“Dëgjoni zërin e krijimit”: ftesë dhe angazhim për të gjithë të krishterët
R.SH. - Vatikan
Me Ditën Botërore të Lutjes për Krijimin që kremtohet sot, fillon edhe sivjet “Koha e Krijimit”, nismë ekumenike që, deri më 4 tetorin e ardhshëm, do t’i ftojë të krishterët e disa Kishave për “kthesë të vërtetë ekologjike”. Në një botë, ku njeriu bindet gjithnjë më shumë se lumturia lidhet ngushtë edhe me bukurinë e natyrës.
Papa Françesku, kujtojmë, e themeloi, në vitin 2015, Ditën Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, duke caktuar për të datën 1 shtator, që të përkonte me të njëjtën ditë kremtore të Kishës Ortodokse. Nisma e cila, siç shpjegoi Papa në atë kohë, synon të zgjojë te besimtarët “kthesën e thellë shpirtërore”, si përgjigje që i jepet krizës aktuale ekologjike, i hap rrugën "Kohës së Krijimit", e cila për më shumë se një muaj do të jetë çast i fortë reflektimi dhe angazhimi për bashkësitë kishtare edhe në funksion të zgjedhjes së stileve koherente të jetesës. Objektiv ky më se aktual, që sivjet nis nga dëgjimi. Të shumta takimet e planifikuara nga Kishat, dioqezat e famullitë për Ditën dhe për “Kohën e Krijimit”. Nisma do të hapet sot pasdite në Vatikan me një program ekumenik, përgatitur nga Lëvizja “Laudato si’”.
Një bashkësi e mrekullueshme universale
“Dëgjoje zërin e krijimit!”: kjo është tema, e edhe ftesa e propozuar nga Kishat për Ditën e vitit 2022, figura simbolike e së cilës është gëmusha e ndezur. Ndërsa Toka - viktimë ngre gjithnjë më shpesh zërin në kupë të qiellit për shkak të keqtrajtimit. “Në mëshirën e teprimeve tona konsumistike - kujtoi Françesku dje, në audiencën e përgjithshme - Toka Mëmë rënkon dhe na lutet t’i japim fund shpërdorimve tona dhe shkatërrimin e saj”. Ndërsa në Mesazhin për ditën e sotme, thekson:
“Nëse mësohemi ta dëgjojmë, vëmë re një lloj kontrasti në zërin e krijimit. Nga njëra anë është kënga e ëmbël, që lavdëron Krijuesin tonë të dashur dhe na bën të vetëdijshëm për të mos u ndarë nga krijesat e tjera, por për të krijuar një bashkësi të mrekullueshme universale me të gjitha qeniet e universit. Nga ana tjetër, klithma e hidhur, që ankohet për keqtrajtimin tonë njerëzor”.
Toka bërtet njëzëri me të varfërit
Papa Françesku shikon realitetin aktual dhe vëren se nuk është vetëm Toka që bërtet, por edhe krijesat. “Në mëshirën e një 'antropocentrizmi despotik', në antipodet e përqendrimit të Krishtit në veprën e krijimit, specie të panumërta po shuhen, duke pushuar përgjithmonë himnet e tyre të lavdisë ndaj Zotit. Por - vazhdon ai - nuk duhen harruar as më të varfrit! Të ekspozuar në krizën klimatike, të varfërit vuajnë më rëndë nga ndikimi i thatësirave, përmbytjeve, uraganeve dhe valëve të të nxehtit, që vazhdojnë të bëhen gjithnjë më përvëluese dhe më të shpeshta”. Prandaj Papa u kërkon të krishterëve që gjatë kësaj ‘Kohe Krijimi’ të luten për ndryshim e, veçanërisht, që samiti i OKB-së COP27 për klimën, që do të mbahet në Egjipt në nëntor 2022 dhe COP15 për biodiversitetin, në Kanada, në dhjetor, “ta bashkojnë familjen njerëzore, për t’i bërë ballë me vendosmëri krizës së dyfishtë të klimës dhe reduktimit të biodiversitetit”.