljen e fesë

Është entuziazëm, që Papa Françesku shpreson të mos humbasë: “Ju lutem - u tha pjesëmarrësve në Kongres - mos u lodhni kurrë me misionin e katekistit. Jo duke “dhënë mësim katekizmi”. Natyrisht, theksoi, duhet të gjejmë mënyrat më të mira për ta komunikuar fenë, “të përshtatshme” për moshën dhe përgatitjen e njerëzve, që na dëgjojnë. Por mbi të gjitha, është vendimtar “takimi personal që kemi me secilin prej tyre”, sepse kjo “i hap zemrat për të marrë shpalljen e parë dhe për të dëshiruar rritjen në jetën e krishterë me dinamizmin që na lejojnë të zbatojmë katekizmat”. Në këtë kuptim do të jetë shumë i dobishëm Drejtuesi për Katekizmin, dorëzuar muajt e fundit - kujtoi Papa - për të kuptuar “si mund të përtërihet katekizmi në dioqeza dhe famulli”.

Dëshmitarë të jetës së re

Françesku citoi edhe Katekizmin e Kishës Katolike për t’u kujtuar katekistëve thirrjen që të jenë “dëshmitarë të jetës së re”:

“Mos harroni kurrë se qëllimi i katekizmit, që është një etapë e zgjedhur e ungjillizimit, është të takojmë Jezu Krishtin dhe t’ia hapim zemrën, që të mund të rritet në ne”.

Thirrja

Së fundi, Papa Françesku shrehu besimin se “kjo udhë do të bëjë që shumë prej të pranishmëve të zbulojnë plotësisht thirrjen e katekistit e, për këtë arsye, të kërkojnë të hyjnë në shërbimin e katekistit”:

“Mos kini frikë: nëse Zoti ju thërret në këtë shërbesë, ndiqeni! Do të merrni pjesë, kështu, në të njëjtin mision të Jezusit, për të shpallur Ungjillin e Tij”.

Kjo porosia e sotme e Papës-katekist - dhënë pjesëmarrësve në Kongresin III Ndërkombëtar të Katekizmit nga mbarë bota, mbledhur rreth tij në Sallën Pali VI.

10 shtator 2022, 16:31