Kërko

Papa: e ardhmja e fesë kalon përmes bashkimit të të krishterëve

Duke iu drejtuar të rinjve të krishterë të besimeve të ndryshme, që dëshirojnë të ndjekin itinerarin e fesë, propozuar nga projekti i formimit “The Community At The Crossing” në SHBA, Papa thekson se dashuria është më e fortë se ndarjet

R.SH. – Vatikan

“Zgjedhja e rrugës së përvuajtur të jetës në bashkësi vlen më shumë se një mijë fjalë”. Kështu pohon Papa Françesku në videomesazhin për nisjen e projektit “The Community At The Crossing” (Bashkësia në Kryqëzim), më 8 shtator, në katedralen episkopaliane të Nju Jorkut kushtuar Shën Gjonit, mbështetur nga kryedioqeza katolike dhe nga dioqeza episkopaliane e qytetit amerikan.

Kujtojmë se Kisha episkopaliane amerikane është Kishë e krishterë protestante dhe bën pjesë në Bashkimin Anglikan. Ati i Shenjtë nënvizon se, para së gjithash, ky projekt krijon një bashkësi formimi, përbërë nga të rinj të besimeve të krishtera, nga zona të ndryshme të SHBA-ve, që për një vit zhyten tërësisht në modelin e jetës në bashkësi, përjetojnë ritmin e lutjes dhe e vënë veten në shërbim të të varfërve. Papa uron që kjo nismë të “ringjallë dëshirën për bashkimin e të krishterëve”. Emri “At The Crossing” evokon “kryqin” e katedrales.

Dashuria është më e fortë se ndarjet

E ardhmja e fesë, shpjegon Françesku në videomesazhin, që u drejtohet të rinjve episkopalianë, katolikë dhe atyre të emërtimeve të ndryshme të krishtera, “kalon përmes bashkimit të të krishterëve”. Megjithëse nuk mungojnë bindje të thella, që duken, ose janë të papajtueshme, dashuria është më e fortë se mosmarrëveshjet dhe ndarjet. Françesku i nxit ata, që po përgatiten të ecin në rrugën e “Bashkësisë në Kryqëzim”, të punojnë së bashku për të arritur pikërisht unitetin. Jezu Krishti, pohon Papa, është lidhje më e fuqishme se kulturat, qëndrimet politike, madje, edhe se doktrinat. Duhet t’ia ngulim sytë Jezusit, “i cili dha jetën për ne”. Më pas, Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen për hovin e ri, që i dha kësaj nisme, Dikasteri për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Së fundi, një falënderim i veçantë për “vëllain dhe mikun” Justin Welby, kryeipeshkëv i Canterbury-t dhe primat anglikan, i cili e inkurajoi projektin me të gjitha forcat.

08 shtator 2022, 12:05