Kërko

Nga e djathta, Papa Françesku, Elizabeta II, Duka i Edimburgut Filipi Nga e djathta, Papa Françesku, Elizabeta II, Duka i Edimburgut Filipi

Ngushëllimet e Papës: Elizabeta II, shembull përkushtimi në detyrë

Papa Françesku kujton Mbretëreshën dhe shërbimin e saj të palodhur për të mirën. Në një telegram ngushëllimi, Ati i Shenjtë siguron lutje për Elizabetën dhe për Mbretin e ri Charles II, të cilit do t’i duhet t’u bëjë ballë përgjegjësive tejet të mëdha.

R. SH. - Vatikan

Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II, i shpreh ngushëllimet më të ndjera Madhërisë Suaj, anëtarëve të familjes mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Komonuelthit”. Kështu  i shkruan Papa Françesku mbretit të ri të Anglisë, Charles III (Karlit III).

“Bashkohem përzemërsisht me të gjithë ata, që e vajtojnë - vijon Papa - duke u lutur për pushimin e pasosur të Mbretëreshës së ndjerë e duke i bërë homazhe jetës së saj në shërbim të palodhur për të mirën e Kombit dhe të Komonuelthit, shembullit të saj të përkushtimit në detyrë, dëshmisë së saj të patundur të besimit në Jezu Krishtin dhe shpresës së saj të pamposhtur në premtimet e Tij”: 

“Duke ia besuar shpirtin e saj fisnik mirësisë së mëshirshme të Atit tonë qiellor - lexohet në tekst - e siguroj Madhërinë Tuaj për lutjet e mia, që Zoti i Gjithëpushtetshëm t’ju mbështesë me hirin e Tij, i cili nuk i mungon kurrë, ndërsa merrni tani përgjegjësitë tuaja të larta si Mbret. Për ju dhe për të gjithë ata, që ruajnë kujtimin e Nënës Suaj të ndjerë - përfundon Françesku - i kërkoj Zotit shumë e shumë bekime hyjnore si premtim ngushëllimi dhe force në Të”. 

08 shtator 2022, 22:08