Françesku: t’i lutemi Marisë ta ruajë botën nga lufta atomike
R. SH. - Vatikan
“Është e nevojshme të mobilizohen të gjitha njohuritë e bazuara në shkencë dhe në përvojë, për ta kapërcyer mjerimin, varfërinë, skllavërinë e re dhe për t’i shmangur luftërat. Duke refuzuar disa kërkime, të paracaktuara në mënyrë të pashmangshme e në rrethana konkrete historike, për të shkaktuar vdekjen, shkencëtarët në të gjithë botën mund të bashkohen njëmendjeje e ta çarmatosin shkencën, duke formuar një forcë që lufton për paqen”. Ky nënvizimi i Papës në takimin me pjesëmarrësit në seancën plenare të Akademisë Papnore të Shkencave me temë “Shkenca bazë për zhvillimin njerëzor, paqen dhe shëndetin planetar”. Françesku u kërkon veçanërisht anëtarëve të këtij organizmi në këtë çast të historisë, të merren me njohuritë, që kanë për qëllim mbrojtjen e paqes:
“Pas dy luftërave tragjike botërore, dukej se bota kishte mësuar të ecte përpara, drejt respektimit të të drejtave të njeriut, të ligjit ndërkombëtar dhe formave të ndryshme të bashkëpunimit. Por, për fat të keq, historia flet për shenja regresi. Jo vetëm që shpeshohen konfliktet anakronike, por rishfaqen edhe nacionalizmat e mbyllura, të acaruara, agresive (krh. Enc. “Fratelli tutti”, fq 11), si dhe luftërat e reja sunduese, që godasin civilët, të moshuarit, fëmijët dhe të sëmurët, duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim”.
T’i lutemi Marisë për paqe
Bota sot mbështillet me hije të reja shqetësuese, të cilat dukej se do të shpërbëheshin. Papa, duke folur për këtë skenar të zymtë, tregon dritën e lutjes:
“Konfliktet e shumta të armatosura në vazhdim janë shqetësim serioz. Pata thënë se ishte luftë e tretë botërore ‘copa-copa’. Sot ndoshta mund të themi ‘totale’, ndërsa rreziqet për njerëzit dhe për planetin bëhen gjithnjë e më të mëdha. Shën Gjon Pali II falënderoi Zotin sepse, me ndërmjetësimin e Marisë, bota u ruajt nga lufta atomike. Fatkeqësisht, duhet të vazhdojmë të lutemi për këtë rrezik, i cili duhet të ishte shmangur prej kohe”.
Të thirrur për të qenë dëshmitarë të lirisë dhe drejtësisë
Fjalët e Papës janë edhe lutje, nxitje për të dëgjuar britmën e dhimbjes së tokës dhe të atyre që janë viktima të padrejtësisë:
“Në emër të Zotit, i cili krijoi të gjitha qeniet njerëzore për një fat të përbashkët lumturie, ne jemi të thirrur sot të dëshmojmë frymëzimin tonë vëllazëror të lirisë, drejtësisë, dialogut, takimit të ndërsjellë, dashurisë dhe paqes, duke shmangur çdo nxitje të urrejtjes, inatit, përçarjes, dhunës dhe luftës. Në emër të Zotit, që na e fali planetin për ta mbrojtur e për ta zhvilluar, sot jemi thirrur për kthesë ekologjike, të thirrur për të shpëtuar shtëpinë tonë të përbashkët dhe jetën tonë, së bashku me atë të brezave të ardhshëm, në vend që të thellojmë pabarazitë, shfrytëzimin dhe shkatërrimin”.
Kisha, aleate e shkencëtarëve
Më pas Papa nënvizoi se “arritjet shkencore të këtij shekulli duhet të udhëhiqen gjithmonë nga nevojat e vëllazërimit, drejtësisë dhe paqes, duke ndihmuar në zgjidhjen e sfidave të mëdha me të cilat po ballafqohet njerëzimi dhe habitati i tij”. Puna e detyruar, prostitucioni dhe trafikimi i organeve janë “krime kundër njerëzimit që, përkrah me varfërinë, i kemi parasysh edhe në vendet e zhvilluara, në qytetet tona”. “Trupi i njeriut - vijoi të shpjegojë Papa - nuk mund, as duhet të jetë kurrë, pjesërisht e as tërësisht, objekt tregtie!”. Ati i Shenjtë i inkurajoi akademikët “të punojnë për të vërtetën, lirinë, dialogun, drejtësinë dhe paqen:” duke nënvizuar më pas se sot, më shumë se kurrë, Kisha Katolike është aleate me shkencëtarët që ndjekin këtë frymëzim”.
Detyra e ruajtjes së krijimit
Ndërmjet tjerash, Françesku bëri edhe një pyetje që gërshetohet me historinë: “Pse papët, duke nisur nga viti 1603, dëshironin të kishin një Akademi të Shkencave?”. “Kisha - vërejti - e ka shumë të zhvilluar pasionin për kërkimin shkencor, parë si shprehje e dashurisë për të vërtetën, për njohjen e botës, të makrokozmosit dhe mikrokozmosit, të jetës, në simfoninë e mrekullueshme të formave të saj”. Në bazë është qëndrimi soditës. E sidomos detyra - shtoi në përfundim Françesku, “të ruajë krijimin".