Papa: familja e sulmuar, ideologjitë e ndryshme i grabisin vlerat njerëzore
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku, duke pritur etërit e Schönstatt, me rastin e Kapitullit të tyre të Përgjithshëm, i nxiti t’u përgjigjen shqetësimeve të burrave dhe grave të kohës sonë: “Shumë martesa në krizë, të rinj të tunduar, të moshuar të harruar, fëmijë të vuajtur ...”. Në kohë të tilla, i porositi të mbartin kudo shpresën dhe të hapin rrugëve të reja”. Një përshëndetje e përzemërt, eprorit të ri, Awi Mello.
Në “situatat e errëta” të sotme, me “martesa në krizë, të rinj të tunduar, të moshuar të harruar, fëmijë të vuajtur”, ndërkohë që familja sulmohet dhe “kolonizimet ideologjike” përpiqen të “plaçkisin egërsisht” vetë vlerat njerëzore, ftesa e Papës drejtuar etërve të Schönstatt të bëhen mbartës të shpresës. Ftesë e drejtuar gjatë takimit e sotëm me rregulltarët e bashkësisë të Schönstatt, lëvizje katolike mariane e lindur në Gjermani, në vitin 1914. Rasti i takimit me Papën, Kapitulli i Përgjithshëm, në përfundim të të cilit, pritja dhe ftesa e Atit të Shenjtë për t’iu përgjigjur përpjekjeve dhe shqetësimeve të njerëzve.
Përshëndetje eprorit të ri të përgjithshëm
Para fjalimit, tërësisht në spanjisht, Papa përshëndeti eprorin e ri të përgjithshëm, a gjeneralin siç thirret rëndom, At Alexandre Awi Mello, i zgjedhur më 21 gushtin e kaluar. Për pesë vjet, rregulltari brazilian ishte sekretar i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Shërbim për të cilin Françesku i shprehu mirënjohjen e tij: “Ka qenë sekretari im në Aparecida, më pas udhërrëfyesi im në Rio de Zhaneiro e sekretari im këtu. Faleminderit, për bashkëpunimin tuaj në vitet e fundit në bashkësi me Pasardhësin e Pjetrit, për të mirën e gjithë Kishës. Ju uroj një shërbim të frytshëm në këtë përgjegjësi të re që ju është besuar” - ky urimi i Papës.
Bartës të shpresës
Falënderimi i Papës Françesku shtrihet edhe mbi të gjithë bashkësinë:
“Ju, të dashur vëllezër dhe motra, bëni një shërbim të bukur për Kishën dhe për botën, veçanërisht duke shoqëruar familjen në ngjarjet dhe peripecitë e ndryshme, që po kalon, duke u shpallur të gjithë anëtarëve të saj bukurinë e ‘Besës e të Dashurisë’ që Zoti lidhi me popullin e tij. Sot ka shumë martesa në krizë, të rinj të tunduar, të moshuar të harruar, fëmijë të vuajtur. Ju jeni bartës të një mesazhi shprese në këto situata të errëta që kalon çdo fazë e jetës”.
Kjo - shton Papa, duke u shkëputur nga teksti i shkruar – ecën me të njëjtin hap me grabitjen e vlerave njerëzore, plaçkitje që po e bëjnë egërsisht kolonizimet ideologjike të çdo tipi.
Distancat dhe ideologjitë
Po, ngulmon Françesku, “bota na kërkon gjithnjë e më shpesh t’u japim përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve të burrave dhe grave të kohës sonë". E një nga shqetësimet më serioze ka të bëjë me familjen dhe natyrën e saj:
“Shohim gjithnjë më shpesh se natyra e familjes sulmohet nga ideologji të ndryshme, të cilat cenojnë themelet që mbështesin personalitetin e njeriut dhe, në përgjithësi, të gjithë shoqërisë. Për më tepër, brenda familjeve, në shumë raste, ka hendek mirëkuptimi ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve”.
Aleanca ndërmjet brezave
Papa kujton ciklin e tij të katekizmit në audiencën e përgjithshme të së mërkurës për të përsëritur se “aleanca ndërmjet brezave, pra ndërmjet më të moshuarve me më të rinjtë, është ajo që mund ta shpëtojë njerëzimin, sepse në këtë mënyrë ruhet identiteti personal dhe familjar”. Në familje “jo vetëm kalon nga breznia në brezni trashëgimia gjenetike apo emër e mbiemër, por - dhe mbi të gjitha - trashëgohet urtia, që të kujton ç’do të thotë të jesh njeri, sipas planit të Zotit”:
“Misteri i shëlbimit tonë është gjithashtu i lidhur ngushtë me përvojën e dashurisë në familje. Dhe të mos harrojmë se në fund të fundit besimi përcillet gjithmonë në 'dialekt’, përmes familjeve, të moshuarve, gjyshërve”.
Shembulli i Marisë
Model është Familja e Shenjtë dhe mbi të gjitha Virgjëra Mari, “që kujdeset me dashuri të ëmbël, të butë dhe të përkushtuar për të gjithë djemtë dhe vajzat e saj, veçanërisht për më të varfërit, në trup dhe në shpirt”. Anëtarët e Schönstatt nderojnë me “dashuri të madhe”, Virgjërën me titullin “Nënë tri herë e Admirueshme”. “Është model kryesor për të gjithë! Model, që të shtyn të krijosh ura të bazuara mbi bamirësinë vëllazërore dhe ndarjen e të mirave me më të varfërit”, thekson Françesku.
Hapja e shtigjeve të reja
Takimi përfundoi me inkurajimin e Papës drejtuar anëtarëve të Schönstatt-it, të cilët i ftoi të ecin përpara në apostullimet e tyre, duke u ripërtërirë gjithmonë me hirin e Shpirtit Shenjt dhe duke hapur me guxim shtigje të reja në shërbim të familjeve, për të forcuar besën e lidhur ndërmjet Zotit dhe njeriut, me përshpirtërinë dhe përvojën e jetuar të vlerave të krishtera.