Kërko

TOPSHOT-UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT-WAR TOPSHOT-UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT-WAR

Nuk ka arsye për luftë

Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, Papa Françesku ka theksuar shumë herë - e edhe në audiencën e fundit të përgjithshme - se lufta është çmenduri. Thirrjet e tij të kujtojnë pohimin e Gjonit XXIII në enciklikën “Pacem in Terris”: në epokën e bombës atomike, lufta është jashtë çdo arsyeje. Sot, si në ditët e krizës së raketave kubane, duhet menduar ngutshëm për paqen, nëse nuk duam të rrokullisemi në humnerë

R.SH. - Vatikan

Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, Papa Françesku ka theksuar shumë herë - e edhe në audiencën e fundit të përgjithshme - se lufta është çmenduri. Thirrjet e tij të kujtojnë pohimin e Gjonit XXIII në enciklikën “Pacem in Terris”: në epokën e bombës atomike, lufta është jashtë çdo arsyeje. Sot, si në ditët e krizës së raketave kubane, duhet menduar ngutshëm për paqen, nëse nuk duam të rrokullisemi në humnerë.

A mund të ndryshohet rruga, para se të jetë tepër vonë? E të ndalemi, para se të rrokullisemi në humnerë pa kthim? Në këta shtatë muaj, të ngarkuar me tmerrin e luftës në Ukrainë, nën sulmin rus, Papa Françesku ka bërë me dhjetra herë thirrje për paqe, duke nënvizuar - së fundmi në audiencën e përgjithshme - se lufta është çmenduri e çmenduri edhe më e madhe, vetëm kallja e frikës për përdorimin e armëve bërthamore, siç po bën në këto orë Vladimir Putin. Të gjithë patën mbetur me gojë hapur nga habia më 24 shkurt, kur Moska nisi sulmin kundër Ukrainës. “Dukej e pamundur” u detyruan të pranonin analistët dhe ekspertët. Prej këndej “zgjimi” në këtë realitet deri atëherë të pabesueshëm, ishte brutal e aq tronditës, sa tani të duket se jemi dorëzuar përballë së keqes, edhe më së  keqes, që quhet bombë atomike. E të mendosh se deri pak muaj më parë, njerëzimi mendonte se një fatkeqësi e tillë ishte arkivuar përgjithmonë në historinë e së kaluarës.

Bie në sy edhe shkallëzimi verbal, që i parapriu dhe më pas ringjalli, në një rreth vicioz vdekjeprurës, shkallëzimin e luftës. E kjo pati si pasojë ogurzezë kujtimin e mundësisë së vetëshkatërrimit të plotë, edhe në media. Aq sa disa sajojnë në internet ose në televizion, pasojat që mund të ketë  bomba atomike e hedhur në një qytet evropian. U duken si “Lojëra luftarake”. Po kjo nuk është lojë! Është - siç na ka paralajmëruar shumë herë Papa Françesku - zë që bërtet në shkretëtirë - “lufta e tretë botërore” dhe jo “copa -copa”, po e tëra!

Kësaj dinamike shkatërruese, Papa iu përgjigj para së gjithash me thirrje drejtuar arsyes. Jo fesë, por në radhë të parë pikërisht aftësisë për të arsyetuar, që e dallon dhe e bashkon çdo njeri, besimtar apo jobesimtar. Siç nënvizoi - në fillim të Papnisë së tij - gjatë vizitës profetike në  Varrezën e Redipuglias, me rastin e njëqindvjetorit të Luftës I Botërore, "lufta është e çmendur, plani i saj i zhvillimit është shkatërrimi: dëshiron të zhvillohet përmes shkatërrimit!”. Ky pohim, si shumë të tjerë  shqiptuar në vitin dramatik 2022, të kujton fjalët e një Pape tjetër, një Pape të Shenjtë, i cili e lidhi pazgjidhshmërisht emrin e tij me atë të paqes: Gjoni XXIII. Edhe për Papën Roncalli, lufta - në epokën atomike - është çmenduri. Është jashtë arsyes. “Alienum est a ratione”, lexojmë në Pacem in terris. Enciklikë e lindur nga përvoja dramatike e krizës së raketave kubane, e përjetuar - vetëm 60 vjet më parë - në vetën e parë nga Papa që hapi Koncilin II të Vatikanit pikërisht në ditët kur njerëzimi dukej se po shkonte drejt një holokausti bërthamor.

Gjoni XXIII dinte të shpresonte, kundër çdo shprese, se Uashingtoni dhe Moska do ta ndalonin me kohë katastrofën. Ai nuk u dorëzua para parashikimeve të zymta të “profetëve të dënimit” por, i fortë në Krishtin, Princin e Paqes, besoi në rrugën e mundimshme që të çon në dialog edhe pse dukej krejtësisht e pamundur. Edhe nëse ky dialog do të “qelbej”, do të thoshte sot Papa Françesku. I paharrueshëm mbetet “Mesazhi radiofonik për mirëkuptimin dhe harmoninë e popujve”, i transmetuar në Radio Vatikan, më 25 tetor 1962, në kulmin e konfliktit ndërmjet amerikanëve dhe sovjetikëve.

Po bota nuk e ka nxënë ende mësimin e historisë! Kërkon ta përsëritë katastrofën, shumë më rëndë se ajo që e jetoi gjatë Luftës II Botërore.

Mijëra janë tashmë të vdekurit e kësaj lufte të pakuptimtë; miliona, të zhvendosurit; e madhe, vuajtja që po duron populli ukrainas Ditë për ditë dalin në pah monstruozitetet për të cilat foli Françesku dhe dëshmoi  Lëmoshtari i tij, kardinali Konrad Krajewski. Armët, më në fund, duhet të heshtin! “Njeriu - na kujton Gjon Pali II - vuan mbi të gjitha nga mungesa e vizionit”. “Sot njerëzimit i mungon vizioni i paqes. Vizion i domosdoshëm - na vë me forcë në dukje Papa Françesku.

Jepeni, prandaj, ndihmesën tuaj për këtë mision! Na mbështesni, që fjala e Papës të hyjë në çdo shtëpi e në çdo zemër vërtet njerëzore, e cila nuk dëshiron ta shikojë për herë të fundit Planetin duke u rrokullisur i shpërbërë në hapësirë, me gjithë banorët e vet!

23 shtator 2022, 12:15