Kërko

PAKISTAN-WEATHER-CLIMATE-FLOODS PAKISTAN-WEATHER-CLIMATE-FLOODS

Dhurata e Papës për viktimat e përmbytjeve të Pakistanit

Një kontribut i rëndësishëm për popullsinë e vuajtur të vendit, shkatërruar nga përmbytjet, që prekën 33 milionë njerëz. Po arrin në këto orë në zonat më të prekura përmes bamirësisë apostolike, sipas njoftimit të kardinalit Konrad Krajewski për Vatican News

R.SH. - Vatikan

Pamjet e shkatërrimeve shkaktuar nga përmbytjet, të cilat vijojnë në Pakistan që nga qershori, nuk mund të na lënë indiferentë. Prandaj Papa Françesku, nëpërmjet bamirësisë apostolike, i dhuroi 100 mijë dollarë vendit që numëron të vdekurit, deri tani rreth 1300 viktima. Lajmin e dha, për Vatican News, lëmoshtari i Papës, Kardinali Konrad Krajewski.

Në Pakistan situata mbetet e rëndë. Qindra mijëra njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa dëmi llogaritet të jetë rreth 10 miliardë dollarë e jeta tronditet në themel për gati 33 milionë njerëz,  në gjirin e një popullsie prej 220 milionë banorësh. Përmbytjet u shkaktuan nga shirat e vazhdueshme të musonit dhe shkrirja e akullnajave në malet veriore. Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për më shumë se 6.4 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë në zonat e përmbytura. OKB-ja i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të mbledhur 160 milionë dollarë, ndërsa në vend do të arrijë për vizitë sekretari i përgjithshëm i OKB-së,  António Guterres, i cili do të vizitojë kryesisht zonat e prekura.

“Shkatërrim i paparë! E janë më të varfërit që paguajnë haraçin”- këto, fjalët që theksoi Kardinali Joseph Coutts, kryeipeshkëv nderi i Karaçit, javët e fundit në Romë, në takimin e Papës me kardinajtë e botës për reformën e Kuries. Kardinali kujtoi edhe afërsinë e Françeskut me vendin e përmbytur tragjikisht i cili, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, shprehu solidaritetin e tij me popullin e Pakistanit, duke kërkuar një përgjigje të shpejtë dhe bujare.

09 shtator 2022, 12:49