Kërko

Motër Maria De Coppi Motër Maria De Coppi 

Në Engjëllin e Tënzot, kujtimi i motrës Maria De Coppi, vrarë në Mozambik

Pas lutjes mariane, Françesku nënvizoi se murgesha komboniane “i shërbeu me dashuri për gati gjashtëdhjetë vjet” popullit të vendit afrikan. Nga Papa, një përshëndetje e veçantë për popullin e dashur të Etiopisë, “që sot po feston Vitin e Ri tradicional"

R. SH. - Vatikan

Françesku, pas lutjes mariane, nënvizoi se rregulltarja komboniane i shërbeu për gati gjashtëdhjetë vjet popullit të vendit afrikan. E më pas, i drejtoi një përshëndetje të veçantë Popullit të Etiopisë, që “sot kremton Vitin e Ri tradicional”.

Lamtumira e fundit motrës Maria

Varrimi i motrës Maria De Coppi u bë në Mozambik më 9 shtator. Kryeipeshkvi i Napulës, Imzot Inácio Saure, para arkivolit të së Ndjerës, kujtoi fjalët e profetit Ezekiel: “U ktheftë në rrugën e fesë e rroftë mëkatari”. Bashkësia komboniane e Chipene, në veri të vendit, u sulmua natën ndërmjet 6 dhe 7 shtatorit nga një grup i armatosur. Motra Maria De Coppi, 84 vjeçe, me origjinë veneciane, në vendin afrikan që nga viti 1963, u vra nga një armë zjarri. Dy motrat e tjera të bashkësisë dhe dy priftërinj fidei donum mundën të iknin e të shpëtonin.

Përshëndetja e Papës për popullin e Etiopisë

Françesku i drejtoi “një përshëndetje të veçantë popullit të dashur të Etiopisë, që sot feston Vitin e Ri tradicional”:

“Ju siguroj për lutjet e mia dhe i uroj çdo familjeje dhe mbarë kombit - tha Ati i Shenjtë - dhuratën e paqes dhe të pajtimit”.

Ndërmjet thatësirës dhe armëve

Në veri të Etiopisë ka ende përleshje. Që nga nëntori 2020 vijon konflikti i përgjakshëm ndërmjet Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPFL) dhe forcave qeveritare. Një konflikt që - siç thekson edhe L’Osservatore Romano - thellon më tej krizën humanitare në vendin, tashmë të tronditur nga thatësira ​​kronike dhe mungesa e të korrave. Llogaritet se të paktën 7 milionë fëmijë etiopë kanë nevojë për ndihmë. Konflikti në rajonin Tigray, me armëpushimin gjithnjë e më të pasigurt në mars, është një nga tragjeditë, që vijojnë në vend: ditët e fundit u bombardua një azil në Makallè, duke shkaktuar viktima të shumta.

11 shtator 2022, 13:33