Kremtimet e Papës: në tetor Mesha për Koncilin II të Vatikanit
R.SH. - Vatikan
Nё ditёn e përkujtimit të Shën Gjonit XXIII, mё 11 tetor, datë në të cilën u hap Koncili II kishtar i Vatikanit, 60 vjet më parë, Papa Françesku do të kremtojë një Meshë në Bazilikën e Vatikanit në orën 17.00. Njё ditë kjo nё tё cilёn Kisha kujton edhe "Fjalimin e Hënës", mbajtur nё të njëjtën mbrëmje kur Papa Roncalli, të cilin vetë Françesku e kanonizoi në vitin 2014, iu drejtua besimtarëve nga dritarja e studios nё Pallatin Apostolik.
Në kalendarin e kremtimeve liturgjike, të njoftuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit, ёshtё udhëtimi i 38-të apostolik i Papёs nё Kazakistan, nga data 13 deri më 15 shtator, në kryeqytetin Nur Sultan ku është nё program “Kongresi VII i udhëheqësve botërorë dhe i atyre të feve tradicionale”, qё mbledh së bashku krerë të ndryshëm fetarë e liderë nga e gjithë bota.
Në vijim, më 25 shtator, vizita baritore e Papёs në qytetin italian Matera për mbylljen e Kongresit të 27-të Eukaristik Kombëtar tё Kishёs italiane me temë: “Të kthehemi te shija e bukës”, i cili do të hapet nga e enjtja më 22 shtator. Në muajin tetor, më datёn 9, në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.15, është nё program Mesha e shenjtërimit të të Lumëve: Giovanni Battista Scalabrini dhe Artemide Zatti. Më 11 tetor, kremtimi me rastin e 60-vjetorit të fillimit të Koncilit II kishtar tё Vatikanit. Së fundi, më 2 nëntor, në përkujtimin e gjithë të vdekurve, në Altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit, Mesha e shenjtë për kardinajtë dhe ipeshkvijtë e ndjerë gjatë vitit.