Kërko

Françesku: përkrah ukrainasve, popull fisnik dhe martir

Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi sërish me shqetësim të të thellë konfliktin në Evropën Lindore dhe dhimbjen që po përjetojnë njerëzit, të sprovuar rëndë nga lufta. Kujtoi edhe “monstruozitetet” e luftës, ashtu si ia përshkroi në telefon kardinali Krajewski, ditët e fundit për mision në vendin e martirizuar, ku po çon ndihma materiale e shpirtërore, për t’u treguar konkretisht të stërmunduarve, afërsinë e Papës dhe të Kishës

R.SH. - Vatikan

Shkoi përsëri në Ukrainë, në gjirin e popullit të këtij vendi-martir, mendimi i Papës në fund të audiencës së përgjithshme. Thellësisht i pikëlluar për “situatën e tmerrshme në Ukrainën e torturuar”, Ati i Shenjtë Bergoglio tërhoqi vëmendjen e botës tek kjo luftë e pakuptim dhe e pafund!  E foli edhe  për misionin e lëmoshtarit të tij, kardinalit Konrad Krajewski, të cilin e dërgoi në vend për të katërtën herë, që njerëzit e sprovuar rëndë nga konflikti me Rusinë ta ndjenin konkretisht ngrohtësinë e Atit për bijtë.

Të shtunën e kaluar edhe Kardinali e provoi tmerrin e luftës mbi lëkurën e vet, duke rrezikuar jetën, pasi automobili i tij i ngarkuar me ushqime dhe rruzare, dhuratë e  Papës për ata njerëz që kanë aq shumë nevojë për lutje, u godit në afërsi të Zaporizhës me armë zjarri, por nuk pati pasoja të rënda e, çka është më e rëndësishme, ndihma e Papës  arriti në destinacion:

“Dje më telefonoi. Po e kalon kohën atje, duke ndihmuar në zonën e Odesës, shumë pranë njerëzve që vuajnë”..

Papa Françesku tregoi me hollësi bisedën e tij me kardinalin Krajewski, i cili i përshkroi gjithçka po shikon këto ditë:

“Më tregoi dhimbjen e këtij populli, torturat e hatashme, monstruozitetet, më foli për kufomat e torturuara, që i pa me sytë e tij”.

Krajewski në lutje në Izyum, ku "lufta nuk e di ç’është mëshira"

Papa e kishte fjalën për Izyum, vendin ku u gjetën eshtrat e rreth 500 njerëzve dhe ku kardinali Krajewski qe i pranishëm në zhvarrosjen e disa  kufomave të ukrainasve të martirizuar në kuptimin më tronditës të kësaj fjale… Nuk kisha parë kurrë “kaq tmerr”,  të cilin nuk ka gojë që mund ta përshkruajë - i tha lëmoshtari papnor Françeskut në telefon. Në mes të këtij tmerri, Kardinali po vazhdon misionin e tij në Ukrainë, ku çon jo vetëm ndihma materiale, por edhe, e sidomos, ledhatimin  e Papës për njerëzit e  vënë në provën e rëndë të vdekjes dhe të shkatërrimit, ndërsa planifikon të çojë edhe më shumë ndihma në kryeqytetin Kiev.

21 shtator 2022, 13:10