Kërko

Papa pret Dioqezën e Alessandrisë dhe të Spoleto Papa pret Dioqezën e Alessandrisë dhe të Spoleto  

Françesku: Kisha në botë është “në gjendje të përhershme misioni”.

Papa priti sot rreth 1500 shtegtarë nga dioqezat e Aleksandrisë dhe Spoleto-Norcias, të cilëve u foli për rëndësinë e Eukaristisë në jetën e krishterë: duhet një kthesë baritore dhe misionare, që nuk mund t’i lërë gjërat ashtu siç janë, kujtoi. Në veçanti, besimtarët e dioqezës piemontese i porositi që rruga aktuale sinodale ta forcojë bashkësinë vëllazërore, ndërsa të rinjtë e krezmuar të dioqezës umbriane, të jenë dëshmitarë të Krishtit në jetën e përditshme.

R. SH. - Vatikan

Një takim i vetëm, në orën 12, në sallën Pali VI, me dy grupe të ndryshme: me besimtarët e dioqezës së Aleksandrisë dhe të rinjtë e sapo krezmuar të Spoleto-Norcia. Papa Françesku iu drejtua në fillim të parëve, por duke komentuar se është mirë të jenë bashkë, sepse të rinjtë janë “si shumë lule që sapo kanë nisur të lulëzojnë” dhe me ta e përjetohet më e plotë “ndjenja e familjes”.

Shën Piu V, reformator i Kishës

Shtegtarët nga Aleksandria ishin sot në Vatikan me rastin e 450-vjetorit të   vdekjes së Shën Piut V, lindur në Bosco Marengo, trojet aktuale të dioqezës piemonteze.

“Ai ishte reformator i Kishës, që bëri zgjedhje të guximshme! Që atëherë, stili i qeverisjes së Kishës ndryshoi. Shtylla e jetës së tij ishte besimi, ndërsa mësimet e tij janë të dobishme edhe sot” - pohoi Papa për t’u ndaluar,  në vijim, më gjatë ndër këto mësime:

“Së pari, ata na ftojnë të jemi 'kërkues të së vërtetës'. Jezusi është e Vërteta, jo vetëm në kuptimin universal, por edhe në kuptimin komunitar dhe personal; e sfida është ta jetosh sot kërkimin e së vërtetës në jetën e përditshme të Kishës, të bashkësive të krishtera. Ky kërkim mund të bëhet vetëm nëpërmjet një dallimi personal dhe komunitar duke u nisur nga Fjala e Perëndisë”.

Liturgjia është burimi i jetës komunitare

Ballafaqimi me Fjalën - vazhdoi Papa - e bën bashkësinë ta njohë më mirë Jezusin dhe jetën komunitare, e cila duhet të jetë e thurur me lidhjet e dashurisë dhe të ndarjes së përbashkët. Fjala “jeton veçanërisht në kremtimin eukaristik”- theksoi - për t’u rikthyer tek Papa piemontez:

“Shën Piu V punoi për reformimin e Liturgjisë së Kishës e, pas katër shekujsh, Koncili II i Vatikanit zbatoi një reformë të mëtejshme për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të botës së sotme. Vitet e fundit është folur shumë për Liturgjinë, veçanërisht për format e saj të jashtme. Por angazhimi më i madh duhet të përqendrohet tek kremtimi eukaristik, që të bëhet vërtetësisht burim i jetës së bashkësisë”.

Lutja, shtytje për misionin e Kishës

Liturgjia - theksoi Françesku - na ndryshon, na çon në jetën e Krishtit e, më pas, na shtyn të veprojmë konkretisht për të tjerët. Papa kujtoi edhe angazhimin e Shën Piut V “për lutjen, veçanërisht Rruzaren” dhe nënvizoi se si Veprat e Apostujve na rikujtojnë “figurën e një Kishe në lëvizje, një Kishe punëtore, e cila në takimet e lutjes gjen bazën dhe shtysën për veprim misionar”. Kujtoi edhe të krishterët e parë, për të cilët lexojmë: “Ishin të kujdesshëm në mësimin e apostujve dhe në kungim, në thyerjen e bukës dhe në lutje”. Ndërsa besimtarëve të dioqezës së Aleksandrisë, të angazhuar në një udhëtim baritor përtëritjeje, Papa Françesku u kujtoi një shprehje të Evangeli gaudium:

“Të gjitha bashkësitë të marrin masa që t’i sigurojnë mjetet e nevojshme për të përparuar në rrugën e kthesës baritore dhe misionare,e cila nuk mund t'i lërë gjërat ashtu siç janë. Tani ne nuk na duhet administrimi i thjeshtë. Na duhet që të gjitha viset e tokës të jenë në gjendje të përhershme misioni”.

Françesku uroi që ky shtegtim sinodal të ndikojë për thellimin e bashkimit vëllazëror ndërmjet ipeshkvit, priftërinjve dhe laikëve të dioqezës. E, mbi të gjitha, uroi që bekimi i Zotit ta bëjë këtë bashkim sa më të frytshëm.

Jeta e krishterë bazohet mbi Pagëzimin e Krezmimin

Sakramenti i Krezmimit është udhëtim - kujtoi Papa duke iu drejtuar fëmijëve të Spoleto Norcia, sepse sjell në jetë përvojën e dishepujve të parë të Jezusit”. Këtyre emrave - kujtoi - mund t’u shtosh edhe emrat tuaj, të marrë në ditën e Pagëzimit. Më pas Papa i pyeti të rinjtë a e mbajnë mend datën e pagëzimit:

“Është e rëndësishme! Është veçanërisht e rëndësishme për ju që jeni  krezmuar a që do të krezmoheni, sepse Krezmimi konfirmon Pagëzimin. Për këtë quhet Krezmim. Jeta e krishterë është shtëpi që ndërtohet mbi themelet e Pagëzimit. Gjithnjë. Kur je njëmbëdhjetë vjeç, njëzet, dyzet, tetëdhjetë. Themeli është gjithmonë i njëjtë: Pagëzimi. Për këtë arsye ka rëndësi ta kujtojmë ditën kur u pagëzuam, e edhe ta festojmë!”.

Secili prej jush është një gur i gjallë

Papa Françesku vërejti se fëmijët vijnë prej trojeve të dëmtuara nga tërmeti, ndaj e dinë se çfarë do të thotë shtëpi e fortë, që nuk shembet. Dhe e komenton kërkesën e tyre për të bekuar një gur nga Abacia e lashtë e Shën Eutizios, që ia sollën, në mënyrë që të bëhet “simbol i rindërtimit”. E Papa përfundoi me fjalët:

“Ja djem e vajza, sot po e bekoj secilin nga ju, që të bëheni  gur i gjallë për ndërtimin e bashkësisë së krishterë: gur i gjallë në familje, gur i gjallë në famulli, gur i gjallë në shoqërinë e miqve, gur i gjallë në mjedisin sportiv ... e kështu me radhë. Të jeni gurë të gjallë: kjo është e mundur me forcën e Shpirtit Shenjt, i cili në Krezmim ju konfirmon si të pagëzuar, bij të Zotit dhe anëtarë të Kishës”.

17 shtator 2022, 17:02