Kërko

Shtegtimi i Argjentinës nëpër "Hogares di Cristo" Shtegtimi i Argjentinës nëpër "Hogares di Cristo"

Papa Françesku: “Hogares”, vende shprese për të dalë nga bota e drogës

Më 4 shtator, në Buenos Aires, në fillim të shtegtimit kombëtar të Virgjërës së Lujanit 2022-2023 në strukturat, që ndihmojnë të rinjtë e droguar, Papa dërgoi një videomesazh, me të cilin i nxit ata ta lëshojnë veten në duart e Zotit

R.SH. – Vatikan

Videomesazh shprese ai, që Papa Françesku dërgoi të dielën në Buenos Aires të Argjentinës, ku në Luna Park Stadium filloi shtegtimi kombëtar i Virgjërës së Lujanit 2022-2023 nëpër “Hogares di Cristo” (Shtëpitë e Krishtit), organizuar nga Familja e Madhe e Shtëpive të Krishtit, Karitasi i Argjentinës dhe Bashkimi i Klubeve Famullitare. “Shikoni çfarë mund të bëhet me ndihmën e Zotit”, u thotë Papa, duke pasur parasysh dëshminë që japin Hogar-et prej 15 vitesh, të cilat, së bashku me Karitasin, ndihmojnë e strehojnë nevojtarët, sidomos ata, që kanë rënë në humnerën e drogës, nga e cila nuk mund të dalin vetëm.

Virgjëra e Lujanit dhe kryqi i famullisë së Zojës së Caacupé

Me moton #NiUnPibeMenosPorLaDroga, “As edhe një të ri më pak, për shkak të drogës”, një kopje e Virgjërës së Lujanit do të çohet në shtegtim në çdo “hogar” të vendit, së bashku me kryqin e famullisë së Zojës së Caacupé-s. Ky kryq është i veçantë, pasi nën vështrimin e atij Krishti të Kryqëzuar, të Enjten e Madhe të vitit 2008, kardinali i atëhershëm Jorge Mario Bergoglio u lau këmbët 12 të rinjve, që po dilnin nga tuneli i drogës. Këtë vit, shtegtimi filloi më 7 gusht për të përfunduar në marsin e vitit të ardhshëm, në shenjtëroren e Lujanit, në përkim me 15-vjetorin e lindjes së Hogar-it të parë të Krishtit dhe me 10-vjetorin e papnisë së Françeskut.

Alternativa për drogën ekziston

Për Papën, shtegtimi do të jetë “konstruktiv”, sepse nxit për shpresë e dëshmon se këto Shtëpi janë “alternativë kundër krimit të drogës, që të shkatërron. Hogar-et e Krishtit – u thekson Ati i Shenjtë të rinjve - nuk janë vetëm një dorë që ju ngre në këmbë, por edhe dashuri”. Vërtet, ato janë shtëpi, ku mund të shërohen, të bëhen më të fortë dhe të integrohen sërish e më mirë në shoqëri. “Gëzuar 15-vjetorin Hogar-eve të Krishtit, që po nisin këtë rrugëtim në të gjithë vendin”, uron Papa. “Zoti ju bekoftë e vazhdoni kështu”.

07 shtator 2022, 12:41