Kërko

Gra e nëna në audiencën e përgjithshme Gra e nëna në audiencën e përgjithshme 

Françesku: butësia e nënave që ndjekin shembullin e Marisë

“Dëshiroj t’u shpreh afërsinë time të gjitha nënave, veçanërisht nënave, që kanë fëmijë të vuajtur”. Ky, urimi i Papës Françesku gjatë përshëndetjeve në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke kujtuar Ditëlindjen e Virgjërës Mari, që do të kremtohet nesër, më 8 shtator. Posaçërisht kujtoi nënat që kanë fëmijë në burgje ku “shumë njerëz i japin fund jetës”.

Kisha kujton nesër Lindjen e Shën Marisë. Festa liturgjike kushtuar Marisë foshnjë kremtohet me devocion të lashtë popullor. Në fund të katekizmit, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku e kujtoi festën e, duke përfituar nga rasti, u kushtoi të gjitha nënave një mendim të veçantë: “Maria provoi ëmbëlsinë e Zotit si bijë hirplote, për ta dhuruar më pas këtë butësi si nënë, përmes bashkimit me misionin e të Birit, Jezus. Për këtë arsye - pohoi - sot dëshiroj t’u shpreh afërsinë time të gjitha nënave, veçanërisht, nënave, që kanë fëmijë të vuajtur”.

Dhimbja e nënave me bij të burgosur

Françesku kujtoi fëmijët e tyre të sëmurë apo të lënë pas dore, por edhe ata, që janë në burgje. Në lidhje me këtë, kërkoi:

“Një lutje të veçantë për nënat e të burgosurve të rinj, që të mos mungojë kurrë shpresa. Fatkeqësisht në burgje ka shumë njerëz që i japin fund jetës, ndonjëherë edhe të rinj, e vetëm dashuria e nënës mund t’i ruajë nga ky rrezik. Zoja – përfundoi Ati i Shenjtë - i ngushëlloftë të gjitha nënat, e sidomos, nënat e dërmuara nga vuajtjet e fëmijëve të tyre”.

Përshëndetje familjeve me fëmijë të prekur nga atrezia e ezofagut

Gjatë përshëndetjeve besimtarëve italishtfolës, shoqëruar nga ipeshkvi i Macerata-s dhe nga grupi i terapisë intensive neonatale i  Spitalit  “Shën Kamili Forlanini” në Romë, Papa u drejtoi një mendim të veçantë familjeve me fëmijë, që vuajnë nga atresia-ezofageale, një nga anomalitë e lindura, e cila e pengon të porsalindurin të ushqehet.

07 shtator 2022, 13:17