Kërko

Ipeshkvijtë e rinj te Papa: dialog tё hapur dhe ftesё për të qenë "barinj" pranë të varfërve

Papa Françesku rezervoi, sot paradite, njё audiencën në Pallatin Apostolik me rreth 200 ipeshkvij të shuguruar gjatё vitit tё fundit, të cilët morën pjesë në raundin e dytë të kursit tё formimit mbajtur në Universitetin 'Regina Apostolorum' organizuar nga Dikasteret e Vatilanit për Ipeshkvij dhe Kishat Lindore

R.SH. - Vatikan

Një takim joformal, të gjithë të ulur në rreth, karakterizuar nga dëshmitë, sugjerimet dhe inkurajimet për t'u shërbyer të varfërve, në pёrfundim të kursit pёr tё 'mësuar' si të jesh ipeshkëv sot, çfarë sfidash duhet përballur, cilat tema duhet ndjekur. Rreth 200 ipeshkvij të rinj, pjesëmarrës në kursin formues të promovuar nga Dikasteret e Vatikanit për Ipeshkvij dhe për Kishat Lindore, u pritën paraditen e sotme nga Papa Françesku në sallën Klementine nё Vatikan. Takimi, në të cilin ishte i pranishëm kardinali Marc Ouellet, u dha ipeshkvijve (shumica latino-amerikanë), që morën pjesë në raundin e dytë të kursit nga data 12 deri më 19 shtator në Universitetin ‘Regina Apostolorum’ në Romë, mundësinë për një bisedë të lirë me Papën.

Kujdesi për të fundmit e shoqёrisё

Cikli i parë i kursit pёr ipeshkvijtё e shuguruar kohёve tё fundit, qё u mbajt nga 1 deri më 8 shtator të kaluar (ndarja ishte programuar për arsye tё numrit tё lartë të pjesëmarrësve dhe kufizimeve tё Covid), u hap me Meshën kremtuar nga Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, Kardinal  Pietro Parolin. Papa Françesku i pati pritur nё audiencё edhe pjesëmarrësit e këtij kursi - një traditë kjo që filloi në vitin 2000 nën papninё e Gjon Palit II dhe qё këtë vit iu kushtua temës "Shpallja e Ungjillit në ndryshimin e epokës dhe pas pandemisë: shërbimi i ipeshkvit" - gjithnjë në sallën Klementina nё Vatikan.

Edhe në atë rast nuk pati asnjë fjalim të shkruar, por një bisedё konfidenciale ndёrmjet Papёs dhe ipeshklvijve, siç njoftoi për redaksinë tonë në portugalisht ipeshkvi ndihmës i Sao Paulo-s, Imzot Angelo Ademir Mezzari. Papa, tha imzot Mezzari, i priti të pranishmit me një porosi, që të mos e harrojnë afërsinë me të varfërit, tё vetëdijshëm se gjithçka është e ndërlidhur dhe gjithçka ka nevojë për kujdes në këtë planet. Pastaj Papa deshi t’i dëgjonte drejtpërdrejt mysafirёt e tij, historitë e tyre, çёshtjet dhe kërkesat e tyre. Audienca zgjati rreth një orë e gjysmë.

19 shtator 2022, 19:12