Kërko

Kiev, bombardimet ruse në Sloviansk Kiev, bombardimet ruse në Sloviansk 

Dhimbja e Papës për Kaukazin dhe Ukrainën: paqja, e mundshme vetëm nëse heshtin armët

“Toka gjakoset nga lufta. Të shumta, familjet që vajtojnë viktimat”: kështu u shpreh Françesku në fund të lutjes mariane të Engjëllit. E më pas nxiti për lutje, por edhe për angazhim diplomatik, si për Kaukazin, ashtu edhe për tokën e stërmunduar të Ukrainës

R. SH. - Vatikan

Paqe, dialog, lutje! Nga Sheshi i Shën Pjetrit lartohet sërish zëri i Papës për botën dhe për “çdo tokë të gjakosur nga lufta”. Në fund të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku, ashtu si në udhëtimin e fundit në Kazakistan, rikujtoi përsëri Kaukazin, ku këto ditë një numër prej 200 të vdekurish ishte haraçi i paguar në ndeshjet e reja ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

 Papa kërkon për Kaukazin harmoni dhe ballafaqim

“Ballafaqimi paqësor dhe pajtimi mbizotërojnë mbi mosmarrëveshjet”- kujtoi pak ditë më parë Françesku nga Nur-Sulltan i Kazakistanit, ndërsa sot, në një intervistë për gazetën “Il Mattino” të Napolit,  përsëriti: “Vetëm dialogu është rruga e nevojshme, pa kthim”. Më pas nga Sheshi i Shën Pjetrit, duke iu drejtuar botës, që e dëgjon, përsëriti:

“Të mos harrojmë: paqja është e mundur vetëm kur armët heshtin e fillon dialogu!”

Ndërmjet tokave të gjakosura nga çmenduria e luftës, Françesku nuk e harroi as sot Ukrainën, ku këto ditë është në mision lëmoshtari papnor, Kardinali Konrad Krajewski, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë, duke theksuar me forcë:

“E të vazhdojmë të lutemi për popullin e martirizuar ukrainas dhe për paqen në çdo tokë të larë në gjak nga lufta”.

Varret masive dhe torturat: realiteti i luftës

Për fat të keq lajmet që vijnë nga fronti flasin shumë për kërcënime e pak për shpresa paqeje, ndërsa mizori të reja vijojnë, veçanërisht në rajonin lindor të Kharkiv-it, përsëri në duart e Ukrainës pas më shumë se gjashtë muajsh. Përveç varrezave masive, të dala në sipërfaqe, hetuesit kanë prova torturash dhe ekzekutimesh masive, për të cilat Republika Çeke, presidente aktuale e BE-së, kërkon krijimin e një gjykate ndërkombëtare, ndërsa Lituania, dërgimin e tankeve. Satelitët amerikanë zbuluan të paktën 450 varre masive. Kjo nuk e ndalon përparimin e ushtrisë së Kievit, e Moska - sipas inteligjencës britanike - mund të mos ketë rezerva të mjaftueshme për t’i rezistuar kundërsulmimit të ri në Lugansk. Sipas lajmit të fundit, katër mjekë u vranë nga bombat ruse gjatë evakuimit të një spitali në rajonin e Kharkiv, skenar kryesor i ndeshejve të këtyre ditëve!

18 shtator 2022, 14:26